Ka ndjekur studimet për mësuesi, më pas në Fakultetin e Drejtësisë, dhe studimet Master për të Drejtën Kushtetuese. Studente e Dhjetorit ‘90. Pjesë e grupit të punës për reformën institucionale dhe hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të vitit 1998. Experte në Këshillin e Europës për decentralizimin; aktiviste e shoqërisë civile; Presidente e Institutit të Politikave Evropiane për Zhvillim Rajonal; Ambasadore e Paqes dhe anëtare e Forumit të Qytetarëve Evropianë. Aktualisht është nën Kryetare e Frymës së Re Demokratike.
Më ka habitur fakti që duke qënë edhe nën kryetare e Frymës së Re Demokratike, nuk jeni kandidate për deputete?
Në partinë tonë ka rregulla shumë të qarta, konsensuale, të cilat kanë përcaktuar qartë pozicionimin e secilës. Kemi një grup të madh grash të cilat përfaqësojnë vlerat e vërteta të shoqërisë. Unë mora përsipër të marr rolin e nën kryetares, për të kontribuar në investimin e asaj që kërkon programi dhe misioni ynë politik.
A është e vështirë të koordinosh punën dhe përpjekjet e të gjitha grave në këtë fushatë elektorale?
Nuk është, pasi të gjitha gratë e FRD kanë një përgatitje të admirueshme profesionale dhe njerëzore. Dinë të marrin përgjegjësi dhe të delegojnë përgjegjësi.
Gratë shqiptare, a i pranojnë sygjerimet lehtësisht?
Si shoqëri duhet të pranojmë se kemi një mungesë të madhe të dialogut, pa e kuptuar ose pa dashur kemi futur një konflikt mes nesh i cili të gjithëvë do të na nxjerrë të humbur. Jeta njerëzore në të gjitha kohërat dhe qytetërimet ka në themel katër kolana kryesore. Qenia njerëzore u krijua për të jetuar në komunitet dhe për të jetuar në komunitet duhet të bashkëjetosh, për të bashkëjetuar duhet të kesh marrëdhënie, për të patur marrëdhënie kërkohen disa marrëveshje dhe realizimi i tyre vjen vetëm nëpërmjet dialogut. Dhe askush tjetër, më bukur, veç gruas nuk mund ta bëjë këtë…
Një grua kur guxon të marrë përsipër një sfidë të rëndësishme, a ndihet e kërcënuar?
Po, ky fenomen ekziston në shoqërinë tone, dhe një grua e kërcënuar sot, është një prapambetje dhe një humbje për të gjitha vlerat e shoqërisë shqiptare.
A ndihet sot e kërcënuar për të votuar siç do burri, fisi apo drejtori?
Po, ka mjaft raste, sidomos në zonat rurale.
A kanë pjesë të fajit edhe gratë për këtë ?
Duam apo s’duam difektet gjinden në të dy gjinitë. Një grua kurrësesi nuk duhet të tjetërsohet nga roli i saj. Nëqoftëse do të imponojmë rolin që kemi në shoqërinë tonë, ne kemi humbur përfaqësimin, modelin dhe pse jo misionin që na takon.
Po gratë, a mund të kenë penguar gratë e tjera?
Eksperiencat e deritanishme kanë treguar se edhe kanë gabuar në shumë raste, në përfaqësimin e modelit të gruas shqiptare. Sot ka ardhur koha të tregojmë fisnikërinë që një grua shqiptare ka.
Si ecën një grua, kur e humbet pozitën e saj?
Në kulturën tonë, çdokush që humbet një garë diskriminohet. Kjo ka bërë që shumë individë t’i shmangen përgjegjësive për të kontribuar në atë çfarë mund të bëjnë më së miri.
Është mbytës ky lloj diskriminimi?
Eshtë shkatërruese. Në shoqërinë tonë, duhet të kemi kurajo për të marrë nisma dhe për të pranuar humbjen. Duhet të ndryshojë mënyra se si e mendojmë dhe si sillemi ndaj humbësve.
A mund të ketë nxitur edhe emigrimin e shqiptarëve ky lloj trajtimi?
Është një nga arsyet mendoj. Fluksi i madh i emigrimit qe një humbje për elitën dhe qytetarinë shqiptare, por ishte edhe i pashmangshëm.
Emigracioni shqiptar ndodhi në mënyrën më të çrregullt, madje shpesh edhe të paligjshme dhe po ashtu po ndodh edhe rikthimi.
Ne, në programin tonë, kemi parashikuar një ministri për emigracionin. Ne sot nuk dimë se sa jemi dhe ku jemi. Ne duhet t’i besojmë përgjegjësi çdo shqiptari brenda dhe jashtë vendit. Ata që duan të sjellin eksperiencën apo edhe konceptin e tyre, duhet të kenë një orientim zyrtar në Shqipëri. Gjithashtu, një kanal televiziv që ata që të mos humbin gjuhën, kulturën, zakonet dhe doket që kemi. Ne si komb, me vlerat tona ta bashkuara, mund të faktorizohemi në garën e globalizmit.
Ju keni punuar edhe me Z. Majko kur ai ishte Kryeministër i vendit. Çdo kryeministër a ndryshon në koncept?
Mendoj se të gjithë kanë bërë përpjekjet e tyre, garën e tyre, por sot më shumë se me emra të përvetshëm, të gjithë ne duhet të merremi me fenomenin.
Si është Kryeministria? Sa dhoma ka, muret, korridoret, ose a i luajnë pllakat?
Më tepër se sa cilësinë e pllakave, qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësitë që ka ky institucion për fatet e vendit.
A mund të jetë më e mirë, një diktaturë që nuk lejon të vidhen pasuritë publike, se sa një demokraci vrima vrima, që lejon gjithçka të ndodhë në territorin e vendit?
Shqipëria tashmë është një vend në demokraci, por vetëm me 100 vite shtet dhe është e vështirë të pretendohen zhvillime të mëdha, sepse mungon përvoja. Prandaj më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të ulen dhe të merren vesh për një pakt kombëtar për vendin e tyre, që të rreshtohemi përkrah qytetërimeve të mëdha, si një komb me vlera të mëdha.
Me këtë drejtësi mjerane, e cila prej dy dekadash nuk dëmshpërbleu të përndjekurit politikë, apo nuk ua ktheu pronat e shtetëzuara pronarëve të vërtetë, a mendoni se kjo mund të arrihet?
Këtu nuk mungon ligji, por zbatimi i ligjit dhe në rastin konkret vullneti politik. Shpesh ngatërrohet koncepti i shtetit ligjor me shtetin e së drejtës. Çdo sistem mund të quhet shtet ligjor, por kjo nuk do të thotë se është edhe shtet i së drejtës. Madje edhe në diktaturë kishim shtetin ligjor, por jo atë të së drejtës. Ne sot, duhet të synojmë që çdo ligj të garantojë të drejtën, dhe jo ta shkelë atë.
Porosinë e vjedhjes së votive, e japin vetë kandidatët apo kanë dorë edhe kryetarët e partive?
Bëhen shumë manipulime, premtime boshe, madje edhe qesharake shpesh herë, dhe kjo është një e vërtetë që çdo kush po e vë re.
Unë edhe gënjeshtrat në fushatë, i konsideroj vjedhje. Ju çfarë mendoni?
Ne kemi njësuar politikën me gënjeshtrën, këtë duhet ta pranojmë dhe ky është thelbi. Shqiptarët nuk duhet t’ia lejojnë më vetes të tyre të gënjehen e aq më shumë ta shesin votën për një thes miell, apo për një vend pune me kontratë provizore. Nuk duhet të lejojë askënd të tallet me fatet e veta. Nëse bëjmë një zgjedhje të çastit, në afat të gjatë të gjithë jemi të humbur, pastaj nuk kemi pse të ankohemi per qeverisjen që do të kemi.

Keto rregullat e qarta qe permenden ne pergjigjen e pare a thone gje se si zgjidhet nenkryetari i partise?