Sa herë që fryn shiroku, banorët e Raguzës në Kroaci shtrojnë pyetjen: “Kur do të marrë fund ardhja e mbeturinave nga Shqipëria në brigjet kroate, duke i shndërruar ato në vendgrumbullimi mbeturinash?”. Disa ditë pas shirokut, zona të mëdha të bregdetit mbulohen nga mbeturinat që pluskojnë mbi ujë, pjesa më e madhe e të cilave janë shishe plastike, produkte farmaceutike apo këpucë.
Fenomeni përsëritet çdo vit dhe verifikohet veçanërisht në periudhën kohore mes marsit dhe prillit. Male të tëra me mbeturina nga Shqipëria (origjina e tyre verifikohet mjaft mirë nga etiketat në produktet që përfundojnë në brigjet kroate) “notojnë” drejt veriperëndimit të shtyra nga era dhe rrymat detare.
“Popullimi” i plazhit prej mbeturinave urbane është një “spektakël” aspak i dëshiruar për banorët e Raguzës, si dhe turistët e shumtë që vizitojnë këto brigje.
Sipas kompanisë që merret me pastrimin e zonës, largimi prej aty i mbeturinave është një proces i kushtueshëm, për më tepër që Shqipëria nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë dëmshpërblim për ndotjen mjedisore që shkakton në brigjet raguziane.
Pero Kaciga, drejtori i kompanisë “Cistosa”, që merret me pastrimin e zonës, deklaron se heqja e mbeturinave kërkon një shpenzim të madh që arrin deri në 3 mijë euro më shumë sesa parashikimi i llogaritur.
Mësohet se për gjendjen e krijuar i është kërkuar sqarim edhe ambasadorit shqiptar në Kroaci, Pëllumb Qazimi, i cili nuk kërkon falje por tregon për një situatë të komplikuar.
“Vendgrumbullimet e mbeturinave në vendin tonë nuk janë ende në nivelin e atyre evropiane. Reshjet e dendura të dëborës dhe shirave të muajve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumit Drin, i cili ka marrë me vete mbeturina të shumta. Plehrat janë transportuar drejt detit dhe nga aty janë ngjitur deri në brigjet dalmate. Dua të specifikoj se vazhdimisht kam mbajtur të informuar qeverinë time për këtë problem”, mësohet të ketë thënë Qazimi.
Vite më parë mbeturinat “Made in Albania” kanë ndotur edhe brigjet e ishullit Lunga dhe ishujve të tjerë që ndodhen në distancë të largët me Raguzën, përfundon shkrimi në portalin italian “Il Piccolo”.
Onufri shtegton në Moskë
Në Moskë është çelur një ekspozitë shqiptare me ikona ortodokse të erës sonë të cilat kanë ngjallur admirimin e vizitorëve, por edhe të personaliteteve shkencore ruse. Ekspozita është çelur në Muzeun Qendror të Kulturës Antike dhe Artit Mesjetar rus “Andrei Rubljov”, dhe ka ngjallur interes të madh për çdo vizitor dhe artdashës. Agjencitë ruse të lajmeve kanë deklaruar se “një ekzotikë e tillë, si koleksioni i ikonave ortodhokse nga Shqipëria, ishte i destinuar apriori për sukses”. Sipas drejtorit të muzeut rus “Andrei Rubljov”, Genadi Popov, i cili është edhe historian i artit fetar, këto ikona kanë shkuar në Moskë nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar shqiptar të qytetit të Korçës. Agjencia ruse e lajmeve “Rasija Gollos” ka njoftuar se në hapjen e ekspozitës ishte e pranishme edhe drejtoresha e Muzeut të Korçës, Tatjana Caca, e cila kombinon në veprimtarinë e saj me detyrat e ruajtëses dhe restaurueses së muzeut.
Duke iu referuar fjalës së drejtorit Popov konfirmohet se bisedimet për hapjen e një ekspozite të tillë kanë filluar rreth 8-10 vjet më parë. Kjo ekpozitë fillimisht ishte dërguar në Evropë: në Francë, Gjermani dhe Greqi. Ndërsa në Moskë ajo erdhi tashmë në një formë pak më të ndryshme: lindi domosdoshmëria e zëvendësimit të eksponateve, sepse ato mund të pësonin dëmtime të rënda nga ndryshimi i klimës, nga luhatjet e theksuara të thatësirës dhe lagështisë. Popov ka bërë me dije se ata kanë caktuar për zhvillimin e ekspozitës një sallë të veçantë dhe i vendosën të gjitha eksponatet në vitrina prej qelqi. Ndërkohë ai ka theksuar se ikonat i janë nënshtruar edhe një ndërhyrjeje nga specialistët rusë për eleminimin e dëmtimeve, duke i shpëtuar nga brumbujt e vegjël brejtës.
Për këtë qëllim, ka theksuar Popov, ftuam një ornitolog. Ai ka deklaruar se “në këtë ekspozitë janë paraqitur gjithsej 18 ikona jo të mëdha të periudhës së shekujve XIV-XVIII të e.s. Ka ikona autoriale, të nënshkruara nga piktori i shquar i shekullit XVI, Nikolla Onufri. Ikonat janë të mrekullueshme, të habitshme, impresionuese”.
Ekspozita e Ikonografisë shqiptare është hapur në kuadër të programit “Ditët e kulturës shpirtërore të Shqipërisë”, i cili po realizohet aktualisht në Rusi. Genadi Popov tregon si më poshtë: Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës u fol për shoqërinë fetare të Shqipërisë si një pjesë e rëndësishme përbërëse e aktiviteteve kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së këtij vendi. Shteti është i ri! Njerëzit e brezit tim, të cilët kanë jetuar në Bashkimin Sovjetik, sigurisht e mbajnë mend fort mirë filmin e famshëm shqiptaro-sovjetik “Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu” (1954, regjisor S. Jutkeviç), nëpërmjet të cilit ne njiheshim asaj kohe me historinë e vështirë të formimit të shtetit shqiptar. Aktualisht mbi Shqipërinë, kishën e saj ortodokse, gjithkush që dëshiron mund të lexojë në artikujt e Enciklopedisë ortodokse që botohet tek ne në vend.
Në vitet e fundit në Rusi janë botuar jetët e disa shenjtorëve shqiptarë. Me hulumtime fondamentale në fushën e historisë dhe kulturës së Shqipërisë merren aktivisht shkencëtarët e Akademisë së Shkencave të Federatës Ruse, vepron Shoqata Ruse “Miqtë e Shqipërisë”.