Pa titull…
1.
Zot, o Zot, sa jam i lodhur
Shumë kam mbjellë e pak kam korrur!…
Mbolla shumë e në çdo stinë,
Dhe jo vetëm një lëndinë!…
2.
Shumë lëndina mbolla herët
Erdhën i korrën të tjerët
Eh, ç’më gjeti, Zot, o Zot,
Mbolla shumë e s’korra dot!…
3.
Mbolla, po mbeta i varfër
Se s’m’u ndodh, për dreq, një drapër.
Më dëgjo, po mos e fol
S’kam të blej një arkivol!…
4.
Ndaj do rroj sa një gogol
S’kam ku shkoj pa arkivol
Se unë s’jam e s’jam një horr
Arën e tjetrit të korr!…
Virgjëreshat
I ri kur kam qenë, me syrin si rrufeja,
Me zemër shkrova vargje për vajzat virgjëresha,
Paqen e parajsës në gji të tyre gjeja
Dhe që të gjitha si shpirtin i desha.
Dhe ishte kohë e zymtë e ne s’kërkonim shumë,
Një buzëqeshja shkaraz, a një vështrim pa faj,
Një prekje a një puthje, në ëndërr a në gjumë
Dhe gjithë planeti ynë ishte paskëtaj.
Kaluan vite shumë e më s’i pashë,
Të shenjtat vajza, vajzat virgjëresha,
Pa ma kërkuar, shpirtin tim ua dhashë,
Se si shpirtin tim ato i desha.
Isha i ri edhe një yll poeti
Akoma nuk më ndriste si tani,
Porse poeti, me shpirtin sa deti,
Çdo ditë mund të bjerë në dashuri.
Ato s’i pashë, po vargjet e mia
Mbetën aty, mbetëm siç u shkruan,
Në ç’shtigje s’na përplasi dashuria,
Po ato kohë kurrë s’u harruan.
Vitet e gjata poetin e rrënuan,
Siç u rrëgjuan dhe ato që desha,
Po vargjet mbetën ashtu siç u shkruan,
Në vargje vajzat mbetën virgjëresha.
S’dua të shoh tani asnjë prej tyre,
Tani ësht’ vonë e s’mund të kem telashe,
Po s’dua t’i heq dritën asaj ngjyre,
Po s’dua t’i venit ato imazhe.

Cfare vargjesh mer, keto jane thjesht bejte.