Vacke paralajmëron: Askush nuk ikën nga Dortmundi

redaktor

Robert Levandovski, i cili do të bashkohet me Bajernin, është  lojtari i vetëm që do të largohet nga Borusia Dortmund gjatë merkatos së verës. Shefi ekzekutiv i verdhezinjve, Hans-Joahim Vacke, paralajmëroi se veç polakut asnjë tjetër prej yjeve të skuadrës nuk do të ikë nga tetë herë kampionët e Gjermanisë. Dortmund ka humbur disa nga lojtarët kryesorë në vitet e fundit, duke filluar me Nuri Shahin më 2011 te Reali, tashmë i kthyer në huazim, për të vazhduar me Shinxhi Kagava te Manchester United më 2012 dhe Mario Gëce te Bajern më 2013, pasuar nga Levandovski më 2014. “Në mënyrë absolute nuk e shikojmë të nevojshme shitjen e lojtarëve që janë nën kontratë. Nuk do të ketë largime të tjera”, tha Vacke, duke iu përgjigjur zërave të shumtë që qarkullojnë për lojtarët e tij. Manchester United interesohet për Marco Reus dhe Ilkai Gundogan, ky i fundit i dëshiruar prej kohësh nga Real Madrid. Po ashtu, për Reus interesohet edhe Barcelona, që është përfolur si destinacioni i ardhshëm edhe për mbrojtësin Mats Humels. Në lidhje me Gundogan, Vacke thotë se klubi ia ka bërë gati kontratën e re: “Jemi të gatshëm për zgjatjen e kontratës së Gundoganit. Ka një ofertë mbi tryezë, por sigurisht që për vendimin nuk mund të presim deri në verë”. Kontrata aktuale e mesfushorit që ende është i dëmtuar skadon vitin e ardhshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *