Në një ambient ku atmosfera është e ndezur duket sikur ato këndojnë mes “zjarrit”. Gerta dhe Rudina janë dy këngëtaret më të reja të jetës së natës në kryeqytet. Çdo fundjavë, ato kanë repertorin e tyre me të cilin argëtojnë publikun. Nuk janë pompoze, por të thjeshta, nuk janë grifsha, por fine. Kanë zgjedhur të kenë këtë profil të tyrin me të cilin ndihen mirë. Sot i kemi ftuar në “Dita” dhe kemi folur më gjatë me njërën prej tyre, Rudina Delia, për të na treguar më shumë për veten dhe punën si këngëtare.
Është puna e dy vajzave të reja që netëve të vona me zërin që shpërndajnë i bëjnë shumë të tjerë të harrojnë “hallet” e ditës. Prej disa muajsh, ato janë pjesë e një “lokali nate”, ku shkojnë të rinj dhe jo vetëm. Përpara se të ishin pjesë e këtij stafi, vajzat vinin nga talent-shou apo edhe programe muzikore televizive që e praktikojnë muzikën e gjallë, por të qenit aktive çdo javë nuk e kishin provuar.
Vjen një moment kur çdokush nga profesioni duhet të nxjerrë të ardhura, dhe Rudina dhe Gerta janë në fazën që po ia vjelin fytet punës dhe talentit të tyre.
Secila nga këngëtaret ka pasur një rrugë të ndryshme nga tjetra deri më tani. Daljet e tyre nuk kanë qenë të bujshme, por cilësore. Kualiteti i zërit është vlerësuar gjithmonë. Pikërisht për këtë, ato u thirrën edhe nga Aurela Gaçe, duke u bashkuar asaj në performancat e përjavshme në një nga klubet më të famshme tani të Tiranës. E themi këtë (të famshme), pasi aty kanë shkuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek deputetë, ministra e ambasadorë fuqiplotë, guvernatorë banke (mjafton, besoj).
Rudina, ç’farë do të thotë për ju të këndoni në një club live?
Të këndosh “live”, vetvetiu të çon të prekësh drejtpërdrejt emocionin e muzikës. Të këndosh në një klub “gjallë” siç është ambienti ku unë këndoj, në krah të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare, sikur Aurela Gaçe dhe vëllezërit korçarë, do të thotë edhe më shumë. Të punosh me artistë të këtij kalibri, me një eksperiencë të gjatë muzikore, është si i thonë, të kesh mundësinë të mësosh ato “sekretet e vogla të profesionit” e të marrësh më të mirën nga puna.
Ju kemi dëgjuar që këndoni më së shumti shqip…
Profili im është të këndoj së pari muzikën shqip, e më pas muzikën e huaj, atë pop, rrock and rroll, jazz etj.. Të gjitha këto kanë qenë prezente në repertorin tim. Gjithnjë e kam thënë: e kënduara “live” është një shkollë më vete për një këngëtar. Aty ke mundësinë të përjetosh emocionin e drejtpërdrejtë me publikun.
Të dalësh çdo fundjavë të duhet edhe të qëndrosh në formë apo jo ?
Është pjesë e natyrës sime të qenit energjike. Të qëndruarit në formë vjen shumë natyrshëm tek unë. I kushtoj rëndësi dhe kujdes të mjaftueshëm do të thosha edhe veshjes e pamjes sime të jashtme, por puna me vokalin merr prioritetin maksimal.
Rudina, gjatë ditës ju jeni në punë, pranë Teatrin e Operës dhe Baletit, netëve duke kënduar në lokale. A keni kohë të lirë?
Nuk ka aq kohë për mua sa të mendoja diçka jashtë muzikës. Çdo moment i jetës sime është instinktivisht i lidhur me muzikën edhe në formë indirekte. Dita ime e zakonshme është prezenca dhe puna me zërin në “Teatrin e Operës” puna me repertorin live. Projektimi i së ardhmes në lidhje me muzikën… Kam krijimin e disa këngëve të mia që janë aq shumë sa do thosha që për mua nuk ekziston një ditë e zakonshme.
Ju punoni edhe me krijime këngësh, si është ai momenti kur lind diçka në kokën tënde, momenti i krijimit?
Një këngë lind nga një fluks emocionesh të akumuluara, të cilat derdhen në tinguj. Janë momente të cilat nuk kanë orë e as kohë të caktuar, thjesht frymëzime të cilat duhen pritur në çast që të mos humbasin. Të shkruhen apo të regjistrohen direkt ato bulëza melodie të ardhura natyrshëm. Për mua nëse një melodi apo çdo lloje krijimi mendohet shumë gjatë, atëherë bëhet skematike, e thatë e pa emocion. Të krijosh muzikë është sikur të rilindësh një copëz tënden. Gjithçka duhet të jetë e ndjerë! Dhe me patjetër muzika, teksti, orkestrimi duhet të jenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Këngëtarët përgjithësisht kanë një ëndërr për të kënduar në skena jashtë Shqipërisë, e keni edhe ju këtë dëshirë?
Sigurisht, ajo që dua tani është që t’i jap mundësi vetes të provoj skena më të mëdha se ajo e Shqipërisë. Aty ku ka një treg, ku ka mundësi edhe më të mëdha për një këngëtar. Të jetosh vetëm me muzikë në Shqipëri është një luks.
Lë të themi të vërtetën e t’i qëndrojmë përballë realitetit. Muzika në Shqipëri nuk ka një treg të mirëfilltë. Këtu artisti duhet të bëjë gjithçka vetë dhe e gjithë shpërblesa që merr ai limitohet vetëm t’i qëndrojë pranë publikut. Por një artist nuk është një punëtor krahu, duhet me patjetër të marrë vlerësimin dhe shpërblesën e merituar në çdo aspekt, në të kundërt ekzistenca dhe uni vihen në krizë.
Gerta Mahmutaj
Vendlindja: Tiranë
Mosha: 22 Vjeç
Ditëlindja: 19 Korrik 1992
Është një ndër këngëtaret më të reja shqiptare. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në disa nga festivalet tona në Shqipëri. Në vitin 2008 paraqitet në “Top Fest 5” me këngën “Vera”. Pas këtij viti, ajo u paraqit në festivalin “Kënga Magjike”, në vitin 2009 me këngën “Ti asnjëherë”, ku arriti të nominohej për çmimin “Magjia e Parë”. Po në këtë festival, ajo u paraqit në vitin 2010 në një bashkëpunim me vëllanë e saj, Klejti Mahmutaj, me këngën “Në ditar një dashuri”, ku morën çmimin “Çesk Zadeja”. Në fund të vitit 2011, ajo mori pjesë në Festivalin e 50-të në RTSH-së me këngën “Pyete zemrën”, ku arriti deri në finale. Po ashtu, ajo në vitin 2012 mori pjesë sërish në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Përgjithmonë ata”. Tani, së bashku me Rudinën, këndon dhe është aktive në një nga lokalet e natës në Tiranë.
kam ne p.c. kenge te tefta tashkos te kenduara mrekullisht nga rudina delia
suksese te dyjave
Pune karaokesh, e kujt i ka plas per to.