“Mos na e prekni Valbonën”

redaktor

Entela Resuli

Dita e premte e ka gjetur Tropojën të mbushur me miq e të ftuar. Aktivitetet nisën në qendër të Bajram Currit dhe u zhvendosën në zonën turistike të Valbonës.

Nën moton “Tropoja Turistike”, pati një sërë aktivitetesh të cilat filluan tek Muzeu i qytetit në Bajram Currit, me hapjen e zyrës së turizmit dhe ekspozitës fotografike të Tropojës, për të vazhduar më tej me panaire dhe aktivitete të tjera festive në Valbonë.

Në rrugët e qytetit alpin dëgjoheshin këngët dhe krismat e daulleve. Tropoja është në festë! Për organizimin e kësaj dite ndihmoi  bashkia Tropojë e cila u mbështet nga qarku Kukës, Agjencia e Zhvillimit Rajonal, Shoqatat “Progresi i Alpeve” dhe ajo gjermane GIZ.

Rruga që degëzohet nga Bajram Curri drejt Valbonës, tashmë e asfaltuar dhe e ristrukturuar, gjarpëron nëpër Margegaj, grykës së Dragobisë, krah lumit Valbonë i cili shkumëzon ëmbël mes gurëve në shtratin e tij.  Turistët e huaj janë ata që e lakmojnë më shumë këtë  zonë e cila ka hyrë në guidat turistike, si një oaz për udhëtarët mes bjeshkëve në Alpet e veriut.

Në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti organizuar në Valbonë, kryetari i bashkisë së Tropojës Besnik Dushaj tha: ”Përtej kënaqësive që na krijojnë këto vende, ky gjelbërim dhe njerëzit optimistë, unë dua të theksoj faktin se turizmi në kuptimin e gjerë të fjalës është në hapat e parë. Dhe mendoj se do të duhet shumë punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në Tropojë”.

Po ashtu, në fjalën e tij ai theksoi rëndësinë e shtetit për t’i ndihmuar bizneset në Tropojë dhe zhvillimin e turizmit. “Nuk mund të ketë turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike, pa resurse njerëzore, ekonomike, infrastrukture të pranueshme dhe ndihmë nga shteti. Dhe kjo ndihmë mendoj se 2duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë”.

Kur je mes atyre maleve të duket vetja sa afër, dhe larg botës. Gjendesh pranë natyrës dhe ajrit të pastër, larg zhurmës dhe pranë njerëzve që të ofrojnë mikpritje.

Takon njerëz shtatlartë, me tipare të theksuara dhe me humor thumbues, herë pas here. Por ata dinë ta respektojnë mikun. Ofrojnë raki të zonës, e cila mund të jetë kumbulle ose rrushi. Prodhojnë shumë djathë dhe krenohen me gatimin e flisë.

“Mos na e prekni Valbonën”

Ndërsa pyet bizneset kësaj zone për probleme, ata rendisin mes të tjerave edhe faktin që kanë vështirësi në gjetjen e personelit. Ka pak njerëz të edukuar për të punuar në sektorin e turizmit. “Mikut që vjen i duhet dhënë shërbimi maksimal në mënyrë që ai të mbetet i kënaqur jo vetëm nga natyra, por edhe nga trajtimi që i bëhet”- thotë një prej pritësve për Dita-n.

Përpos festës, banorët e këtyre anëve kanë një frikë… Ata kanë dëgjuar për ndërtimin e disa HEC-eve mbi lumin e Valbonës, dhe luten që kjo gjë mos të ndodhë. “Nëse bëhet ajo që kemi marrë vesh, pra ndërtimi i hidrocentraleve, Valbona vdiq, e bashkë me të edhe turizmi. Askush nuk do të vij më këtu. Kjo 3zonë do të mbetet e shkretë. Pse duhet t’i bëhet kjo gjë. Është krijimi i natyrës dhe kemi arritur në ditën kur kemi frikë se mund ta prishë dora e njeriut”- shprehet pronari i hotelit “Margjeka” , Sherif Margjeka.

Si shumë shqiptarë edhe ai e ka filluar larg prej këtej këtë punë. Pas emigrimit në Gjermani, është kthyer në vendlindje, edhe pse iku vetëm, fati e deshi që të kthehej çift. Ai është bashkëshorti i një gruaje gjermane dhe së bashku kanë ndërtuar një prej hoteleve më cilësore në zonë. Nga Gjermania ku kanë jetuar për disa vjet, kanë nisur një jetë të re në këtë shpat mali të thepisur. Duket se  bashkëshortja e Sherifit është ambientuar me gjithçka dhe është krahu i djathtë i tij në menaxhimin e punës së tyre.

Çfarë ka ndodhur dhe çfarë pritet…

Parku Kombëtar i Valbonës vlerësohet si mrekullia e alpeve shqiptare. Peizazhi malor, ujërat e lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve.

Por banorët janë të shqetësuar se Parku kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Pak vite më parë janë miratuar, duke shkelur ligjin e mbrojtjes së mjedisit dhe të zonave të mbrojtura, një mori hidrocentralesh. Vetëm në Gusht të vitit 2013, janë dhënë koncensione për ndërtimin e 9 HEC-ve në Valbonë (pak kush e ka marrë vesh). Ndërsa në 2009 ishte dhënë edhe një tjetër. Kontrata është firmosur nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo.

4Imagjinoni në luginën e Valbonës, ndërtohen 10 hidrocentrale, duke masakruar atë bukuri që sapo ka ndjerë bumin turistik. Nuk është pyetur komuniteti dhe pushteti lokal në B.Curri dhe në malësinë e Tropojës. Nuk është marrë parasysh efekti dëmtues i tyre, gjë që rekomandohet qartë nga forumet ndërkombëtare për këtë sektor, por dhe nga ligji i sotëm shqiptar që e parasheh këtë element.

VKM Nr.680, dt. 16.08.2013 , rreth dy muaj pasi humbën zgjedhjet. Hidrocentralet që projektohen të ndërtohen në Valbonë dhe përrenjtë e saj janë: HEC- 9A Valbonë. HEC- 9 B Otergi i Dragobisë. HEC-13 Otergi i Kaut. HEC-10 Valbonë. HEC-11 Valbonë. HEC-14 Shudenica në malin Potkuq. HEC-15 Shudenicës. HEC-12 Valbonë. HEC-16 Shpella e Kaurit.

 

DITA

Share This Article
4 Comments
  • NUK KA KRIM ME TE MADH QE MUND TI BESH N A T Y R E S SE TROPOJES SE SA TE NDERTOSH hidrocentrale ne ate LUM PERLE JO VETEM TE SHQIPERISE POR DHE TE EUROPES.Mos ja prishni bukurine e natyres te V A L B O N E S.Mos beni krim ndaj saj.

  • As pushtuesit me te eger e keqinje nuk do benin kete baterdi ne ate natyre unike.Si nuk i eshte thare dora kur ka firmosur 9 here.Pale po kane fytyre te bejne dhe moral ne tv.Spo del me asnje shqiptar ta doje kete vend.E rropen te shkreten Shqiperi.

  • Rezistoni ju banoret e atyre aneve…tregoini Berishes dhe Ulajve se nuk jane zoter te ketij vendi por tradhetare e gjakpires,mashtues e perfitues…mos i lejoni !

  • Jam nje Banor i Tropojes organizator i protestave te shumta, Valbones ju ka ba nje pabesi ne duhet ta shpetojm bashk do ja arrim, ne si Tropojan por dhe si popull Shqiptar sa her kemi qen bashk ja kemi dal, ju bej thirrje te behemi bashk pasi une qe flas sot jam i kercenuar jo me pak se 30 her me jet qe mos te dal kunder, dhe kryetari i bashkise eshte pro prandaj hajdeni sa nuk eshte vone….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *