Vala e polemikave “përmbyt” javën e 19-të të Superiores

redaktor

Nisi faza e tretë e Kategorisë Superiore të Futbollit, me ndeshjet e javës së 19-të të saj që u shoqëruan në më shumë se një rast me polemika e pasazhe për tolerime. Kryesuesit dhe pretendentët për titull, Kukësi, Tirana e Skënderbeu vazhduan të mbajnë ritmin e fitoreve, aty ku e kishin lënë në fazën e dytë, ndërsa hap fals regjistroi vetëm Partizani që nuk arriti të marrë 3 pikët e fitores në ndeshjen me Laçin që u pasua nga polemika për tolerim të kurbinasve në fushë, pretendim që u hodh poshte nga drejtuesit e dy skuadrave Duro e Cungu, që thanë se rezultati 1-1 dhe loja e zhvilluar ne pjesën më të madhe të saj nuk justifikojnë pretendimet për tolerim rezultati. Një skenë e ngjashme i parapriu ndeshjes Laçi-Partizani, në stadiumin e Vlorës, ku Flamurtari vendas arriti të marrë një fitore të cilën drejtuesit e klubit vlonjat e refuzuan publikisht, për shkak të sjelljes së futbollistëve durrsakë në fundin e ndeshjes.

“Shthurjet” e Laçit dhe Teutës u shfrytëzuan në mënyra të ndryshme nga Flamurtari e Partizani, me kuqezinjtë që arritën të fitonin duke marrë tre pikët e ndeshjes e të kuqtë që u shfaqën të paaftë përpara portës duke humbur njëkohësisht dhe terren në renditje. Në fund dy tifozeri mbetën të pakënaqura, ajo e Vlorës për mënyrën si u arrit suksesi 2-1 ndaj Teutës dhe ajo e Partizanit, që nuk i pëlqeu as shfaqja futbollistike dhe as rezultati përfundimtar në Laç. Por përtej ngarkesës së polemikave, pati dhe një garë ku gjërat rrodhën normalisht, me Kukësin që fitoi për herë të tretë radhazi në këtë sezon ndaj Vllaznisë me shifrat 2-1 duke ruajtur vendin e parë në renditje dhe duke konfirmuar si goleadorin e Superiores, Pero Pejiçin, që shënoi golin e parë të ndeshjes.

Skënderbeu gjithashtu përmbushi pritshmëritë duke fituar në një “Elbasan Arena” të boshatisur ndaj vendasve me rezultatin e thellë 4-1, si për të treguar se faza përgatitore pa shumë shkëlqim në Spanjë është harruar, duke qenë se ato që kanë rëndësi janë rezultatet në Superiore më shumë sesa paraqitjet zhgënjyese në miqësore, pavarësisht se përballë kishin emra të mëdhenj. Tirana gjithashtu u përpoq t’i jepte ngjyra fillimit të saj në 2015 me një fitore të pastër 2-0 ndaj Apolonisë, ku vendosi Ndikumana. Tashmë do të jetë fjala e Komisionit të Disiplinës që do të shohë rastet e dyshuara që njollosën disi garën e kësaj jave dhe zvenitën shkëlqimin me të cilin u mbyll faza e dytë e Superiores. Gjithsesi java e 20 rikthehet fundjavën e ardhshme me duele edhe më të forta në fushë me këto përballje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *