Ushtria amerikane dhe “kultura e përdhunimeve”

anazapta

 

 Rasti i përdhunimit të nënoficeres Rebeka Blumer është sjellë në vëmendjen e publikut nga revista “Rolling Stone” që thekson se në ushtrinë amerikane ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i përhapur aq sa mund të flitet për një “kulturë të përdhunimeve”

 

Historia e 23-vjeçares Rebeka Blumer, nënoficere e Marinës amerikane, e ka zanafillën në 2010-n në Fort Gordon, një bazë ushtarake me 15 mijë trupa në shtetin e Xhorxhias. Mbrëmjen e tre viteve më parë, Rebeka vendosi të dalë bashkë me tre shokë që kishte njohur në bazën ushtarake. Të nesërmen do të zgjohej në një qeli të kontesë së Riçmondit, pasi u ndalua nga policia duke i dhënë makinës në gjendje të pandërgjegjshme. Vajza ishte droguar, rrahur dhe përdhunuar në mënyrë të përsëritur nga tre kolegët e saj. Përveç plagëve fizike dhe morale, ajo e gjeti veten me një karrierë të shkatërruar.

Fatkeqësisht, Rebeka nuk është e vetmja. Historia e saj frymëzoi artikullin e revistës “Rolling Stone”, i cili thekson se ky është një ndër rastet e shumta të “marrëdhënieve seksuale të padëshiruara”, të cilat janë bërë të zakonshme në ambientet e ushtrisë amerikane. Vitin e kaluar, forcat e armatosura u përballën me “skandalin më të madh të përdhunimeve” në historinë e tyre: 32 instruktorë të bazës së forcave ajrore në Lakland të Teksasit u akuzuan se kishin dhunuar seksualisht 59 rekrute, ndërkohë që në Fort Brag në Karolinën e Veriut, gjenerali Xhefri Sinkler u dënua për sjellje të keqe në dëm të 5 ushtarakeve dhe për krime seksuale që përfshinin sodominë (seks me kafshët).

Dhjetorin e kaluar Departamenti i Mbrojtjes raportoi se 12% e grave që i janë bashkuar ushtrisë, janë përballur me ngacmime seksuale të tipeve të ndryshme që nga ofendimet me karakter seksual deri te përdhunimet e shkallëve më të rënda.

Pasi u largua nga spitali, Rebeka u kthye në bazë. “Të gjithë qeshnin me të. Njerëzit aty thoshin se ajo ishte treguar një bushtër budallaqe, që tani po përpiqej t’ia hidhte paq”, kujton një kolege e saj. Pavarësisht se ushtria amerikane tregohet e hapur ndaj pranimit të grave prej një kohe shumë të gjatë, diferencat gjinore midis grave të “dobëta” dhe burrave të “fortë”, iu ngulitet mirë në kokë rekruteve të reja nga eprorët e tyre.

Pornografia është kudo e pranishme dhe gratë që zgjedhin për t’iu bashkuar ushtrisë, duhet të përballojnë jo vetëm vështirësitë e stërvitjes, por edhe “vëmendjen e pakërkuar” të kolegëve të tyre. Një “kulturë e përdhunimit” në të cilën gruaja është parë gjithnjë si ajo që provokon, që vishet në mënyrë ekstravagante, pra, me pak fjalë “që e kërkon vetë”. Hierarkia e ashpër ushtarake nuk i ndihmon aspak gratë, sepse ata që i sulmojnë më shpesh janë ushtarakët e gradave të larta. Mosha mesatare e grave në ushtri është 25 vjeç, por ndjesia e të qenit të ‘nënshtruarat e përjetshme’ i pengon ato që të reagojnë, të rebelohen dhe t’i thonë jo eprorit.

Çfarë u bë me nënoficeren Blumer? Tetë muaj pas dhunimit, Rebeka përjetoi një formë të rëndë depresioni. Edhe sot ajo ka frikë të dalë nga shtëpia, sepse druhet se mos të gjithë e tregojnë me gisht si “vajza që shpiku përdhunimin”. “I kishin menduar të gjitha. Për ta unë isha një problem dhe vendosën të më largonin. Më parë adhuroja gjithçka që kishte të bënte me marinën, tani e urrej çdo gjë që ka të bëjë me të”.

“Që të mundësohet ndryshimi, duhet të veprohet që nga lart. Sjelljet e ushtarakëve nuk lindin kurrë në rangjet e ulëta, por frymëzohen nga drejtuesit. Sot çdo dhunim me sfond seksual brenda ushtrisë, nuk shihet vetëm si një krim i rëndë, por edhe si një akt që minon kohezionin në grup”, shprehet majori Geri Paton, që e cilëson kulturën e përdhunimit si një epidemi që ka mbërthyer ushtrinë e SHBA-së.

Përgatiti: Dorina Gjuzi 

Share This Article
2 Comments
    • skan faj ata fajen e ka gjenerali apo misnistri ushtris qe do cuar gruaja apo motra e tij atie, ata ushtar qe bejen keto akte dhune perdhunimi. qe perdhunojen 1 kolege apo nje ushtarake pa deshiren e saj jo do denuar por do varur prej gjuhe sa tu dal shpirti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *