Valbona Sulçe: Fushata më e keqe për figurën e gruas

redaktor

DITA-FORUM

-Valbona, ju udhëtoni shumë nëpër Shqipëri, çfarë keni venë re këto ditë fushate?

Unë zakonisht udhëtoj në fundjavë për të pushuar ose gjatë javës për punë dhe të them të drejtën, nuk është se kam ndeshur shumë “fushatë” rrugëve. Ndoshta sepse ajo është përqendruar në qytete, ndërsa unë zgjedh përgjithësisht fshatra kur udhëtoj. Megjithatë, ka një vend ku s’i shpëton dot fushatës, dhe këto janë televizionet e kudogjendura, të cilat transmetojnë drejtpërdrejt çdo miting a takim të çdo force politike. Edhe rrjetet sociale.

-Kur je përballë televizorit dhe ndjek kronikat e secilës palë, çfarë mendon?

Mendoj sa larg është politika nga shqetësimet reale të njerëzve ose sa e trukuar është ajo. Shikoni, gjatë fushatës në Shqipëri,  ndodhi që u zbulua historia e adoleshentes që ra pre e lojës Balena Blu. Sa adoleshentë dhe fëmijë janë të pambrojtur nga sulmet online?  Ndodhi që një ish-ministër bujqësie ngriti alarmin me shifra konkrete lidhur me cilësinë e miellit që konsumojmë, por kjo nuk mori vëmendje, edhe pse një grup qytetarësh po organizohen të marrin përgjigje zyrtarisht nga autoritetet. Jo më larg se dy ditë më parë një televizion tregoi përdorimin në masë të hormoneve dhe pesticideve tek domatet dhe shalqinjtë. Politikanët duhet ta kuptojnë se janë në detyrë edhe kur janë në fushatë. Shteti duhet të vazhdojë të funksionojë.

-A është kjo fushata më e qetë që është realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ashtu siç thuhet?

Varet si e sheh. Nëse me qetësi do kuptojmë incidente të dhunshme, po.  Megjithatë në pikëpamje të gjuhës, është shumë e ashpër, shikoni fjalët dhe sulmet që i bëjnë partitë njëra-tjetrës, ka shumë tension.

-Po ta shohim edhe nga mënyra se si organizohen takimet, podiumi është në formën e skenave të teatrit. Në të qëndron lideri dhe të tjerët dëgjojnë… ka më shumë teatër kohët e fundit apo kështu ka qenë?

Është modernizuar pak më shumë skena, është sofistikuar forma në ngjashmëri me modelet perëndimore. Formati “town hall” ose “Mbledhjet e qytetit” përdoret që të përcillet mesazhi i afrisë me njerëzit. Në fakt, do të duhej që në fushatë politikanët të dëgjonin njerëzit dhe jo e kundërta. Por mesazhi nuk është për njerëzit që shkojnë në takime. Është për të tjerët që i ndjekin nga televizori dhe për kundërshtarët. Është e gjitha një butafori në funksion të një mesazhi. Me humor u them që ta shijojnë se është e vetmja herë kur qytetarët rrinë ulur dhe lideri në këmbë. Pas zgjedhjeve, zakonisht është e kundërta.

-Një gjë që vëmë re është se liderët politikë flasin për gjithçka, por jo për një program konkret. Pse ndodh kjo?

Nuk është se nuk kanë program, thjesht nuk e nxjerrin në pah. Dhe nga ana tjetër, është e pamundur të dallosh programin në fjalën e një lideri që ka shkuar të mobilizojë mbështetësit, duke premtuar gjëra konkrete. Këtë mund ta bëjnë vetëm gazetarët dhe përballja mediatike e udhëheqësve që deri tani është refuzuar. Ka një përpjekje për të folur për programet ekonomike, turizmin dhe bujqësinë të partive, por këto bëhen nga ekspertë të rangut të ulët dhe jo nga kryetarët e partive. Nga ana tjetër, mbizotërojnë sloganet që nuk thonë asgjë për drejtimin që do të marrë vendi. Po pres ende të dëgjoj programet për arsimin, shëndetësinë, teknologjinë e informacionit, infrastrukturën, mjedisin. Ndoshta i kanë lënë për në ditët e fundit, nuk i dihet.

-Si i sheh gratë e renditura në lista dhe mendon se është respektuar kuota?

Respektimi i kuotës nuk është çështje perceptimi, është çështje faktesh. Dhe faktet thonë që partitë kryesore nuk e kanë respektuar kuotën. KQZ i ka gjobitur. Në këtë kuptim, ka një hap prapa lidhur me përfaqësimin e grave në politikë. Por shqetësuese është diçka tjetër. Retorika që përdoret kundër grave në këtë fushatë është e papranueshme. Përveçse i lanë në fund të listave, u thanë që “po polle”, s’ke punë në politikë. Pastaj i përgojuan si “vajza korridoresh”. Edhe kur shajnë njëri-tjetrin, thonë si “femra të përdorura”. Pse, pak burra të përdorur ka, që duhet ta marrin krahasimin nga gjinia jonë? Ku shkoi përgjërimi për barazi gjinore i partive politike? Barazia gjinore nuk është vetëm numra dhe lista, por edhe gjuhë. Barazia gjinore nuk është vetëm për gratë e partisë tënde, por për të gjitha gratë dhe vajzat në politikë. Fushatë më të keqe për figurën e grave nuk kam parë! Megjithatë gratë dhe vajzat që kandidojnë për deputete i shoh më të angazhuara se kurrë, pavarësisht vendit që kanë në lista. Kjo është një provë për integritetin e tyre dhe uroj shumë që t’ia dalin!

-Në këtë fushatë është folur shumë edhe për veshjen, sidomos për atë të kryeministrit Edi Rama. Mënyra e të veshurit flet në vetvete?

Sigurisht që flet, por është brenda stilit personal të të bërit fushatë. Është formë, jo përmbajtje.

-Pse duhet të merret media kaq shumë me të, është e rëndësishme?

Është çështje zgjedhjeje. Sipas udhëzuesve, tre janë gjërat me të cilat duhet të merret gazetari/ja në fushatë: partitë dhe kandidatët, programet elektorale dhe procesi i votimit.

-Megjithatë një gjë pozitive e ka patur kjo fushatë, posterat që na ndotnin muret dhe pemët, e ndani edhe ju këtë mendim?

Nuk e kanë bërë se u dhimbset boja dhe letra, por sepse jetojmë në kohëra virtuale. Gjithçka zhvillohet në rrjet dhe në media. Nëse doni ta quajmë pozitive, e quajmë.

 

Bisedoi: Entela Resuli – DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *