“Uuuuuuu, leshprera e nënës!”

redaktor

Iku dhe ikona e rradhës e aktrimit shqiptar: Liza Laska. Në raste të tilla, bëhet një nekrologji klasike, tejet skematike në lloj, ku thuhet se ndërroi jetë pas një sëmundjeje, lindi këtu e jetoi atje, luajti në kaq e aq role, në filma apo skena teatrore. Rreshta të ngjashëm u hartuan dhe për të ndjerën, sigurisht pa ndonjë mangësi në informacionet mbi karrierën e saj. Ndonesë lajmin mbi vdekjen e saj, kronikat e televizioneve e nisën zakonisht me rolin tek ‘Dimri i fundit’, për kujtesë e nderim, do ja vlen të veçohet protagonizimi aktoresk i të ndjerës në dy role të tjera: Atë të pastrueses tek ‘Lulëkuqe mbi mure’, e atë të plakës labe tek ‘Malet me blerim mbuluar’. Tek e para nuk ka shumë batuta, por shkëlqen në një akt pantomimik të jashtëzakonshëm, atë kur teksa lan dyshemenë e korridoreve të jetimores, qëllon pa dashje me bishtin e leckës derën ku drejtori, Luixhi, po jepte mësimin e italishtes. Dhe mbasi drejtori hap derën gjithë nervozizëm, ajo e sheh me një pafajshmëri monumentale, që e pason me gjestin e rimbledhjes së napës rreth kokës. Ndërsa tek roli i dytë, përcjell mjeshtërinë e fjalës, artikulimit të veçantë, lojës me kantilena zëri e mimikë, për të dhuruar njëherësh brenda një figure, sa zemërdhembshurën e sa pak të shkarën, gjithsesi pa shumë dëm. Kur sheh Lilon e plagosur, me sfurkën e leshit në dorë rend drejt saj nxitimthi, për t`i lëshuar gojës fre, sa me fjalë të ndjera e sa me rromuze, kur mes saj dhe Lilos hyn Peliçeli me kinse kompetencë mjekësore:

-Uuuuuuu, leshprera e nënës! E ku të gjeti o e zezë, o e pafatja e nënës që nuk e gjete doktorin këtu. Ç`doktor që ishte, na shëroi dhe ne plakave!

– Lëreni, lerëni rehat!

-Uuuu, mu bëfsh kurban mu bëfsh! Ç`është ky more, talian?! E keni marrë për hyzmeqar? Mirë ja keni bërë jezidit, se dhe këta nuk ishin më të mirë!                                                    

-Ky s`është nga ata, është partizan!    

-Eh miiiirë, nga halli e ka dhe ky se do t`i mbetej kërma shkabave. Kemi dhe një tjetër atje. U katandisën keq. Po bjerini dhe gjermanit djema, bjerini, se dhe ai kështu do katandiset….po ti u shërofsh e bëfsh nuse, se je trime!    

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *