Për të frenuar komplikacionet që diabeti lë në organizëm është shumë e nevojshme shmangia e konsumit të atyre ushqimeve që kanë nivel të lartë yndyrash. Në këto kushte një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza.
Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave.
Njëkohësisht edhe yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Dietës ushqimore duhet ti shtohen edhe disa këshilla të rëndësishme siç është ecja në këmbë sa më shumë gjatë ditës, ushqimi në mënyrë të shëndetshme duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer, pakësimin e orëve të qëndrimit para televizorit, kompjuterit dhe video-lojërave (veçanërisht për të vegjlit). Aktiviteti i rregullt fizik, si dhe orët e plota të fjetjes ndihmojnë më tej largimin e problemeve të diabetit. Vaktet e ngrënies së diabetit duhet të jenë sa më të rregullta, pasi vetëm në këtë formë organizmi merr në kohën e duhur sasinë e lëndëve të nevojshme ushqimore, duke shmangur mbidozimet që mund të krijohen në raste të mosrespektimit të vakteve të ngrënies.
Perimet dhe zarzavatet
Zarzavatet dhe perimet konsiderohen si armiqtë më të mirë që frenojnë komplikacionet që diabeti sjell në organizëm. Konkretisht dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve të gjelbra.
Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore.
Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.
Frutat
Krahas perimeve këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Sipas rekomandimeve të bëra nga mjekët, rezulton se ngrënia e frutave dhe perimeve pakësojnë rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe atyre kanceroze, të cilat janë shumë të lidhura me diabetin. Sasia e frutave dhe perimeve duhet të kombinohet gjatë gjithë vakteve. “Pacienti mund të marrë 2 fruta të vogla kumbulla ose kajsi, mund të marrë një dorë rrush ose feta të ndara të pjeprit, mollës, bananeve etj. E këshillueshme është që gjatë ditës të merren edhe një sasi e vogël e frutave të thata, rreth një lugë gjelle. Duhen konsumuar sa më shumë lëngje, veçanërisht uji. Duhet të pakësohet konsumi i lëngjeve të konservuara që kanë nivele të larta sheqeri”
Yndyrat që nuk mbartin rrezikshmëri
Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, përzgjedhja e të cilave duhet të jetë kryesisht me bazë bimore. Duke qenë se yndyrat janë shumë të pasura me kalori këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë.
Kështu diabetikët duhet të qëndrojnë larg yndyrave që merren nëpërmjet produkteve të tilla si “pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles” . Përdorimi në sasi të larta i këtyre yndyrave dëmton zemrën. Ndaj këshillohet që sasia e yndyrave që duhet të marrë organizmi të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Por edhe këto të fundit duhet të konsumohen sipas sasive të përcaktuara nga mjeku pas verifikimit të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet pacienti diabetik. Gjithashtu, konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Kjo nuk do të thotë ndalimin e rreptë të tij. Në këtë rast lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.
Trajtimi përmes aktivitetit sportiv
Krahas ushqimit një ndër këshillat më të vlefshme që nuk duhet neglizhuar kurrsesi është kryerja e aktiviteteve fizike. Sa më shpesh të kryhet aktiviteti fizik gjatë javës aq më e lartë është edhe mbrojtja që organizmi fiton nga komplikacionet e rënduara të diabetit. Megjithatë, sasia dhe doza e ushtrimeve që duhen bërë gjatë ditës janë të ndryshme në varësi të stadit në të cilën ndodhet sëmundja e diabetit tek pacienti. Këshillohet ecja në këmbë të paktën 30 minuta. Më të rinjtë mund të kryejnë edhe sporte të tjera si not, vrapim basketboll, ecjet sportive. Këto të fundit duhet të zbatohen në varësi të rekomandimeve që jep mjeku, pasi jo të gjithë pacientët mund të kryejnë të njëjtat aktivitete.
Efektet shëruese tek vaji i peshkut
Përmban omega 3 i cili ka shumë efekte pozitive mbi organizmin tonë sidomos në mbrojtjen e zemrës, dhe rekomandohet që njerëzit me diabet të marrin 2-3 porcione në jave. Porcione të cilat mund të merren duke ngrënë peshk (sardele, ton etj). Nuk rekomandohen suplementet me vaj peshku, sepse janë më të mira të konsumohen të freskëta. Sheqeri duhet të reduktohet në maksimum, por nuk është e thënë që duhet të eliminohet fare, këshillohet të merret sheqeri i frutave në formën e fruktozës. Ekziston edhe sheqeri artificial në farmaci që është më i këshillueshëm tek njerëzit që duan të bien në peshë.
Konsumi i kripës, i rrezikshëm
Është e rekomandueshme që çdo diabetik të mos marrë më shumë se 6 gram kripë në ditë. Mënyra më e mirë për të ulur kripën është të përdoren sa më shumë prodhime të freskëta të prodhuara në kushte shtëpie. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysmën e nevojave ditore të kripës i marrim me ushqime të konservuara. Reduktimi i kripës tek diabetiket çon në ulje të vlerave të tensionit,reduktim të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të zemrës, trombozës cerebrale dhe disa llojeve të tumoreve.