Përdhunimet kanë tronditur qytetin e dytë më të madh të Brazilit. Në një rast, një sulmues i ka mbajtur një revole në kokë një femre 30-vjeçare teksa e ka përdhunuar atë para pasagjerëve në një autobus, ndërsa shoferi ka vazhduar rrugën drejt një bulevardi kryesor.
Në një sulm tjetër, një femër 14-vjeçare nga një lagje e varfër është përdhunuar në njërin prej plazheve më të famshme të Rios. Ndërkaq, në një rast më të rëndë, disa meshkuj kanë rrëmbyer dhe e kanë përdhunuar një femër të shtresës punëtore në një kombibus, teksa ai ka qarkulluar nëpër zonat e populluara të qytetit, ndërsa policia nuk e ka hetuar atë. Vetëm një javë më pas, të njëjtit meshkuj e kanë përdhunuar një studente 21-vjeçare amerikane në po të njëjtin kombibus, duke ia ënjtur asaj fytyrën dhe duke rrahur me shufër metali një mashkull që ishte bashkë me të.
“Fatkeqësisht, u desh që kjo t’i ndodhte asaj para se dikush të më ndihmonte mua”, ka thënë braziliania e përdhunuar në kombibus. “E kam pyetur veten, ‘A do të mund të ishte shmangur kjo nëse ata do t’i kishin kushtuar vëmendje rastit tim?”, ka shtuar viktima e përdhunimit në Rio.
Një valë e fundit e përdhunimeve tmerruese në Rio – disa prej të cilave janë kapur nga kamerat – kanë vënë në pah kontradiktat e pazgjidhura të një vendi që po ngrihet si fuqi në skenën botërore. Brazili ka një femër si presidente të vendit, një femër si komandante të fuqishme policore, dhe një femër si udhëheqëse të kompanisë së tij shtetërore të naftës, por vetëm pas përdhunimit të amerikanes autoritetet janë angazhuar ashtu si duhet dhe i kanë arrestuar të dyshuarit për rastin.
Përvoja e Brazilit kujton ngjarjet e fundit në Indi dhe në Egjipt, ku sulmet e tmerrshme kanë nxitur zemërim dhe kërkim të përgjegjësve, duke zbuluar përçarje të mëdha në secilën shoqëri.
Në Brazil, përdhunimet kanë ndezur një debat për atë se a janë autoritetet më të vendosura për mbrojtjen e të privilegjuarve dhe të reputacionit ndërkombëtar të Rios, apo të femrave të shumta.
Në Indi, vdekja tragjike e një studenteje, e cila ishte përdhunuar në grup teksa një mashkull që ishte bashkë me të ishte rrahur në një autobus nën rrethana të ngjashme, ka vënë në pah një pikëpamje se femrat, pavarësisht se sa përparojnë, janë ende të brishta dhe të pambrojtura nga qeveritë joefektive. Është mbase paradoksale që ky problem është shfaqur kaq papritur në Brazil, një vend që është angazhuar fort për të mbrojtur dhe për të avancuar të drejtat e femrave.
Zyrtarët e sigurisë publike të Rios kanë pranuar se janë përballur me një rritje të theksueshme të numrit të rasteve të raportuara të përdhunimit, të cilat vitin e kaluar janë rritur për 24 për qind në 1.972 sosh në qytet. Por, ata kanë argumentuar se rritja ka ndodhur në shkallë vendore, duke pasqyruar një ndryshim në ligj më 2009 për të zgjeruar kuptimin e përdhunimit – për të përfshirë penetrimin anal dhe atë oral – si dhe përpjekjet për t’ua lehtësuar femrave raportimin e rasteve.
