Lëvizja më e fundit e qeverisë së Uzbekistanit për të zhdukur trashëgiminë ruse nga kultura e këtij vendi ka të bëjë me ndalimin e festimit të Krishtlindjeve, së bashku me karakteret që e shoqërojnë këtë festë
Teleshikuesit në Uzbekistan këtë vit do të mbeten të zhgënjyer sepse qeveria vendase duket se i ka ndaluar festimet e zakonshme me rastin e Krishtlindjeve, të cilat janë trashëgimi e kulturës ruse. Festimi i Krishtlindjeve u bë popullor kur myslimanët e Azisë Qendrore ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Ende nuk është e qartë se kush e ka dhënë urdhrin, por duket se karaktere si Babagjyshi Acar dhe shoqja e tij, Zonja e Dëborës, duket se në Uzbekistan nuk janë më të mirëpritur.
“Na janë dhënë udhëzime që të mos shfaqim Babagjyshin Acar në televizion”, shprehet një gazetar i televizionit shtetëror. “Mund të shfaqim pemën e Vitit të Ri, por duhet të jetë e vogël dhe e vendosur diku në cep të skenës”. Gazetari nuk dëshiron të identifikohet dhe pohon se nuk e di nëse urdhri vjen nga qeveria apo zyra e presidentit.
Në Uzbekistan media është nën kontrollin e rreptë të qeverisë dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë nismë pa aprovimin e kësaj të fundit.
“Programet televizive mund të transmetojnë vetëm lajme mbi ardhjen e vitit të ri dhe asgjë më shumë se aq. Ne nuk duhet të përmendim motive që kanë lidhje me Krishtlindjet. Shefi ynë shprehet se është e rëndësishme që ne të mbrojmë kulturën uzbeke nga ndikimet e huaja”, shton gazetari.
Pema e Vitit të Ri është hequr nga sheshi qendror në të gjitha qytetet e Uzbekistanit dhe banorët shprehen se programet argëtuese për fëmijë, megjithëse po organizohen, nuk kanë të njëjtat përmasa që kishin në kohën e sovjetikëve. Viti i Ri është festuar për një kohë të gjatë si një ngjarje familjare në pjesën më të madhe të rajonit ku banojnë myslimanët dhe asnjëherë nuk është parë si një festë fetare. Përkundrazi në kohën e ‘perandorisë së kuqe’ promovohej ideja se festat e fundvitit mblidhnin bashkë njerëz nga grupe të ndryshme etnike dhe fetare dhe në një farë mënyre kjo funksiononte. Por mesa duket, qeveria aktuale e Uzbekistanit po përpiqet të çrrënjosë këtë traditë të vjetër sovjetike. Më parë autoritetet vendase patën ndaluar festën e “Shën Valentinit”, të cilën e zëvendësuan me festimet zyrtare për perandorin e parë të këtij vendi, i cili kishte lindur në 14 shkurt.
Dhe me kalimin e kohës kur ndikimi i Islamit u rrit në vendet e Azisë Qendrore, traditat festive sovjetike filluan të zbehen aq sa shumë familje filluan të mos festojnë më, sepse mendonin se binin në kundërshtim me besimin e mylimanëve.
Lajmet për zhdukjen e Babagjyshit Acar nga kanalet televizive të Uzbekistanit, si dhe pemët e Vitit të Ri nga sheshet e qyteteve kanë shkaktuar debate të nxehta në internet. Disa thonë se qeveria nuk duhet duhet t’i ndalojë këto tradita që kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e kulturës uzbeke dhe se është një zgjedhje individuale festimi i tyre. Ndërsa të tjerë e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë, duke u shprehur se nuk e duan Babagjyshin Acar dhe as festimet e Vitit të Ri./Dorina Gjuzi