Utopitë i bëjmë filma

redaktor

Mëngjes. Del nga shtëpia dhe sheh që jashtë ka rënë një mjegull impresioniste. Mbetesh një çast shtangur duke vështruar peisazhin përreth…

Por, ti do të impresionohesh edhe më, kur tre zotërinj përpara teje, duke ecur secili në punën e tij, ia japin një pështyme përtokë, si me komandë, mbasi i kanë kruar mirë bulçitë… (Gjysma e së keqes që nuk është duke fryrë erë, pasi fare mirë mund të ndodhë që ajo t’ia sjellë pështymën, tjetrit që ecën përbri, apo pse jo, t’ia kthejë si një bumerang, vetë pështyrësit në fytyrë…)

Të përzihet? Mundohesh ta mbash vështrimin tek mjegulla dhe mbështjellja e saj poetiko-impresioniste? Shpreson që ajo t’i mbeshtjellë, madje t’i zhdukë fare nga qarkullimi edhe tre pështyrësit? (paske pritshmëri të mëdha, mjegulla nuk është prestigjiatore… dhe as një vrasëse profesioniste…)

Asgjë për t’u çuditur! Pak durim dhe më tej do ndeshesh një të katërt që shfryn hundët me duar dhe pastaj fshin duart te një pemë….

E ty të dhimbset pema…

E pastaj të dhimbset vetja…

E më tej thua: – Po ç’dua që jetoj ende në këtë vend ku asgjë nuk funksionon!

Pastaj e mbledh veten dhe fillon të mendosh se si ta heqësh mendjen… Si t’i “skiposh” gjithë këto pabukuri, që ky vend, ky qytet, t’i shfaq bujarisht ngado?

Po ndoshta po të ulësh sytë për tokë, dhe ndërsa ecën, të mendosh diçka të bukur… Po, po! Detyrimisht, urgjentisht, duhet thirrur në mendje diçka e bukur…

Por, as atje nuk mundesh, sepse, sapo ul sytë përtokë, ndesh lloj-lloj pështymash, që të detyrojnë të ecësh me kapërcime e të hidhesh pupthi, në mënyrë që të mos i shkelësh.

Ky qytet ka një dimër të butë, por ti do të doje që të bënte një dimër i egër, një ngricë mizore, aq sa t’ia ngrijë qurrat në hundë atij tipit që e përdor pemën për shami… Pastaj do të doje që kallinjtë e akullit të vareshin nëpër dritare… sepse vetem kështu acari do t’i vriste infeksionet që mbartin këto sekrecione konglomerate, mveshur tokës dhunshëm, e njëherazi, mveshur edhe këpucëve të tua.

Mos më thuaj lexues që nuk të ka qëlluar ndonjëherë të kesh përballë ndonjë kalimtar në çastin që sapo bëhet gati të pështyjë…

Jo? Po?…

Ti ia ngul sytë fort, në mënyrë që ta bësh me turp që ai të mos pështyjë… Por, ç’bën ai? Po ja, në rastin më të mirë, ai bëhet vërtet me turp, e mban pështymën derisa ti largohesh dhe… pastaj, që të mos i mbetet merak, e bën atë që ka për të bërë… pështyn më në fund!

E ty pastaj të vjen në mendje një pyetje ekzistenciale, së cilës nuk di si t’i përgjigjesh; – Ç’dreqin i detyron shqiptarët të pështyjnë kaq shumë?

Përse vallë jemi një popull kaq gjithë-pështyrës? Ne jemi pështyrës fizikë e metaforikë… (madje edhe kuantikë…) Ne jemi pështyrës “të çartur”!… Pështyjmë ngado; përtokë, në mur, në pemë…. Pështyjmë njëri-tjetrin… (me përjashtim të politikanëve, këta çuditërisht i kursejmë…)

Dikur njerëzit kanë patur shami xhepi, në ditët e sotme shamiza prej letre, pse nuk i përdorin?

Përse dreqin një individ duhet ta fillojë ditën, detyrimisht, kështu? Me një ndjesi të tillë krupe nëpër stomak? E pastaj gjithë dita ikën ashtu siç e ke nisur, fare pa entuziazëm se përgjatë saj do të bësh ndonjë gjë të vlefshme.

Për të mos folur për plehërat… Të gjitha jashtë kazanëve! Kohë më parë, vendi përreth koshave dizinfektohej, tani as kjo nuk bëhet më.

