Vaksinat tashmë diskutohen botërisht për një lidhje me shkakun që sjell autizëm tek fëmijët. Ky diskutim ka bërë që shumë prindër të vihen në vështirësi përballë regjimit të vaksinave. Të pyetur për këtë specialistët thonë se vaksina diskutohet si shkak që mund të ndikojë për shfaqjen e këtij çrregullimi.
Ilda Toçi, psikologe e qendrës së autizmit, shprehet se sa i përket shkaqeve ka disa diskutime ndër të cilat edhe vaksina e 18 muajve.
“Sëmundja e autizmit ka ecur me hapa të shpejtë, si dhe përqindja statistikore e studimeve që janë bërë tregojnë edhe shifra alarmuese. Duhet bërë një sensibilizim pa përhapur panik sepse të njohësh simptomat e sakta të autizmit nuk do të thotë që të gjithë fëmijët duhet parë me syrin që mund të jenë të prekur nga çrregullime të këtij spektri.
Tre janë fushat kryesore me anë të cilave mund të konstatojmë një fëmijë me autizëm dhe ato janë komunikimi, socializmi dhe gjithashtu sjelljet rutinore që ne i shohim shumë shpejt tek një fëmijë autik. Këto janë tre fushat ku bëhet një diagnostikim i saktë nëse një fëmijë ka.
Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Është folur më parë për shkaqe të tilla si ambienti dhe familja ku lind dhe rritet një fëmijë. Një nga shkaqet që ka marrë më shumë vëmendje, është vaksina dhe sidomos ajo e 18 muajve. Vaksina është menduar si shkak pasi ajo ka një sasi të madhe mërkuri dhe alumini.
Një nga demonstratat më të madha të prindërve në Amerikë ka lidhje pikërisht me vaksinat. Vaksina dyshohet pasi ka sasi të mëdha mërkuri dhe alumini, të cilat gjenden në sasi të mëdha tek një fëmijë me autizim. Akoma më shpesh po diskutohet dhe po bëhen studime që ky çrregullim ka kromozomale apo organike. Ndoshta nuk duhet të frikësohemi nga vaksinat, pasi ende kjo gjë nuk është përcaktuar nga studimet”.
Ndërkohë, Toçi shprehet se për ta dalluar duhet pasur kujdes nga specialistët qysh në konsultore.
“Ky çrregullim që nuk duhet të quhet sëmundje, mund ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Do të ketë nevojë shumë të madhe për të vazhduar më tej. Mund të dallohet që nga klithma e parë që jep një fëmijë. Simptomat më evidente janë pas 18 muajve të parë të jetës. Sigurisht zhvillimi i fëmijës shoqërohet me problematika nga më të ndryshmet. Trajnimet i takojnë kryesisht konsultoreve ku fëmija ndjek vizitat e para pasi ndoshta aty hasen sinjalet e para të autizmit”.
Elbasani numëron një numër të madh të fëmijëve me autizëm. Nga një vëzhgim në një numër prej 2038 fëmijësh në vitin shkollor 2011-2012 të grupmoshës 3-6 vjeç në kopshtet publike rezultojnë 5.2 për qind me çrregullime të spektrit të autizmit.
Rreth 34 fëmijë me çrregullime të spektrit autik marrin shërbim në qendrën “Fluturo për jetën” në Elbasan. Në këtë qendër janë në shërbim të fëmijëve 5 terapiste, mes të cilave edhe një logopediste. Rekuperimi është i gjatë dhe i vështirë dhe kërkon shumë durim nga ana e prindërve, por e rëndësishme është që një fëmijë autik të kapet sa më parë të jetë e mundur, pasi kështu një fëmijë ka më shumë mundësi rekuperimi të komunikimit sesa në një moshë tjetër. Qendra trajton fëmijët nga 2-6 vjeç, sepse terapistët tanë janë të profilizuar për këtë grupmoshë.
Prindërit kërkojnë më shumë angazhim të shoqërisë për të përballuar vështirësitë që sjell ky çrregullim tek fëmijët e tyre.
Fatma Spahiu ka një vajzë autike. Ajo tregon se vështirësitë janë shumë të mëdha dhe kjo qendër ka lehtësuar punën e prindërve të cilët e kanë mjaft të vështirë të përballen me këtë sëmundje.
“Do t’i bëja thirrje të gjithëve të vazhdojmë së bashku këtë luftë që sapo ka filluar me qëllim që fëmijët tanë të ingranohen në shoqëri dhe të jenë si gjithë të tjerët”.