Dy ndeshje pa fitore vënë përpara detyrës Skënderbeun që në supersfidën e javës së 5 ndaj Kukësit të ketë si objektiv të vetëm 3-pikëshin. Kampionët janë grumbulluar në qytetin e Korçës një ditë pas barazimit pa gola në Fier me Apoloninë, në një sfidë kur rastet për shënim kanë qenë të shumta. Për mbrojtësin Kristi Vangjeli një nga më të mirët në fushë, nuk është barazimi në fundjavën e kaluar ai që djeg, por loja e zhvilluar ndaj Partizanit në sfidën e javës së 3 të enjten e 11 shtatorit: “Ajo që shqetëson më shumë është loja e zhvilluar me Partizanin pasi në Fier luajtëm mirë dhe nuk arritëm të shënonim një gol”.
Mungesa e golit është thembra e Akilit për kampionët në këtë fillim sezoni, gjë që u vu re edhe në transfertën ndaj Apolonisë. Për 29-vjeçarin e mbrojtjes në këtë aspekt nuk është nën akuzë vetëm sulmi por e gjithë skuadra. “Kur fiton një ekip merita është e të gjithëve, dhe tani nuk është se çalon sulmi, por duhet gjithë ekipi të ndihmojë. Do përpiqemi të gjithë të punojmë bashkë dhe të shënojmë gola. Fakti që kemi mbrojtjen më të mirë na jap besim. Synimi është të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. Ndoshta nuk kemi shënuar sepse është moment i keq, por kemi sulmues të mirë. Nëse nuk kemi pësuar gola është edhe meritë e tyre”.
Përpara është Kukësi një kundërshtar direkt në garën për titull. Vangjeli thekson se skuadra është duke u përgatitur për të marrë maksimumin si dhe bën një analizë të ecurisë së deritanishme, duke theksuar se ky kampionat është i gjatë dhe asgjë nuk vendoset që në javët e para. “Kemi filluar stërvitjen menjëherë pas ndeshjes në Fier. Do përgatitemi mirë për të marrë tre pikët e nevojshme. Është fillimi i kampionatit dhe ka shumë rrugë përpara. Duhet të shohim se deri ku do të venë kundërshtarët. Do synojmë fitoren ndeshje pas ndeshje dhe të arrijmë objektivin”.

Dite te mira per kombetaren
http://youtu.be/_5aySNTcT7w