Ndërprerja e ciklit menstrual shton mundësitë për t’u prekur nga sëmundjet e kockave, veçanërisht nga osteoporoza, si dhe nga sëmundjet e zemrës, obeziteti, etj. Ndonëse nuk mund të shmanget, me pak kujdes dhe përmirësim të stilit të jetesës mund të reduktojmë ndërlikimet dhe pasojat që shfaqen në shëndet tek femrat që arrijnë në menopauzë. Për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se cilat janë ushqimet që nuk duhet të mungojnë në tryezën tonë, si dhe këshillat që duhet të ndiqen nga gratë që preken nga ky ndryshim në ciklin riprodhues.
Çfarë është menopauza, dhe kur nis shfaqja e saj?
Menopauza e njohur ndryshe edhe si ndryshimi i jetës, shënon fundin e ciklit mujor të menstruacioneve në jetën e një gruaje. Ajo vjen si rezultat i rënies së nivelit të hormoneve në organizmin e gruas. Gjatë menopauzës, prodhimi i hormoneve femërore (estrogjeni dhe progresteroni) nga vezoret fillon të ngadalësohet. Kjo është një dukuri e natyrshme dhe shënon fundin e viteve riprodhuese, ashtu sikurse periudha e parë menstruale gjatë kohës së pubertetit shënon fillimin. Mosha më e zakonshme kur një grua hyn në menopauzë është midis 45-55, pra mesatarisht rreth moshës 51 vjeç. Menopauza para moshës 40 vjeç quhet ‘’menopauza e parakohshme” dhe para moshës 45 vjeç është quajtur ‘’menopauza e hershme”. Nivelet e hormoneve kanë tendencë të luhaten dhe gjatë kësaj periudhe ju mund të vëreni ndryshime në ciklin tuaj menstrual të tilla si: ciklet mund të bëhen më të gjatë, më të shkurtër ose krejtësisht të parregullt në sasi dhe në kohëzgjatje. Gjakderdhjet mund të bëhen të paparashikueshme dhe të rënda, e në këtë rast duhet të kërkoni patjetër ndihmën e mjekut. Përfundimisht, nivelet e hormoneve tuaja do të bien në një pikë ku periudha e menstruacioneve do të pushojë fare dhe atëherë themi se kemi hyrë në menopauzë. Simptomat e menopauzës janë të larmishme dhe shpeshherë shumë shqetësuese për gratë. Megjithatë simptomat e saj mund të menaxhohen me ndryshimet në stilin e jetesës, me terapi zëvendësuese dhe me terapi natyrale.
Cilat janë simptomat më të zakonshme të menopauzës?
Gjatë kësaj periudhe gratë mund të përjetojnë shumë shqetësime si për shembull afshe të nxehta (kryesisht natën), dhimbje muskujsh dhe kockash, ndjesia e kruajtjes së lëkurës (pruritus), dhimbje koke, nervozizëm, fenomene të harresës, mungesa e vetëbesimit, ulje e dëshirës seksuale (libidos ), vështirësi në të fjetur, zgjohen shpesh natën dhe të djersitura, thatësi vaginale (mungesë sekrecionesh), siklet gjatë aktit seksual.
Cilat janë pasojat negative që sjell menopauza në jetën e një gruaje?
Si rezultat i rënies së nivelit të hormoneve femërore kemi ulje të nivelit të kalciumit në gjak dhe kjo rrit shanset e osteoporozës dhe rrjedhimisht riskun për thyerje të kockave (frakturave ). Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kemi rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës, nivele të larta të kolesterolit në gjak, tensioni i lartë i gjakut, obeziteti, etj.
Po terapia hormonale kur përdoret?
Në qoftë se shqetësimet janë të shpeshta dhe afatgjata përdoret dhe terapia zëvendësuese (hormonale) me rekomandimin e mjekut specialist. Kjo terapi ul në mënyrë selektive shumë nga simptomat e menopauzës. Me mjekun specialist duhet të diskutoni për avantazhet dhe dizavantazhet e terapisë hormonale. Në këtë rast janë të rëndësishme kontrollet e shpeshta (të paktën çdo 6 muaj) për të vlerësuar përfitimet dhe rreziqet e kësaj terapie.
Shpesh flitet edhe për terapinë natyrore, në çfarë konsiston ?
Përsa i përket “terapisë natyrore”, ose “barishtore”, edhe kjo duhet aplikuar vetëm me rekomandimin e mjekëve sepse edhe barishtet ashtu si barnat mund të japin efekte të padëshirueshme. Terapia bimore shpesh mund të shoqërohet me terapinë hormonale të rekomanduara nga mjeku juaj sepse disa terapi bimore mund të ndërveprojnë me barna të tjera që ju përdorni. Megjithatë në çdo rast është mjeku ai që përcakton se cilat janë barashitet dhe si duhen përdorur ato.
Menaxhimi i menopauzës nëpërmjet përzgjedhjes së ushqimeve
- Simptomat e pakëndshme të menopauzës mund të reduktohen duke përmirësuar stilin e jetës suaj, me një dietë të shëndetshme dhe ushtrime të rregullta fizike.
- Zgjidhni një varietet të gjerë ushqimesh duke përfshirë shumë perime të freskëta, fruta, drithëra dhe racione të vogla mishi, kryesisht përdorni mish të bardhë (pulë, peshk).
- Konsumoni qumësht të skremuar (me nivel të ulët yndyre), kos, djathë (jo më shumë se 70-100 gram në ditë ) sepse produktet e bulmetit përmbajnë kalcium që ndikon në parandalimin e osteoporozës.
- Edhe me frutat nuk duhet abuzuar se përmbajnë sheqer (maksimumi 600 gram në ditë) dhe i preferoni në vakte të ndërmjetme (paradite dhe pasdite).
- Mos pini shumë kafe në ditë, mos përdorni alkool. I thoni stop duhanit për shkak të rrezikut lidhur me osteoporozën, sëmundjet koronare, kancerin e mushkërive, kancerin e gjirit, etj.
Ushtrimet fizike
- Përsa i përket ushtrimit fizik, kryerja e të paktën 35-40 minutave në shumicën e ditëve të javës, do të luante rol pozitiv në shëndetin e zemrës si edhe për të përmirësuar shëndetin tuaj të përditshëm. Shërben për të mbajtur muskujt dhe kockat në lëvizje duke ndihmuar në parandalimin e osteoporozës. Ushtrimi fizik krijon ndjenjën e relaksimit, të mirëqenies, shkarkimin e stresit të përditshëm, ndikon edhe në pakësimin e afsheve të nxehta.
- Për të gjitha shqetësimet tuaja mund të kërkoni ndihmën e mjekut tuaj. Në këtë periudhë duhet të kryeni ekzaminimin pap-test çdo dy vjet, eko gjiri dhe mamografia çdo dy-tre vjet.
