Valdet Rama është thirrur nga trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, për ndeshjen e 22 marsit, kundër Norvegjisë. Lajmi nga dalë nga gazetat spanjolle, të cilat kanë shkruar për thirrjen e lojtarit të Real Valadolidit me ngjyrat kuqezi. Futbollisti kosovar u transferua në Spanjë në janar dhe për të luajtur atje u pajis edhe me pasaportën e Shqipërisë, për shkak se Spanja nuk e njeh Republikën e Kosovës. Marrja e nënshtetësisë shqiptare ka shërbyer edhe për hapjen e dyerve të kombëtares kuqezi për Ramën. Transferimi i tij nga Orebro i Suedisë në Spanjë ishte një lajm i bujshëm, megjithatë duhet thënë se mesfushori nuk ka luajtur asnjë ndeshje deri tani me skuadrën e tij të re, për më tepër ai ka qenë në pjesën më të madhe të kohës në tribunë. Deri tani, Rama është grumbulluar vetëm për dy ndeshje, barazimet pa gola në fushat e Betisit dhe Espanjolit, por ka qëndruar në stol gjatë gjithë kohës, pa hyrë në fushë për asnjë minutë. Nisur nga ky fakt, vështirë se kosovari do të aktivizohet kundër Norvegjisë, një takim shumë i rëndësishëm për kualifikueset e botërorit brazilian, por De Biazi mund ta provojë katër ditë më pas, kur kuqezinjtë do të kenë miqësoren me Lituaninë, po në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
Leave a comment