Ushqimet që mbajnë larg ndërlikimet e gastritit

anazapta

Gjendje të tilla si urthi, djegia, të vjellat, apo dhimbjet e vazhdueshme të stomakut flasin për praninë e sëmundjes së gastritit, që konsiderohet si një proces inflamator që prek muret e stomakut. Kur sëmundja është në stadet kronike, trajtimi i saj duhet bërë nëpërmjet medikamenteve. Ndërsa në stadet fillestare, si dhe në format më të lehta sëmundja mund të kontrollohet fare mire me anë të rregullimit të regjimit fizik ushqimor. Sipas mjekëve regjimi ushqimor që ndjekim gjatë përditshmërisë është edhe një ndër faktorët që ndikon në shfaqjen e gastritit, e cila vjen si pasojë e nivelit të ulët të acideve të stomakut.

Kështu, nëse tregohemi të kujdesshëm me çfarë zgjedhim të konsumojmë, duke larguar nga dieta e përditshme ato ushqime që cilësohen si të dëmshme, jo vetëm që mbajmë larg ndërlikimet që sjell kjo sëmundje, por kufizojmë edhe përdorimin e barnave në trajtimin e saj. Sipas mjekëve në prani të gastritit është e nevojshme eliminimi i të gjitha ushqimeve që shkaktojnë dëmtime të mëtejshme në mukozën tashmë të inflamuar të stomakut.

Megjithatë, dieta krahas ushqimeve që duhet të përzgjedhim, përfshin edhe një sërë sjelljesh që duhet të mos neglizhohen, pasi edhe ato janë vendimtare në shërimin e kësaj sëmundjeje. Konkretisht bëhet fjalë për sjellje shumë të thjeshta siç është e ngrëna në mënyrë të ngadalshme. Një përtypje e duhur e bën më të lehtë tretjen, teksa ndihmon edhe në shkurtimin e kohës që ushqimi qëndron në stomak. Gjithashtu është e nevojshme që gjatë ngrënies të qëndroni ulur, deri në disa minuta pasi të ketë përfunduar e ngrëna. Në përgjithësi nuk këshillohet ngrënia në rastet kur jeni nervozë apo dhe shumë të lodhur. Ushqimi i tepërt favorizon shfaqjen e gastritit dhe problemeve të tjera me stomakun. Ndaj duhet që të orientoheni drejt konsumit të ushqimit në vakte sa më të rregullta, e jo të shumta në sasi. Ky rregull duhet të vlejë veçanërisht në ngrënien e darkës, sa më e lehtë të jetë aq më mirë ka stomaku.

 

Ushqimet që ndihmojnë largimin e gastritit

Konsumi i qumështit (në sasi të lejuara, duke preferuar qumështin e skremuar, kosi dhe ushqime të lehta me përmbajtje të ulët yndyrash) ndihmojnë në trajtimin e kësaj sëmundje. Qumështi, duke qenë një ushqim alkalin ka një efekt pozitiv të menjëhershëm, pasi baziciteti i tij ekuilibron aciditetin e përmbajtjes së stomakut. Megjithatë qumështi (i plotë) i pasur me yndyra dhe proteina rrit aciditetin e stomakut dhe ngadalëson zbrazjen gastrike. Qumështi pra ka një efekt të menjëhershëm, por nëse ekzagjerohet në sasi mund të shkaktojë një rifillim të simptomave. Gjithashtu këshillohet përdorimi i mishit të bardhë, peshkut, djathërave jo të fermentuara. Ushqimet duhet të jenë të ziera lehtë, sa më pak të skuqura në yndyrë. Në të tilla raste nuk duhet ndalur përdorimi i vajit të ullirit. Duke u ndalur konkretisht tek lëngjet, këshillohet që të shmanget përdorimi i atyre lëngjeve me aciditet të shtuar siç janë ato që përftohen nga agrumet. Për të parandaluar komplikacionet ndihmojnë edhe perimet e pjekura si karçiofi, lakra, patatet, etj. Gjithashtu për një tretje të lehtë, do t’ju bënte mirë dhe një shëtitje e shkurtër pas konsumimit të ushqimit. Pini sa më shumë ujë pasi pështyma dhe lëngjet e mbrojnë ezofagun nga aciditeti gastrik.

Ushqime e ndaluara për personat që janë me gastrit

Duhet të qëndroni larg vakteve të bollshme që kanë në përmbajtje të tyre shumë yndyra. Duhet të kufizoni marrjen e tepruar të mishrave apo peshkut të konservuar, djathërave të cilët kanë në përmbajtje të tyre përqindje të larta të yndyrës. Në këtë rast vetëm sa e shtoni rrezikun avancimit të sëmundjes. Duhet bërë kujdes me konsumin e pijeve alkoolike, çajrave, kafesë, dhe pijeve të gazuara. Njëkohësisht duhet të qëndroni larg ushqimeve të ftohta sidomos kur stomakun e keni bosh. Të tjera ushqime të ndaluara janë frutat me aciditet të lartë apo frutat e thata, vera e bardhë, uthulla, domatet, specat, erëzat sidomos piper, hudhra, speci djegës, si dhe produktet e pastiçerisë që janë me bazë kremi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *