Vrasja në Vlorë. Me këtë ritëm vrasjesh që ndodhin, nuk do habitesha që t’ju duhen pak sekonda për të kujtuar cila vrasje në Vlorë… A, po, ai që vrau me kallash 3 të pafajshëm se shkoi të zihej për të motrën të cilës ca fierakë i kishin kërkuar adresën e Facebook-ut. E mirë, e çë pastaj? Kurioziteti ka rënë, aq më tepër kur mediat në përgjithësi u mjaftuan me një deklaratë prindi dhe me transkriptimin e deklaratave në polici të aktorëve. Në një vend tjetër ngjarja do ishte shkriftuar për javë të tëra, çdo pjesëmarrësi në ngjarje do t’i ishte bërë një autopsi e fortë morale dhe shoqërore, derisa të mund të kuptonim “pse”.
Kurse media i ra shkurt, “u vranë për Facebook”. Publiku – kjo pasqyrë e medias që e informon – i ra shkurt dhe thjesht: “Ajo biba që u ankua te i vëllai se i kërkuan adresën e Facebook-ut”.
Mua nuk më duket edhe aq e thjeshtë. Në historinë me ca fierakë, disa vajza adoleshente dhe një vëlla psikopat, unë do doja të hiqja jashtë ekuacionit vajzat, dhe ta trajtoj këtë si një problem të gjinisë mashkullore. Ai krim është prej meshkujsh e me meshkuj. I pari është psikopati me kallash.
Djali me kallash
Njeriu mbetet pa fjalë kur lexon që një djalë fare i ri dhe shoku i tij, (nuk e kapa në media nëse dikush u mor me profilin shkollor të vrasësit – kam frikë se jo), të dy me një shkollim, pra, e punësim të dyshimtë, futen në një plazh dhe për çështje sedre (thonë pati grushte) nxjerrin kallashin nga bagazhi dhe grijnë me plumba gjithë plazhin, mes të cilëve 3 viktima të pafajshme.
Ky djalë, është produkt i drejtpërdrejtë i sistemit arsimor, i degradimit familjar dhe mbi të gjitha i mikrobotës së tij shoqërore. Djemtë si ky rriten duke dëgjuar tërë ditën biseda vrasjesh, sesi filani vrau atë e këtë, sesi filani 3 ditë në birucë nuk tregoi shokët, dhe duke adhuruar lloj-lloj mafiozësh që kanë bërë pará e sukses (Sukses? Po ja pra, pará…). Ai jeton në një botë ku sedra ngatërrohet me krenarinë, ku një fjalë goje shpërblehet me thika, dhenjë grusht me breshëri kallashnikovi. Mungesa e të ardhmes, bën që ai të mos ketë asgjë për të humbur, veç sedrës së lënduar. Dhe fap, ja ku del kallashi.
Nga ana tjetër, ai jeton në një shtet ku e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e të afërmin është vetëgjyqësia. Në momentin që po shkruaj, në lajme thonë se një mashkull kish marrë peng 2 të tjerë se i përdhunuan motrën e mitur. Jetojmë në një shoqëri ku femrat e pambrojtura janë detyrimisht të abuzueshme. Psikologjia “Berat ’97” vazhdon akoma. Ky djalë (pak rëndësi ka tashmë, shoku që shtiu apo vëllai i prekur në sedër që e urdhëroi të shtijë) është një vrasës, madje më keq, një vrasës i lig. Por, në fajin e tij nuk është vetëm.
Vajza mendjelehtë
Titujt e mediave, dukej sikur ta sugjeronin shkaktarin: Motra budallaçkë që fut në sherr meshkujt pse i kërkuan adresën e Facebookut. Për fat të keq, informacioni nga mediat na vjen kryesisht falë deponimeve të palëve në polici, ku secila palë – fierakët dhe vajzat – shtiret si një ëngjëll. Vetë media me ato tituj tenton t’i mëshojë banalitetit të ngjarjes, krijuar nga vajza. Por ashtu dhe publiku, ndjeva se e transferon “fajin” te vajza që u ankuaka te vëllai për dava Facebook-u. “Sa idiote”, “ja, ç’të bën femra”, “këto …llonjat”, “bibë”, etj., ishin përcaktime që qarkulluan në biseda e në blogje.
Finalja tragjike nuk na le hapësirë për t’u marrë me një fenomen social jo të vogël, që është pamundësia e një vajze të re apo një grupi vajzash të bëjnë të qeta jetën e tyre pa qenë nën shenjestrën verbale të “fierakëve”. I futa në thonjëza, sepse në këtë rast qëlluan fierakë, por shumë mirë mund të ishin dhe laçjanë, vlonjatë, tropojanë. Po vazhdoj t’u referohem si “fierakë” por pa thonjëza, pa dashur ta lokalizoj fenomenin. Para se të vij te vajzat e mbara e të mbrapshta, duhet të merremi pak me fierakët.
Fierakët janë shqiptarë, edhe kur janë të këqinj
Bëhet fjalë për shqiptarë të cilët nuk njohin pengesë para libidos së tyre. Do doja shumë që dikush të më sillte një shembull kur policia ndërhyn energjikisht nëse një vajzë ngacmohet verbalisht në rrugë. Duket, sikur këto nuk janë probleme rendi. (Një herë në jetën time kam tentuar të thërras policinë në ndihmë ndaj zhurmës së papërballueshme të fonisë së një dasme pranë shtëpisë sime, dhe përgjigja e policëve ishte “ça t’i bëjmë, ne i thamë njëherë. Ai [i zoti] e ngriti prapë [zërin]. Fundja, s’ka faj, ka dasëm!”)
Duket sikur policia është aty vetëm për t’u përgjigjur në rast vrasjesh e për të të detyruar të hapësh krahun në rrugë kohë e pa kohë. Shqetësimi verbal i një femre, deri dhe në kontakt fizik, në mentalitetin e shqiptarëve nuk është as krim e as problem. Aq më tepër, kur një grup vajzash kanë ardhur në plazh. Po t’i ngacmosh në rrugë, mund të bëjnë sikur s’dëgjojnë e të ikin me hap të shpejtë. Në plazh, njeriu shkon për të ndenjur, e jo për të ndërruar shezlongje çdo gjysëm ore. Le që, ku të shkosh? Ka fierakë gjithandej.
Duket sikur meshkujt shqiptarë nuk dinë (a nuk duan) të kuptojnë që të kesh çadrat ngjitur në plazh nuk do të thotë se ke të drejtën e miqësisë, e që vajzat nuk mund të ngacmohen sa herë që i sheh vetëm në shezlong, larg syrit a pranisë të meshkujve të afërt. As policia, as gjykata e as shoqëria shqiptare nuk e ka kuptuar akoma se “jo”-ja e një femre është “JO”, dhe se çdo abuzim verbal a fizik përtej kësaj JO-je është krim. Ky standard perëndimor është një detyrim, sidomos për ne që duam të asociohemi!
Për t’u kthyer tek situata në plazh, as policia e as të “zotët” e plazhit nuk të dalin në mbrojtje, e ku një femër mbetet e vetme ndaj agresionit verbal të fierakëve të përndezur, që minimalisht mund të jetë shqetësues, por mund të kalojë edhe në nevojën e tyre për të të prekur me dorë. Ndaj, o duhet ta lesh plazhin e të ikësh që të biesh rehat, o duhet t’u qahesh meshkujve të familjes.
Në të dy rastet, ajo që u kërkojmë ne femrave është të ulin kokën, të pranojnë dhunimin e të mbyllin gojën që të mos “krijojnë” probleme. Ato? Probleme? Madje, nëse një femër nuk tregohet aq e kujdesshme, menjëherë shoqëria (plus dhe femrat e tjera) ngrenë kurthin e kategorizimit.
Vajzat e mbara e vajzat e mbrapshta
Di histori femrash që kur janë në klube nate provokojnë meshkujt që pastaj të thërrasin në ndihmë dashnorët (shpeshherë burra të martuar) ndaj provokuesve. Duket, i eksiton adrenalina e burrave që rrihen për to. Di dhe histori femrash që janë përdhunuar e dhunuar, dhe nuk kanë guxuar të flasin, sepse faji do binte gjithsesi mbi to. Shoqëria jonë akuzon: “Vetë e ke fajin se veshe minifund”.
Sigurisht, rreth nesh ka vajza të mbara e të mbrapshta, por, e drejta e tyre është një dhe e vetme: Kur thonë “jo” është “JO” dhe kushdo që e kalon këtë cak, ka bërë krimin/fajin fillestar. Me dashnorët e ndezur e luftarakë të vajzave të mbrapshta, le të merret ligji a bodigardët e lokalit, por shoqëria jonë duhet të ketë vetëm një standard për femrën – atë ku ajo, qoftë “e mbarë” apo “e mbrapshtë” ka garanci ligjore se është e mbrojtur dhe garanci shoqërore që nuk do jetë apriori e paragjykuar.
Prapë për fierakët
Jetojmë në një shoqëri ku njerëzit vriten për një gardh. Ne merremi me vrasësit, duke neglizhuar shkakun – gardhin. Pse prona është aq jashtë ligjit, sa askush nuk di ku janë gardhet? Pse jeta e dy fiseve varet vetëm nga ai gardh? Zgjidhja e këtyre dy pyetjeve, do të zgjidhë dhe krimet për një vijë uji.
Po jetojmë në kohën e një genocidi ndaj femrave. Po i vrasin përditë, në sytë tanë. Vrasin? Jo, po i therrin si dele. Ngaqë u kemi kërkuar non stop, që sa lindin, që të sillen si vajza “të mbara”. Të mbyllin gojën, të ulin kokën, e të mos i ankohen njeriu kur abuzohen.

More,po sikur nuk ka qene keshtu Salbania para disa vitesh…..
Vajzat mund ti binin Shqiperise rrethe qark..naten e diten dhe jo fierak qe nuk guxonte..por as tropojan…nuk u kerkonte dot “adresat neF….B”.
Me sa me kujtohet mua Fierit atehere i “hidhte nje sy” polici i Vlores…Lushnjes i hidhte nje sy polici i Beratit…!!!
E çuditeshme..si u bene keshtu keta lalucet…!
Autori shkrimit ka kapur disa pika delikate dhe të vërteta të fenomenit të dhunës në shoqërinë shqiptare.
Me ardhjen e demokracisë, presupozohej që dhe emancipimi i shoqërisë do ishte gjithpërfshirës, e jo vetëm në kryeqytet. Por në fakt ky tranzicion për së prapthi, ka bërë që shoqëria jonë të bëjë hapa mbrapa përsa i përket respektimit të disa vlerave njerëzore, e cila në vend që të bëjë hapa para e të jetë mendjehapur, përkundrazi po zhvillon disa fenomene që më parë ndoshta nuk ekzistonin ose ishin shumë të kufizuara. Kuptohet që Përparësitë e vendosura nga një shoqëri post-totalitariste, kanë rezultuar jo efikase. Sepse është luftuar në të gjitha drejtimet e nivelet, vetëm për pasurimin sa më të shpejtë dhe maksimal në vlera materiale, duke lënë si në harresë e duke përçmuar në shumë raste, vlerat njerëzore. Në plan të parë ka dalë qëllimi, për arritjen e të cilit ne justifikojmë çdo lloj mjeti makiavelist.
Për fenomenin në fjalë, këto forma ngacmimesh midis adoleshentëve, ndodhin në të gjithë botën edhe në atë perëndimore. Por ndryshimi është se atje, siç thotë dhe autori “Jo-ja është “JO” dhe nuk diskutohet më. Problemi mbyllet aty. Pra ka disa vlera të komunikimit midis qenieve njerëzore të cilat respektohen.
Në këtë drejtim shoqëra shqiptare ka shumë për të mësuar. Vetë sistemi edukativ në shkolla, por dhe jashtë saj, komunikimi midis personaliteteve, komunikimi ndër-institucional apo komunikimi në media, shpesh herë një handikap i thelluar, nuk japin asnjë shembull edukativ praktik për tu ndjekur nga shoqëria civile.
Shqetësimi që ngrihet nga autori për moshat e reja dhe përse pikërisht këta janë kaq të dhunshëm, nuk është për tu çuditur. Filloni nga viti 1990. Rregjimi u përmbys me dhunë. Dhuna vazhdoi në 1992, 1995, 1996, 1997, 1998. Vrasje pa fund të përditshme. Armatosja e popullsisë bëri që popullsia të jetë vazhdimisht nën kërcënimin e armëve. U bë e modës, për çdo sherr del një kallash që e zgjidh konfliktin. Jeta u barazua me një fjalë goje. Vrasje pa u menduar dy herë. Pushtetet që ndërroheshin nën një klimë gjithnjë të tensionuar, bile dhe me vrasje. Larje hesapesh. Zhdukje në drejtim të paditur të kriminelëve. Pra strukturohet një klimë aspak e favorshme për një edukim brezash mbi baza respekti dhe vlerash njerëzore. Vazhdon situata dhe në ditët e sotme, ku nuk kemi përmirësim të dukshëm të gjendjes, përkundrazi, privilegjet e një shtrese të caktuar konsiderohen si të përjetshme dhe të mirqena. Pra brezi 20 vjeçar i lindur në dhunë, i rritur në dhunë, i mësuar tashmë vetëm me dhunë, nuk ka dhe shumë alternativa që sistemi ti imponohet me respekt dhe me shembuj konkretë të një shoqërie të qytetëruar.
Ky respekt dhe qytetërim, fillon së pari në sistemin institucional, shkollor, arsimor, familjar dhe pastaj kultivohet vetvetiu tek adoleshentët, rinia dhe gjithë shoqëria.
o maloku na rrofsh bidonat e kosit kur njeh dhe ti euro
te eshte drejtuar koka nga jasteku kercu
ta them une edhe tre breza ate forme koke do keni
SHQIPERIZIME:
-Ai e parakaloi gjate udhetimit.Tjetri i dha gaz makines dhe nxorri nga poshte sediljes kallashin dhe ja derdhi trute rivalit ne ecje e siper.
*
-Perse me shikon ashtu…????
Tjetri…..
-Atehere ai nxorri nga poshte banakut kallashin dhe ja persheshi trute ne tavoline.
*
Gruaja nuk ja mbushi plot goten e rakise..
Ai hapi frigoriferin…nxorri qe andej kallashin dhe ja mbushi trupin me plumba…
*
-SALIU me XENIN flene mbi pare shqiptaret poshte jastekut kane kallashin!
Respekt per çdo GERME qe ka shkruar KOLORETO CUKALI. Kete gjykim e kam shprehur qeate dite ne nje rreth miqesor dhe mu hodhen ne fyt: fajet i ka vajza, po te mos kishte fol nuk do iishte bere kjo qe u be etj. etj. JO! Çdo njeri duhet te jetoje jeten e vet pa pasur frik nga fierak,tropojan, laçjan, lazaratas apo kosovar qofshin. Une po te isha motres time ashtu doti dilja ne mbrojtje kur s’ka shtet ne funksion. E keqja me e madhe eshte MUNGESA e shtetit.
Lalucet ??!! ,pse ti nuk e di qe ata jane niperit tane ,,,,,,,,,,,,,te leberve !
Vajten pese fierake ne Tirane dhe ndaluan tek Zogu i Zi.Pse atje?! Po ku ka tjeter Zog?! U ulen ne nje klub(e ç’mund te bejne tjeter 5 fierake nga Kavaja).Pas do dekikash ia mberriten 8-9 tropojane(asnjehere s’u dihet numri fiks),edhe ata levizin ne grupe e ku te uleshin tjeter perveç klubit.Erdhi i zoti i klubit,12-13 kafe porositen,ca me shllak,ca makjato,ca me shkume e ca me bisht;beri 12-13 kafe te ndryshme ky,por asnjerit prej fierakve dhe tropojaneve s’i vajti mire kafeja.Fieraket filluan te ndezin cigaret,erdhi i klubaxhiu dhe u tha qe ndalohej tymosja e ai rrezikonte te gjobitej.Fieraket ngriten supet;ku qe problemi ketu?Gjobitja ishte problem i klubaxhiut,jo i tyre.Tropojanet filluan dhe ata te tymosnin duke e siguruar jgithe mehallen qe gjersa te ishin ata ne lokal nuk kish burre nene t’i gjobiste,se ata ishin kryeministria dora vete.Filluan tropojane e fierake te shkembenin llogje per te fortet e zonave,shkembyen dhe adresat e Facebook-ut e premtuan se te shtune per te shtune do takoheshin tek ky lokali i Zogut te Zi per t’ia nxjerre”zine”Tiranes.Pasi u bene miq dhe ngulmuan qe sekush te qeraste tjetrin,mbaroi kjo pune duke mos paguar asnjera pale,klubaxhiu thirri grupin e gatshem te lagjes,qe u nisen me tre tanke dhe dy avione ne formacion luftimi.Tropojane e fierake nxorren pistoletat dhe mitrolozet nga bagazhi i makinave dhe bene nje lufte njeoreshe ne mes te Zogut te Zi gjersa u mbaruan municionet.Mediat raportuan se ngelen te vrare dy byrazere nga Kardhiqi i Kurveleshit,ndersa policia njoftoi se ushtrite qe morren pjese ne beteje iken ne drejtime te paditura.Kryeministri shkroi ne Facebook qe merita e madhe e qeverise qendron ne faktin se ka hequr sherbimin e detyrueshem ushtarak dhe praktiken e zborit,se ndryshe do kishim shume me teper viktima,biles edhe dy byrazeret u vrane aksidentalisht,pasi rregullorja e botuar ne fletoren zyrtare parashikon qe kalimtaret te mos i afrohen betejave ne akt.Presidenti deklaroi ne emisionin 365 grade qe shkaku kryesor i ketyre luftimeve te shpeshta duhet te jete kafeja,qe ka permbajtje kafeine e shkakton efekte haluçinante.Ai tha gjithashtu qe fieraket nuk kane nishan.Zedhenesja e zedheneses se Ministrise se Mbrojtjes deklasoi se Zogu i Zi ishte pastruar nga mbeturinat e gezhojave ne kohe rekord,sipas standarteve te Nato-s dhe kjo sasi u çua per skrap pas nje tenderi te paracaktuar.Nderkaq,ne tere klubet e Fierit kane shpallur Tropojen non grata dhe po ashtu,ne kunderpergjigje,Tropoja,Gjakova dhe Prizreni kane shpallur Fierin e Veriut No Fly Zone.
Analize perfekte!
Problemi eshte qe ata si puna jote, Koloreto, ata pra qe jane me kulture, me mend, me vizion te plote e te artikuluar te shoqerise, ata me bote, e shterojne kohen e tyre duke uleritur ne shkretetire.
Nderkohe qe “fieraket” shkojne (kur shkojne…) ne shkolla me mesues analfabete, jetojne ne qytete a fshatra me kryebashkiake kriminele e mafjoze, jetojne ne nje vend me qeveri feudale hajdutesh qe nuk e çan by…en per asnjerin nga ju shqiptaret e Shqiperise.
Por kulmi eshte qe as ju, shqiptaret e Shqiperise, nuk e çani me me te vertete by..en per vendint tuaj!
Koloreto, nese ti dhe te gjithe ata si ty qe jetojne ne Shqiperi por mendojne si qytetare te botes, do te vazhdoni te ulerisni ne shkretetire, “fieraket” do vazhdojne te grijne me kallashin e budallallikut fatkeqet e pafajshem te plazhit kaotik shqiptar.
