Kanceri i qafës së mitrës është një ndër tumoret e shpeshta që rrezikon shëndetin e femrave edhe në vendin tonë. Diagnostikimi i vonë i kësaj sëmundjeje, si dhe mosvaksinimi i vajzave që në moshën e adoleshencës, ka bërë që gjatë viteve të fundit numri i pacienteve të prekura nga kanceri i qafës së mitrës të jetë në rritje, e për shumë prej tyre, sëmundja zbulohet në stadet më të rënduara, kur edhe trajtimet mund të mos jenë efikase në masën e duhur. Strukturat spitalore në vendin tonë raportojnë me qindra raste të reja të kësaj sëmundjeje çdo vit,gjatë një inspektimi në qendrën shëndetësore nr.2 në kryeqytet.
Por, a mund të parandalohet kjo sëmundje? Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se vaksinimi i vajzave të moshës 12 vjeçare është një zgjidhje efikase në parandalimin dhe reduktimin e rasteve me kancer të qafës së mitrës. Prej vitesh, kjo vaksinë qarkullon edhe në vendin tonë dhe prindërit janë detyruar që ta blejnë në rrjetin farmaceutik. Përkundrejt rrezikshmërisë që paraqet kjo sëmundje, me vendimin e marrë së fundmi nga dikasteri i Shëndetësisë, kjo vaksinë duke nisur nga viti i ardhshëm do të jetë pjesë e Kalendarit Kombëtar të Detyrueshëm të Vaksinimit, dhe do të ofrohet falas për të gjitha vajzat në vend. Ka qenë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli që ka konfirmuar dje gjatë një inspektimi të bërë në qendrën shëndetësore nr.2 në kryeqytet, se në kalendarin e vaksinimit do të përfshihet vaksina kundër human papilonavirusit, e cila do të jetë falas për të gjitha vajzat në moshën e paraadoleshencës.
“Në Javën Botërore të Imunizimit ne kemi një lajm të mirë për të dhënë. Kemi vendosur që në vijim edhe të rekomandimit të Komitetit të Vaksinimit, të përfshijmë në Kalendarin tonë Kombëtar të Vaksinimit dhe një vaksinë të re, vaksinën kundër human papilomavirusit që është shkaktar i kancerit të qafës së mitrës. Një vaksinë, e cila tashmë është në të gjithë kalendarët europiane të vaksinimit, dhe që realizohet si vaksinë në moshën paraadoleshente te vajzat. Përfshirja e kësaj vaksine, duke filluar nga viti i ardhshëm, nga viti 2023 në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit, do të rrisë mbrojtjen për vajzat sot, gratë nesër, në mënyrë që të shmangim një kancer i cili është shumë i rrezikshëm, kancerin e qafës së mitrës”, bëri me dije ministrja Manastriliu.
Sipas saj kjo, është një prej vaksinave jetëshpëtuese, pasi ka një efektivitet shumë të lartë dhe ul kostot financiare të familjeve. “Përfshirja e vaksinës HPV tek vajzat do të na japë një garanci rreth 99 për qind që do të kemi një reduktim të riskut ndaj kancerit të qafës së mitrës. Studimet kanë treguar që edhe efektiviteti vetëm me një dozë e vaksinës kundër Human Papilomavirusit redukton deri në 89 për qind rrezikshmërinë ndaj kancerit të qafës së mitrës. Sot ka familje që e blejnë këtë vaksinë, nga 2023 ky do të jetë një investim i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbrojtjen dhe shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.
Siguria e vaksinës
Duke e konsideruar këtë një ndër investimet më të rëndësishme në shëndet, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, ka bërë me dije se kjo vaksinë është e sigurt.
“Ky është një vendim i jashtëzakonshëm dhe një lajm shumë i bukur për të gjithë nënat dhe vajzat, por edhe për ekspertët e shëndetësisë, pasi kurorëzon një përpjekje prej kaq vitesh në lidhje me përgatitjen për futjen e kësaj vaksine me kapacitetet laboratorike, me infrastrukturën, studimet dhe investimet që aktualisht janë bërë për zinxhirin e ftohtë në kuadër të Covid-19, të cilët na bëjnë të aftë që edhe këtë vaksinë ta ruajmë në kushtet e duhura. Është vaksinë tepër e rëndësishme, e cila parandalon infektimin nga ky virus. Duke kryer këtë vaksinë vajzat të cilat janë të vaksinuara nuk mund të infektohen me ato viruse që janë shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës. Është një vaksinë e sigurt për të cilën janë kryer një sërë studimesh dhe vlerësimesh, e aplikuar në të gjitha vendet e BE dhe shumë vende të tjera të globit”, tha Bino.
Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se në kuadër të parandalimit të shumë sëmundjeve, kalendari i vaksinimit për fëmijët është përforcuar gjatë viteve të fundit. Vaksina ndaj infeksioneve nga rotavirusi, e cila është futur në kalendarin e vaksinimit në 1 tetor 2019 është kryer në masën 98 për qind të fëmijëve në vitin e parë të jetës dhe është një vaksinë me dobi të jashtëzakonshme në uljen e hospitalizimeve nga infeksionet e shkaktuara nga rotavirusi. Pas përfshirjes së testit HPV falas në qendrat shëndetësore, programi i vaksinimit do të zgjerohet me vaksinën e 14 në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit, atë të HPV, që aplikohet tek vajzat në moshën e para-adoleshencës dhe është jetëshpëtuese pasi parandalon kancerin e qafës së mitrës.
“Në objektivat e rëndësishme të përcaktuara për dy vitet e ardhshme sa i takon vaksinimit janë: Përmirësimi i programit të vaksinimit duke rritur numrin e vaksinave për të parandaluar sëmundje infektive, të cilat kanë një peshë të rëndësishme në shëndetin publik, si ato për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe parandalimin e meningiteve nga meningokoku tipi B dhe të tjera sipas vlerësimit të riskut për vendin tonë”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik.
Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?
Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane- HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë.
Kush rrezikon më shumë nga kjo sëmundje?
Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksual të shumtë, ka partnerë të cilët kanë patur shumë partnere seksuale, kur kanë patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, kur përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët.
Simptomat paralajmëruese të kësaj sëmundjeje
Shumica e infeksioneve të shkaktuara nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.
Rekomandimet si mund të parandalohet
Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit (kontrollit), si dhe vaksinimit. Depistimi dhe kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme dhe gjithashtu kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia
Çfarë është vaksina kundër HPV-së?
Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Aktualisht, në dispozicion janë disa lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër llojeve kancershkaktuese të HPV. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së. Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç. Ndërhyrje të tjera parandaluese përveç depistimit dhe vaksinimit, të rekomanduara nga OBSH si për djemtë dhe për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale e fillimi me vonesë i aktivitetit seksual, promovimi i përdorimit të prezervativit për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit, rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre e komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.
Trajtimi i kancerit të qafës së mitrës
Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë. Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë në të ardhmen. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
