Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme largojnë 52 fuçitë me kimikate të hedhura në lumin Mat disa ditë më parë, për të cilën u arrestuan edhe dy persona të dyshuar. Ditën e djeshme kanë zbarkuar në Fushë-Kuqe mjete të ushtrisë dhe specialistë, me qëllim largimin e rrezikut për banorët dhe asgjësimin e mbetjeve në Elbasan. Prezent në operacion edhe drejtori i Emergjencave Civile në MB, Alfred Olli, i cili tha pas mbylljes së aksionit se “këto lëndë ishin të rrezikshme për jetët e banorëve dhe për fat të mirë nuk ka të dëmtuar”. Në operacion ishin të angazhuara 5 automjete të ushtrisë, forca ushtarake, si edhe specialistë të emergjencave civile. Rreth orës 11:00 është arritur që të largohen të gjitha fuçitë nga zalli i lumit Mat. “Aktualisht rrezikshmëria e depërtimit në ujëra të kimikateve është zero dhe nuk përbën më problem”, tha Olli. Janë marrë kampione për të përcaktuar llojin e kimikateve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes. Nga mbishkrimet e fuçive rezulton të jetë “Potassium ethyl xanthate”, i cili është një lloj kimikati sulfur me ngjyrë të zbehtë, që është përdorur në industrinë minerare për ndarjen e mineraleve. Fillimisht fuçitë janë zbuluar nga 2 banorë të zonës, të cilët grumbullonin skrap. Por era e keqe ka bërë që ata të raportonin te autoritetet dhe policia. Kimikatet dyshohet të jenë hedhur të mërkurën rreth mesditës nga një automjet kamion me ngjyrë të bardhë, i mbyllur. Nga ana tjetër Policia e Lezhës ka ndaluar një ditë më parë dy persona të dyshuar se hodhën 52 fuçitë në lumin Mat. Ata janë Dritan Lami dhe Renato Metaj, njëri shofer dhe tjetri efektiv policie, që po japin shpjegime të mëtejshme. Specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit thanë se këto fuçi përbënin rrezik nëse përhapej kimikati qoftë prej ajrit dhe po kështu prej ujit, pasi shkakton vdekje dhe dëmtime të rënda trupore. Specialistët konstatuan se ky preparat kishte skaduar prej shumë vitesh dhe shërben për ndarjen e mineraleve në mjedise bazike dhe acide. Por ende mbetet mister prejardhja e këtyre fuçive, nëse janë futur nga jashtë vendit ilegalisht, apo janë nxjerrë nga magazinat nëpër miniera, ku mbaheshin prej shumë vitesh.
Olli
Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, ndoqi dje operacionin nga afër në Gurëz të Fushë-Kuqes. Zyrtari i lartë garantoi banorët e zonës. “Nuk ka ndotje të burimeve ujore, ndërsa nga verifikimet e kryera, nuk rezulton që këto kimikate të kenë rrezikshmëri të lartë për momentin”.