Temperaturat e larta kanë nisur tashmë të japin efektet e para në shëndet. Në urgjencën e QSUT-së, si dhe në poliklinika gjatë ditëve të fundit, është vënë re një fluks në rritje i pacientëve që kanë kërkuar ndihmën mjekësore të specializuar si rrjedhojë e komplikacioneve të shfaqura kryesisht në aparatin tretës. Mjekët shprehen se problemet më të shumta janë konstatuar tek të moshuarit, si dhe në moshat e vogla, të cilat në shumë raste janë paraqitur në urgjencë edhe me temperaturë të lartë. Po sipas mjekëve, simptomat me të cilat manifestohen problemet e shkaktuara prej vapës ndryshojnë sa nga një individ tek-tjetri. Megjithatë, në vija të përgjithshme konstatohet se pacientët manifestojnë diarre, debulesa trupore, humbje të përqendrimit, gjendje të fikëti, dhimbje të forta koke, si dhe të vjella. Ndërsa për moshat e treta, që vuajnë edhe nga sëmundje kronike simptomat janë më karakteristike, veçanërisht në ritmin e rrahjeve të zemrës, luhatjet e tensionit etj. Rastet më akute janë diarretë, intoksikacionet (helmimet) që rrjedhin nga konsumi i ushqimeve të përgatitura në mungesë të kushteve të higjienës etj. Për këtë mjekët e familjes, si dhe ekspertët e shëndetit publik kanë apeluar që të tregohet kujdes maksimal, veçanërisht gjatë ditëve të ardhshme, kohë në të cilën rritja e temperaturave do të bëhet edhe më e theksuar. “Duhet të konsumohen vakte me ushqime të freskëta dhe shumë të tretshme, sepse ato ndihmojnë trupin të përballojë më mirë këtë periudhë të stresit të metabolizmit. Rritja e djersitjes, në fakt, mund të shkaktojë mangësi të vitaminave, mineraleve, e mikroelementeve që shtojnë përkeqësimin e lodhjes së përgjithshme. Përveç kësaj trupit, për ruajtjen e temperaturës ,i duhet të nxisë vazodilatacion, avullimin dhe rritjen e qarkullimit të gjakut në lëkurë në dëm të traktit gastrointestinal, duke shkaktuar kështu një tretje të ngadaltë dhe të vështirë”, sqaron specialistja e shëndetit publik Jeta Lakrori. Për të ndihmuar mbrojtjen natyrale të lëkurës, flokëve, thonjve, etj, disa ushqime nuk duhet të mungojnë në tavolinën tonë të përditshme. Çka do të thotë se në verë duhet të jemi të vëmendshëm dhe të heqim dorë nga dietat e varfra me elemente ushqyes apo me pak kalori, kjo veçanërisht në rastet kur shkohet në plazh. Nëse u besojmë të tilla miteve, atëherë problemet me të cilat ne do të përballemi do të jenë të shumta, pasi këto dieta të varfra ndikojnë negativisht në lëkurë, flokë, thonj duke i bërë ato më të thata, flokët bien më shpejt. Kështu edhe gjatë verës ushqimi duhet të jetë i shëndetësim, i ekuilibruar dhe i pasur me vitamina e kripëra minerale. Frutat dhe perimet janë një burim i mirë i vitaminave, acidit folik dhe vitaminave të tjera të grupit B, vitaminës C dhe karotenit. Vitaminat antioksidante A,C,E, parandalojnë plakjen e parakohshme të lëkurës, lejojnë thithjen e betakarotenit dhe marrin pjesë në ripërtëritjen e epidermës (shtresës sipërfaqësore të lëkurës). Frutat dhe zarzavatet janë të mirëpritura në verë për freskinë e tyre, për vlerat kalorike modeste dhe kënaqësinë që i japin organizmit. Por,duhet të kini parasysh se ushqimet që përmbajnë këto vitamina duhen ngrënë të pagatura, të freskëta mbasi të gatuara humbasin vlerat e tyre.
Ushqimet që na ndihmojnë të përballojmë dëmet e vapës
Vitamina A
Vitamina A
Është antioksidanti më i rëndësishëm për shëndetin dhe bukurinë e lëkurës. Ndodhet në ushqime me origjinë shtazore si qumështi, djathrat e nënproduktet e tjera të tyre.
Vitamina C
Kjo vitaminë merr pjesë në formimin e kolagenit , siguron elasticitetin dhe ka efekt antioksidant. Gjendet lehtësisht në agrume, brokoli,lakra, luleshtrydhe, kivi, speca , domate, rradhiqe, spinaq, etj .
Vitamina E
Kjo lloj vitamine shumë e domosdoshme për organizmin ndihmon shumë në mbrojtjen e dëmeve nga rrezet ultraviolet dhe shpesh shtohet në kremrat mbrojtës. Gjendet në vajrat vegjetale, vaj luledielli, misri, ulliri, por edhe në lajthi, arra, bajame, etj.
Betakarotenoidet
Janë antioksidante, por edhe nxisin prodhimin e melaninës, pigmentit përgjegjës për ngjyrën e lëkurës. Konsumimi i karotave apo zarzavateve të pasura me vitamin A ose betakarroten bën që të depozitohen disa ngjyrues në lëkurë, të cilët duke u bashkuar me melaninën e shton ngjyrimin e shëndetshëm të lëkurës.
Karotenoidet
Nëse organizmi ka nevojë i kthen në Vitaminë A. Karotenoidet ndodhen në ushqimet bimore si kajsi, brokoli, karrota, sallata jeshile, pjepër, domate, spinaq, kungull dhe speca të kuq. Më tej ushqimet që përmbajnë Vitamina PP, qetësojnë skuqjet e shkaktuara nga djegiet (gjenden tek peshku,veza,etj).
Këshillohet të konsumoni:
Të paktën pesë porcione të përditshme me fruta e perime të freskëta. Perimet dhe frutat nuk duhet të mungojnë asnjëherë në tavolinë. Frutat dhe zarzavatet janë të mirëpritura në verë për freskinë e tyre, për vlerat kalorike modeste dhe kënaqësinë që i japin organizmit.
Pini në mënyrë të bollshme
Ujë, çajra apo lëngje të freskëta frutash, të paktën 2 litra në ditë dhe më shumë. Uji është elementi ushqyes më i rëndësishëm dhe në mot të nxehtë humbet një sasi e madhe uji si me djersën dhe me ajrin që nxirret, ndaj ka nevojë më shumë për ujin. Përdorni sheqerna me fibra si, drithërat dhe produktet e tyre.
Kufizoni ose elimino:
Përdorimin e ujit shumë të ftohtë, lëngjeve të gazuara, pijeve alkoolike e kafesë. Shmangni ngrënien e ushqimeve të nxehta apo pikante. Gjithashtu këshillohet të shmangen sa të jetë e mundur të gjitha ushqimet të pasura në yndyra, si ushqimet e skuqura dhe të përpunuara shumë, mbasi ngadalësojnë procesin e tretjes. Por, yndyrat nuk mund të hiqen plotësisht, sepse ato sjellin substancat esenciale për strukturën e membranave qelizore, për transportin dhe absorbimin e vitaminave të shumta, psh vaji i ullirit. Shmangni sa të jetë e mundur sheqernat e thjeshta, si dhe ushqimet e përpunuara, të konservuara, të cilat përmbajnë shumë yndyra shtazore, dhe preferoni djathin e qumështit me yndyrë të ulët, pulë, lepur e shumë peshk.
