Djaloshi shqiptar që luajti me Norvegjinë, Valon Berisha, kishte paralajmëruar se do të bënte detyrën si norvegjez nëse trajneri do ta aktivizonte kundër Shqipërisë. Ai hyri në pjesën e dytë të takimit në Oslo, por misioni që i kishte vënë vetes iu vështirësua në kulm nga orteku i vërshëllimave që e priti sapo këmba e tij preku fushën. Berisha ka mbetur i befasuar, pasi nuk e kishte pritur një reagim të tillë nga tifozeria shqiptare, në numër më të madh se ajo norvegjeze në tribunat e stadiumit “Ullevaal”. “Nuk jam pritur shumë mirë dhe nuk pres që të pritem, pasi u vërshëlleva më së shumti”, tha Berisha, i cili është lindur në Suedi, por prindërit i ka nga Kosova. “Prej momentit që u futa në fushë u mundova të jap maksimumin dhe besoj se do të kishte qenë më e lehtë për mua sikur të kisha pasur më tepër minuta kundër Shqipërisë”. 20-vjeçari, i cili luan në Austri me Red Bull Salzburg, ka thënë se është mërzitur me vërshëllimat që i “dhuruan” tifozët shqiptarë. Ai thotë se nuk e ka pasur aspak lehtë të luajë kundër Shqipërisë. Sipas tij, media në Shqipëri kanë shkruar shumë për të, kështu që tifozët e kanë ditur shumë mirë se kush është ai. “Kam mbetur ca i mërzitur, por nuk i fajësoj tifozët. E kam ditur se do të ketë tifozë shqiptarë në tribuna, por jo gjithmonë ne vërshëllehemi në fushën tonë. Ata krijuan energji dhe atmosferë të mirë në tribuna”, thotë shqiptari i Norvegjisë. Gjithsesi, Berisha mund të ndihet shumë më mirë nëse sheh qëndrimin që iu rezervua pesë shqiptarëve të Zvicrës, për të cilët do të jetë shumë më e nxehtë ardhja në Tiranë, në tetor.
O zot ci pret trimat ne Te. Sidomos tani qe na ndan takimi direkt per renditjen
Me çdo kusht duhet ti thyjm zvicerianët.