Në këtë qytet plehërat janë ato që nuk gjejnë kurrë rehatí. Do gjendet patjetër dikush që do t’u bëjë reprezalje… Achtung! Orari që plehërat të kontrollohen për armë të ftohta! Achtung! Orari që të kalojnë në duar të ndryshme sipas ligjit të marketingut! Dora e parë, janë banorët e papërgjegjshëm që nuk i shënjestrojnë ato nëpër kosha, dora e dytë, janë kërkuesit e kanaçeve dhe shisheve plastike që i bëjnë çorap dhe i nxjerrin jashtë, edhe kur ato, me pak fat, janë shënjestruar brenda koshit, dhe dora e tretë, janë qentë e rrugës që marrin ç’mbetet duke i shpërndarë ato nëpër rrugë…

Për të mos folur më tej për zonjëzat që mbajnë qen nëpër apartamente… Përveç faktit që i dënojnë të jetojnë të mbyllura brenda kafshëzat e gjora, ato i nxjerrin për të kryer jashtqitjet e tyre në vende fare të papërshtatshme, e për më tepër, as që marrin mundimin t’ua pastrojnë. Edhe jashtëqitjet e koneve luksoze mungonin në mes të gjithë këtij konglomerati papastërtish! Dallimet klasore të kapitalizmit të lavdishëm që po ndërtojmë kaq krenarisht (verbërisht e paditurisht), s’mund t’i gjesh më të qarta, përveçse në kazanët e plehërave dhe përreth tyre, apo pse jo, edhe në llojin e racës së qenit…

– Pa shih, – i thua ti vetes, pasi je stërholluar nëpër të gjithë këto mendime, -vjeshta ka lënë edhe disa pigmente të fundit nëpër gjethe… Mos i humb!

E ti do vërtet të shpërqendrohesh atje, për të harruar ndjesinë e krupës brenda stomakut me të cilën ke filluar ditën, por jo, nuk mund ta bësh, se ke frikë mos shkelësh ndonjë jashtëqitje qeni, ndërsa ecën dhe kqyr pigmentet e vjeshtës.

Në filmat e kohës së komunizmit, që, përtej vlerave artistike, para së gjithash kanë vlera dokumentareske të paçmueshme për mënyrën se si shqiptarët kanë menduar, shpesh syri më zë aty-këtu disa tabelëza anës rrugëve ku shkruhet: – Mos pështyni përtokë!

Në ditët e sotme nuk kemi të tilla tabela… Thua se tani jemi më të pastër, më të ndërgjegjësuar e nuk pështyjmë?

Ç’i kushton bashkisë të paguajë lirë (meqë ankohet se nuk ka fonde) disa studentë të pikturës, të cilët, të shkruajnë bukur, pastër: – Mos pështyni përtokë! (Toka do t’ua kthejë me të njëjtën monedhë…)

E nëse “pështyrësit-addicted” nuk do të vetëdijësohen edhe me një tabelë të tillë, atëherë këta studentë, përbri fjalëve, le të vizatojnë… hëm… një majmun, bie fjala…

Po, po! Le të vizatojnë një majmun me shami dore…. Kështu ndoshta, këta njerëz do të ndihen të cenuar në sedër…(gjithmonë nëse e kanë një të tillë…). E përbri vizatimit, le të shkruajnë, pse jo, edhe ndonjë slogan ndërgjegjësues të llojit: – Pa shih, edhe majmuni e ka një shami… Po ti ç’pret akoma?

E nëse as vizatimi i majmunit shembullor dhe të përgjegjshëm ndaj shtetit (mos qesh lexues, edhe një majmun mund të jetë i tillë) nuk do arrijë t’i ndërgjegjësojë; përse të mos u vendosen gjoba këtyre njerëzve?

– Mos pështy përtokë! – në të kundërt dënohesh me gjobë… ose; me punë vullnetare, pastrim të detyrueshëm të pështymave të tua dhe atyre të shokëve të vesit të përbashkët.

Sepse, nëse do të ketë ndopak shpresë që ky qytet të jetë më i pastër, ajo do të ekzistojë vetëm te dënimet me gjoba të aplikuara në punë vullnetare, dhe aspak tek istitucioni përgjegjës, fatkeqësisht apatik…

Më ka marrë malli të shoh një makinë të bashkisë duke larë rrugët. Nuk shoh gjëkund, asnjë!… Dhe e vetmja mënyrë për ta shuar këtë mall, është të hap televizorin dhe të shoh filmin “Zonja nga qyteti”… me në sfond një makinë që i spërkat këto rrugë skenografikisht…

Të paktën në atë film, shoh iluzionin e të jetuarit në një qytet normal…

Utopitë… vetëm sa i bëjmë filma…

 

*“Skip”↔ “Skipëria”?   (Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”)

Share This Article
3 Comments
  • patjeter qe duhet te shikohet per tej tekstit ky shkrim. alegoria e gelbazes eshte populli qe peshtyhn mbi gjithcka……..

  • eshte bukur kur realitetin e lexon ne nje shkrim ,ku alegoria e gelbazes permbledh te gjith ate realitet qe ne shohim per dite ne rruget dhe ambientet tona. Kur lexoj shkrimet e arlindes memoria me kthehet disa vite mbrapsht, kur ne klase mesuesja na kontrollonte shamine e hundeve, dhe na porosiste mos peshtyni per toke. Keta njerez jane specie tjeter sikur nuk kane jetuar ne te njejtin vend me ne, nga forma e te vepruarit te ketyre njerzeve z.Arlinda besoj u duhet shume kohe te vine ne menyren e te sjellurit si qytetar te kulturuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *