Serbi-Shqipëri, Valdet Rama nxjerr politikën jashtë loje

anazapta

Valdet Rama dhe Antonio Rukavina, dy miq dhe shokë skuadre te Valadolidi i Spanjës, por edhe kundërshtarë kur të zbresin në fushë me kombëtaret e tyre, Shqipërinë e Serbinë. Asi kuqezi e pret me padurim përballjen me të në fushë dhe siguron se do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, ndonëse e di mirë që për tifozët nuk është ashtu. I intervistuar nga një gazetë serbe, Rama, i lindur në Mitrovicë, bën thirrje për ta mbajtur larg politikën, për të mos përcjellë urrejtje e krijuar incidente.  

– Si ju duket shorti i Euro 2016?

– Jemi në një grup të fortë dhe kemi dëshirë të madhe që të kualifikohemi. Për sa u përket ndeshjeve me Serbinë, për tifozët do të jetë më tepër se lojë, por për mua si futbollist profesionist nënkupton paraqitje si në çdo ndeshje tjetër. Unë do të bëj maksimumin që të fitojë skuadra ime, Shqipëria, ndonëse mendoj se të dy ekipet nuk duhet të përzihen me politikë.

– Keni folur me Rukavinën pas shortit?

– Po, i dërgova menjëherë një mesazh në telefon. Toni është një lojtar shumë i mirë dhe mbi të gjitha një mik i imi. Do të jetë shumë e çuditshme që të luaj kundër tij. Te Valadolidi ai është ambientuar mjaft mirë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme.

– E imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse shënoni gol?

– Me siguri që do të më prisnin si hero kombëtar në Tiranë.

– Keni qenë ndonjëherë në Beograd?

– Jo, por kam dëgjuar shumë gjëra pozitive në lidhje me atë qytet, i njohur më së shumti për jetën e natës. Fatkeqësisht nuk do të kem mundësi që të dal xhiro kur të jem atje. Kemi një trajner, Xhani De Biazin, i cili është shumë strikt dhe i ashpër kundrejt disa rregullave, të cilat nuk ke shanse që t’i tolerosh. Por, gjithsesi, kjo është një gjë e mirë për ata që merren me futboll.

– Ju keni lindur në Mitrovicë, flisni serbisht?

– Kuptoj dhe mund të them ndonjë fjalë, por nuk di të flas rrjedhshëm. Unë dhe familja ime jemi larguar nga Mitrovica kur isha tetë vjeç. Babai im punon në Gjermani, aty ku e nisa edhe futbollin. Kur kanë kohë, prindërit e mi shkojnë në Mitrovicë, për të parë miqtë e tyre dhe disa të afërm që jetojnë ende atje.

– Mendoni se mes serbëve dhe shqiptarëve ka ende urrejtje dhe se ka ardhur koha që t’i lënë pas krahëve?

– Njerëzit do të flasin gjithnjë dhe është e pamundur që t’i ndryshosh menjëherë. Sa më përket mua, nëse dikush është një herë i sjellshëm me mua, unë do të jem dy herë me atë. Unë jam mysliman, por i respektoj pa rezerva të gjitha komunitetet e tjera. Njerëz të këqij mund të gjesh kudo. Sa i përket ndeshjes, as shqiptarëve dhe as serbëve nuk mund t’ua heqësh dëshirën dhe entuziazmin që të festojnë për një fitore. Normalisht gjithkush uron që festa të mos marrë konotacion politik, pasi bëhet fjalë për vetëm një ndeshje futbolli, pavarësisht sesa e rëndësishme mund të jetë, si për Serbinë, ashtu dhe për Shqipërinë.

– Sa mundësi ka që një ditë të luani me Partizanin e Beogradit ose Crvena Zvezdën?

– Shumë shqiptarë kanë luajtur para meje nëpër klube serbe, ndaj nuk besoj se do ta kisha problem në rast se marr ndonjë ofertë të mirë nga Partizani apo Zvezda. Por, aktualisht nuk mendoj për këtë gjë, pasi jam pjesë një klubi si Valadolidi që luan në një nga kampionatet më të fortë në botë.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *