Ajo është mbretëresha e stilit dhe për këtë të gjithë janë të një mendjeje. Dukesha e Kembrixhit, Kate Middleton, zgjidhet për të katërtën herë si femra e veshur më bukur për këtë vit, nga revista “Vanity Fair”. Mamaja e re ka lënë pas femrat më të bukura dhe të famshme të globit, duke u vlerësuar maksimalisht për pamjen e saj që nga fejesa me princin Uilliam.
Veshjet e Kate janë vlerësuar për mënyrën e goditur të kombinimit, pavarësisht se shpesh ato u përkasin firmave relativisht të lira. Veshja me të cilën ajo u shfaq pas lindjes së djalit, një model i markës “Seraphine”, u vlerësua shumë për stilin e thjeshtë dhe komoditetin dhe u shit në mënyrë të pabesueshme brenda disa orësh në dyqane dhe online.
Kate ka zënë vendin e Kerry Washington, aktorja e Hollivudit e njohur për rolin në “Django Unchained”. Ndërsa në listën e femrave të veshura më bukur gjenden emrat e Beyoncé, Charlize Theron, Brooke Shields e Victoria Beckham, ajo që ka rënë në sy është mungesa e Zonjës së Parë amerikane, Michelle Obama.
Hyrja më e re është 49 vjeçarja kineze Peng Liyuan, gruaja e presidentit Xi Jinping, ish-këngëtare folk dhe gjenerale (civile) e ushtrisë së vendit të saj. Për sytë e perëndimorëve ka mjaftuar një pallto e zezë dopiopet, një shall i kaltër dhe një çantë Tod (të cilat i kishte veshur gjatë vizitës së saj të parë jashtë vendit) për ta shpallur zonjë me stil. 
Efekti ka qenë i njëjtë me atë të Kate. Në Kinë është shitur në mënyrë të jashtëzakonshme palltoja 50 euroshe të cilën ajo mbajti veshur gjatë vizitës në Moskë.
Ndërsa në kampin mashkullor, “Vanity Fair” ka vlerësuar Justin Timberlake si një ndër meshkujt më me shije në të veshur. Meritë për këtë ka marka e njohur “Tom Ford”, e cila kohët e fundit është gjithmonë pjesë e look-ut të tij. Menjëherë pas këngëtarit dhe aktorit Timberlake, në vendin e dytë qëndron kitaristi i Rolling Stones, Keith Richards, i cili kur është pyetur se cili ishte ikona e stilit për të, është shprehur: “Pse duhet të zgjedh dikë tjetër? Jam unë”. / Gazmira Sokoli