“Koloretot” jane te çmuar per t’u perdorur ne mekanizmat e mendjendryshimit shqiptar (nese do do kete ndonjehere ndonje meanizem te tille…), jo ne qoshet e edonizmit vetekenaqes te intelektualeve te rinj te Tiranes.
Shkrim me nje elegance retorike kristaline!
Autori ka bere shkrim te goditur por shpellari eshte kryesori per degradimin e shoqeris dhe shtetit plus zhelefina me majlinda bregun qe kerkonte vota ne 2005 me trupin e saj
Shqetesim serioz qe preku shoqerine shqiptare qe ne fillim vitin 1991, i cili kuptohet qarte e lehte në letrën e mëposhtme, të zonjës Vera Isaku , të cilën po e riprodhoj pa koment paraprak: “Letër e hapur zotit Bashkim Kopliku”, shoqëruar në krye me thënien e mençur të shkrimtarit kosovar Ali Podrimja: “Asgjë mos rrit, asgjë mos krijo me dhunë”. I nderuar zoti ministër, E ndërgjegjshme për vështirësitë dhe përgjegjësinë e detyrës që mbani, por që i kushtuat një betim, do të desha t’ju kujtoja se në qoftë se postet e tjera njerëzit i dëshirojnë në fshehtësi, posti juaj, “lakmohet” haptas. Për të shmangur ndonjë keqkuptim ju kujtoj se shpesh herë shqiptarët i dëgjon të thonë: “Ah sikur të ma linin mua Ministrinë e Rendit vetëm për tri ditë!” Në këtë frazë përfshihet gjithë rëndësia, përgjegjësia, besueshmëria dhe obligimi ndaj asaj detyre që është bërë urgjente prej kohësh dhe për të cilën psherëtijnë të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm shqiptarët, por që ju besua juve, zoti Kopliku, nga qeveria e Shqipërisë për herë të parë demokratike. Unë mendoj, por edhe të gjithë mendojnë se sigurimi i rendit do të jetë vija e startit prej nga do të niset populli shqiptar pa dallim ideje: pjesa demokratike, socialiste, republikane e të tjera pjesë drejt demokracisë së vërtetë, drejt Evropës. Në demokraci hyjnë të lodhur, të përgjumur; testime nervash, paragjykimesh ka e do të ketë. Të gjithë do të bënin këtë e atë, ashtu e kështu, po të ishin në vendin tuaj. Po ju, që jini në atë vend, nga do t’ia nisni zoti ministër i Rendit, sepse me të vërtetë do ta kini të vështirë me një popull të zhgënjyer politikisht, të lodhur ekonomikisht e të pafe prej shumë vjetësh. A thua do t’ia nisni nga hotel “Tirana”, në Tiranë, një incident në të cilin me nxiti t’jua shkruaj këtë letër? Sepse, zoti ministër, isha pikërisht në mesin e hollit të këtij hoteli luksoz, në mes të Tiranës, kur dy barbarë leshpalarë e thikamprehur kërcënonin me vjedhje e përdhunim një ish-nxënësen time. Në mes të hollit, në mes të ditës, në mes të njerëzve, në mes të policëve, zotëri. Mosndërhyrja e njerëzve për ndihmë tregon edhe njëherë se sa thellë ka hyrë e keqja në racën shqiptare dhe sa vështirë do ta keni ju. Po indiferentizmit të punonjësve tuaj me rroga 30 000 lekëshe, indiferentizmit të punonjësve ndaj lotëve të asaj vajze, ndaj lotëve të ish-nxënëses sime, si do t’i bëhet, zotëri? Ndihmojeni popullin, pra, që t’ju ndihmojë, ndihmojeni të ndjehet i sigurt. Pozitën tuaj e kuptoj si atë të Uliksit midis Shillës dhe Haribdës. Të tregoheni i rreptë, do t’ju quajnë diktator, të tregoheni i butë do t’ju quajnë të paaftë. Mbetet vetëm të zbatohet ligji. Zoti ju ndihmoftë në punën tuaj për zbatimin e ligjit! Po ç’dënim parashikojnë ligjet tona për lotët e një vajze? Para një muaji një vajzë tjetër, shumë e re e shumë e brishtë solli një shkrim kundër përdhunimit në “RD”. Arsyeja që nuk po botohet është jo sepse ishte shkrim i dobët jo, por sepse unë, grua me thinja, s’munda ta lexoj dot deri në fund. Më dhembi dhimbja e saj, s’munda ta lexoj deri në fund nga ngashërimi, zoti ministër, dhe s’mundem ta lexoj akoma. Vajzat kërkojnë ndihmë . A kanë vajza policët me spaleta? A kanë vajza, a kanë gra, nëna, motra shqiptarët? Ata përdhunuesit, por edhe indiferentët që e kanë më kollaj të durojnë dhimbjet e të tjerëve se sa të vetat. Ata që i tremben dhunës duke i lënë vajzat e gratë nën dhunë”? E, pra, duhet ta dinë mbas 50 vjetësh dhune, duhet ta dinë se në këtë botë vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët. Zoti ua lehtësoftë punën, zoti ministër, sepse metastazat e dhunës kanë avancuar shumë. Se çfarë parashikon ligji juaj, ligji ynë për një mësues matematike në një nga gjimnazet e Tiranës, që kërcënon me ulje të “mesatares së Enver Hoxhës” në qoftë se një nxënëse 16-vjeçare nuk i jepet atij? Ky babagjysh i numrave i përgatit kështu një surprizë erotike e aspak didaktike nxënëseve të veta. Po ku ta dijë ky plak topall e ashik se ç’surprizë i kanë përgatitur prindërit e kësaj vajze? Dhe pastaj ka për të qenë e vështirë, zoti Kopliku, për organizmat tuaja që të gjejnë gjurmët e krimit. Pothuaj përditë kemi testim nervash, u strehuam (mundet që kjo fjalë të jetë shtypur gabim, mbase duhet “stresuam”-H.L.)-vjedhje, grabitje, vrasje me sende të forta, me thika, me plumb, puthje me përdhunë, kullat e ngujimit po rimbushen përsëri, kërcënime si në Ciklin e Mujit e Halilit për martesa me rrëmbim. Imunë u bëmë ndaj çdo akti gjëje. Zoti Bashkim, A t’ju them diçka në besim, në fshehtësi? Prania në akte të tilla dhe pëshpërima e njerëzve që për të gjitha këto bëjnë fajtore demokracinë, atë të brishtën, timen, tënden, tonën janë çastet e vetme që më bëjnë të psherëtij “Zoti im, po se do të vazhdojnë akoma këto gjera, bëmë mirë apo keq që e sollëm demokracinë?” Dhe më besoni, këtë dilemë nuk e kam pasur kurrë, as në kohën e antimitingjeve. Si realiste e moderuar e kuptoj se sa të jetë bota, lot e psherëtima do të ketë, ndërsa si nënë, si grua, si motër, si një nga gratë e para të radhitura prodemokracisë, duke e konceptuar luftën kundër komunizmit, në radhë të parë si luftë kundër dhunës, rezervoj të drejtën t’ju kujtoj juve, punonjësve tuaj, forcave demokratike, por edhe atyre jodemokratike, t’i kujtoj popullit tim se duhet lëvizur. Vera Isaku (nënë dhe grua)
Ky shkrim nuk ka nevoje as per sqarime, as per komente, as per “katalizatore”. Cukali “ka qendisur” mbi nje plage mesjetare shqiptare ku sherbimet e sigurise i ka mbuluar terri miopik i zbulimit e parandalimit te ketyre fenomeneve provinciale fshatareske apo mbijetese ne nje xhungel perdhunimesh epshore kafsherore, ku nuk ben dallim lloji. Pergezime autorit, ndonese riprodhova nje shkrim te zonjes Isaku. Apel shtetit e shoqerise per sigurimin e jetes njerezore, e cila ketu, ne vendin e shqipeve, duket se ka koeficientin me te ulet.