Mënyra e ushqyerjes është gjithmonë objekt studimi kur bie fjala për jetëgjatësinë. Të gjithë duan të dinë se cila është lista e ushqimeve që përbëjnë “eliksirin” për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Sipas studiuesve, disa ushqime kanë aftësinë të ruajnë shëndetin, ndërsa të tjera mund të bëhen burim i patologjive të rënda si tumoret, por edhe dëmtimet në nivelin kardiovaskular, të cilat shtojnë rrezikun e vdekjes. Shkencëtarët janë ende në kërkim të elementëve që ruajnë shëndetin dhe zgjasin jetën.
Studimi
Studiuesit amerikanë të Shkollës së Harvardit për Shëndetin Publik në Boston kanë mbajtur nën vëzhgim për 28 vjet me radhë shumë persona, duke dalë në disa konkluzione të rëndësishme.
37 698 meshkuj dhe 83 644 femra janë vëzhguar për mënyrën e ushqyerjes dhe patologjitë që kanë shfaqur gjatë 28 viteve. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 23 926 raste vdekjesh që lidheshin me patologji të ndryshme. Mes tyre, 5 910 persona janë ndarë nga jeta për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa 9 464 të tjerë për shkak të shfaqjes së tumoreve të ndryshme.
Në të gjitha këto raste është vënë re se ndikim deciziv kishte mënyra e ushqyerjes. Sipas shifrave, ky faktor nuk përbënte ndonjë ndryshim të madh nga meshkujt te femrat.
Pse disa ushqime të zgjasin jetën, ndërsa të tjera dëmtojnë shëndetin
Nutricionistët u këshillojnë gjithmonë njerëzve një dietë ushqimore që përshin pak nga të gjitha, kjo duke nisur që në moshat e vogla. Por mbi të gjitha, ajo që nuk duhet të mungojë kurrsesi në dietën ushqimore janë produktet që përmbajnë substanca ushqyese dhe të dobishme për organizmin tonë. Mishrat e bardha si pula, gjeli i detit, lepuri, peshku; frutat e thata, drithërat integrale dhe perimet janë ushqimet që ulin rrezikun e shfaqjes së patologjive që mund të çojnë edhe në vdekje.
Në mënyrë të veçantë, studiuesit thonë se mishi i shpendëve dhe frutat e thata e reduktojnë rrezikun e këtyre sëmundjeve me 14-19 për qind. Kjo falë proteinave, aminoacideve të degëzuara, hekurit dhe sasisë së vogël të yndyrnave që kanë në përbërje. Rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si gatuhen (të ziera, të pjekura në skarë apo në furrë), në mënyrë që të lehtësohet tretja.
Në krye të listës së ushqimeve që “akuzohen” për rreziqet që i sjellin shëndetit nëse konsumohen shpesh dhe në sasi të mëdha qëndron mishi i kuq, i cili thuhet se ndikon në shfaqjen e disa tumoreve dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Cila është arsyeja? Mishi i kuq në shumicën e rasteve konsumohet në formë salsiçesh apo proshute. Këto produkte, përveç mishit kanë të shtuara edhe yndyrna, nitrate dhe sodium, të dëmshme për shëndetin. Për këtë arsye, specialistët këshillojnë përdorimin e tyre në sasi të vogla dhe jo përditë. Sipas studimit të përmendur më sipër, rreziku i vdekjes rritet me 12 për qind për çdo racion të përditshëm mishi të kuq që i shtohet dietës, 13 për qind në rastet kur konsumohet mish që nuk është përpunuar shumë dhe 20 për qind në rastet e përpunimit industrial si hamburgerët, salsiçet apo mishi i konservuar.