Vetëm pak ditë pas përfundimit të Botërorit Brazil 2014, Louis Van Gaal u prezantua si trajneri i ri i Manchester United, detyrë të cilën tekniku holandez e kishte siguruar disa muaj më parë.
Pas Ajax-it, Barcelonës dhe Bayernit, Manchester United do të jetë klubi i katërt i madh në karrierën e Van Gaal, megjithatë 62-vjeçari është shumë i qartë kur shprehet se drejtimi i “Djajve të Kuq” është maksimumi në karrierën e tij.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, pasi Manchester United është klubi më i madh në Botë. Vetëm dy ditë këtu më mjaftuan për të kuptuar se sa e rëndësishme është kjo shoqëri. Besoj se jam në lartësinë e duhur për pozicionin që kam marrë edhe pse duke patur parasysh sendodhem në një klub me histori të madhe, do ta kem shumë më të vështirë për të përmbushur të gjitha pritshmëritë”, tha Van Gaal.
Por cilat do të jenë objektivat e Manchester United me Van Gaal në drejtim?
“Unë shikoj gjithmonë nga titulli kampion dhe jo nga vendi i katërt që të kualifikon në Champions League. Kam një personalitet të fortë dhe me futbollistët përpiqem të jem një rreshter i hekurt. E vetmja gjë që mund të premtoj është se do të jap më të mirën time dhe do të marr maksimumin nga futbollistët e mi”.
Me lamtumirën që i dha futbollit Ryan Giggs, i cili tashmë do të jetë pjesë e stafit teknik të Van Gaal, por edhe me largimet e Nemanja Vidic dhe Rio Ferdinand, United ka mbetur pa një kapiten.
Holandezi nuk mund të qëndronte pa dhënë një opinion për këtë temë ndërkohë që foli edhe për merkaton.
“Në skuadër ka shumë lojtarë që janë kandidatë potencialë për të marrë shiritin e kapitenit, megjithatë do të më duhet kohë për të vendosur. Merkato? Në skuadër janë afruar dy futbollistë shumë të mirë si Ander Herrera e Luke Shaw dhe jam shumë i kënaqur për këtë”, theksoi holandezi.
Por edhe pse u shfaq i kënaqur me merkaton e deritanishme në ishull janë të sigurt se Van Gaal është në pritje të Arturo Vidal dhe Mats Hummels për ta konsideruar të mbyllur merkaton e Manchester United.