Shifrat tregojnë se rreth 23% e grave në zonat rurale rezultojnë anemike. Ndëkrohë, mungesa e hekurit tek fëmijët bëhet problem madhor pasi ndikon në formimin e tyre, duke lënë pasoja të rënda në zhvillimin fizik dhe mendor
Pranvera Kola
Pakujdesia në mbajtjen e një regjimi të rregullt ushqimor ka bërë që gjatë viteve të fundit të pësojë rritje të ndjeshme numri i pacientëve të prekura nga anemia. Më problematike situata shfaqet tek gratë shtatzëna, të cilat janë bërë burimi sëmundje edhe për fëmijët që kanë sjellë në jetë.
Të dhënat më të fundit të raportuara nga strukturat shëndetësore në vendin tonë vënë në dukje se zonat rurale klasifikohen si më të riskuarat nga anemia. Alarmin se gratë në fshat dhe veçanërisht ato të zonave malore ushqehen më keq, duke i lënë shteg prekjes nga një sërë sëmundjesh, është vënë në dukje edhe nga një sërë raportimesh të bëra nga strukturat ndërkombëtare të shëndetësisë (Organizata Botërore e Shëndetësisë).
Ndër më shqetësueset mbetet kequshqyerja gjatë periudhës së shtatzënisë, e për pasojë shumë nga nënat, sikundër edhe foshnjat e tyre, shfaqin simptomat e anemisë. Konkretisht 23 për qind e grave të zonave rurale vuajnë nga anemia, e cila si faktor kryesor shkaktues ka dietën e varfër ushqimore. Ndonëse në shifra më të ulëta, por që gjithashtu janë në nivele shqetësuese, mbetet përhapja edhe në zonat urbane ku rezulton e prekur rreth 15 për qind e grave.
Kalimi i sëmundjes
Fatkeqësisht, shumë prej këtyre nënave e kalojnë sëmundjen edhe tek fëmijët. Shifrat tregojnë se rreth 17 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç rezultojnë anemikë. Mungesa e hekurit tek këta të fundit bëhet problem madhor, pasi ndikon në formimin e tyre, duke lënë pasoja të rënda në zhvillimin fizik dhe mendor.
“Është vërtetë problem prezenca e anemive në grupmoshat e vogla, por edhe në më të rriturit. Vihet re në të gjitha zonat dhe sot është parë një përqindje e madhe e përhapjes te fëmijët e moshave të vogla. Kjo si rezultat jo i kujdesit, por si i kequshqyerjes. Ndoshta ne mendojmë që kemi ushqyerje, por ajo duhet të jetë e shëndetshme”, shprehet mjekja Evgjeni Kaci. Më tej ajo shton se përqindja e përhapjes në zonat rurale është shumë herë më e lartë se në zonat urbane.
Qumështi i gjirit
Një tjetër problematikë e konstatuar është edhe fakti se vetëm 40 për qind e fëmijëve ushqehen me qumësht gjiri. Ndërkohë që rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se fëmijët e porsalindur duhet të ushqehen me qumësht gjiri detyrimisht në 6 muajt e parë të jetës së tyre. Po sipas të dhënave të bëra publike nga kjo organizatë rezulton se vetëm një e treta e fëmijëve ushqehen mirë pas kalimit të gjashtë muajve të parë të jetës, ndërsa pjesa tjetër paraqesin mangësi sa i takon zhvillimit fizik dhe atij mendor.
Shkaqet
Anemia është një ndër çrregullimet e gjakut që vjen si pasojë e pakësimit të rruazave të gjakut në organizëm. Këto çrregullime mund të sjellin pasoja të pariparueshme në shëndet si rezultat i uljes se nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit.
Krahas kequshqyerjes, faktorë të tjerë që çojnë në përhapjen e anemisë janë edhe shkatërrimi i tejskajshëm i rruazave të kuqe, humbja e gjakut, çrregullimet e trashëguara, mungesa e hekurit dhe vitaminave, infeksionet e ndryshme, si dhe ekspozimi ndaj lëndëve të ndryshme toksike.
Shenjat dhe simptomat e anemisë
Simptomat që e shoqërojnë aneminë janë nga më të ndryshmet dhe shfaqen në forma të caktuara nga njëri pacient tek tjetri. Megjithatë ndër shenjat karakteristike të kësaj sëmundje pohohet të jenë zbehja e lëkurës. Kështu, nëse një person është i prekur nga anemia, manifeston zbehje të lëkurës, skuqje jo normale e buzëve, si dhe vërehet krijimi i një shtrati tek thonjtë.
Shenja të tjera që e shoqërojnë sëmundjen janë edhe gjendja e irritimit që pacienti tregon, shfaq lodhje fizike, marrje mendsh dhe rrahje të shpejta të zemrës. Ka edhe shenja apo simptoma të tjera të cilat janë të vështira për t’u identifikuar që në fazat fillestare, pasi nuk janë të dukshme.
Megjithatë, është mjeku specialist ai që përcakton më saktë diagnozën e sëmundjes, pasi çdo pacient ka të veçantat e sëmundjes që nga parandalimi, fillimi, shfaqja dhe në fund trajtimi me medikamentet e duhura.
Diagnostikimi dhe trajtimi
Në pjesën dërrmuese pacientët e evidentojnë sëmundjen pasi kanë kryer një sërë analizash dhe testesh, ku më kryesorja është analiza e përbërjes së gjakut që përfshin të gjithë komponentët e tij. Duke përcaktuar llojin e anemisë dhe faktorët që e shkaktojnë përcaktohet edhe lloji trajtimit që pacienti duhet të ndjekë. Mjekët vënë në dukje se zakonisht trajtimi i anemisë nis me ristrukturimin e niveleve të hekurit në gjak.
Gjithashtu, një rol të rëndësishëm luajnë edhe vendosja e balancave të duhura të acidit folik, i cili nuk duhet të jetë në mungesë si dhe vitaminës B12. Kurimi i anemisë mund të bëhet me anë të transfuzionit të rruazave të kuqe të gjakut të marra nga dhurues, nga heqja dhe transplantimi i shpretkës, si dhe në raste të caktuara trajtimi bëhet me anë të ilaçeve që mbrojnë qarkullimin normal të rruazave të gjakut në organizëm. Një ndër mënyrat më të mirë për të mbajtur larg këtë sëmundje është ushqyerja e shëndetshme, ku duhet t’i jepet më shumë përparësi perimeve dhe frutave, si dhe të qëndrohet sa më larg ushqimeve të rënda që treten me vështirësi nga organizmi.
Çfarë duhet të dinë anemikët?
Sëmundja shfaqet me lodhje, zbehje të lëkurës, rrahje të shpejta të zemrës
Një regjim i keq ushqimor është edhe faktori që ndikon në shfaqjen e anemisë
Për të mbajtur nën kontroll sëmundjen anemikët duhet të konsumojnë fruta me përbërje të lartë të vitaminës C
Njëkohësisht është e këshillueshme që t’u jepet përparësi spinaqit dhe barërave jeshile që janë të pasura me hekur
Anemikët duhet të pinë 150 gramë lëng karrotash në ditë. Vlera të larta ushqimore kanë edhe fiku, shalqiri e luleshtrydhja
Çajin, kakaon dhe kafen duhet t’i marrin tri orë përpara se të hanë, pasi ndryshe vështirëson tretjen.
Këshillohet që ushqimet e rënda dhe të pasura me përbërës të vështirë për t’u tretur të mos konsumohen
Trajtimi i sëmundjes me anë të medikamenteve duhet bërë vetëm pas marrjes së rekomandimit nga mjeku specialist.
Jua tregon Monika si ushqehen femijet. Ajo blen dy kofsha vici……