Tek ajo rrugicë…
Tek rrugica jote,
sa herë që shkoja,
trak e truk nallanet,
në oborr dëgjoja.
Trak e truk nallanet,
në këmbët nazike,
s’desha muzikë tjetër,
veç asaj muzike.
Trak e truk nallanet,
m’u në gjoksin tim,
dil-pa dil tek porta,
xhan o Katerinë….
Të kam dashur shumë.
Për ty-nuk e di..
Shpesh të tilla zjarre,
ndizen në rini.
Më pas rrodhi jeta,
si lumi me valë,
unë me tjetër vajzë,
ti me tjetër djalë.
Kujtimet e vjetra,
sot vijnë e më ngasin,
tek ajo rrugicë,
nallanet trokasin.
Veç asaj muzike,
muzikë tjetër s’dua,
shkuan vite shumë,
plaga s’u shërua!..
01.09.1988
Qershitë…
Një shportë më mbushe plot,
por ti s’e din se ç’dua,
a ka qershi në Botë,
si dy buzët e tua?!
Do shkoj i varfër…
Do të vdes me shpirt të qetë,
krejt i varfër si Sokrati,
se në vendin tim të shkretë,
asnjë i mençur fat nuk pati!..
Rri me mua këtë natë!..
Ku ta shkrij gjithë këtë akull,
këtë terr që po më mbyt?..
Për të shkrirë gjithë Antraktidën,
më mjafton veç trupi yt…
Rri me mua këtë natë,
këtë kohë që na mbeti,
na mjafton veç një krevat,
nga çdo gjë që ka qyteti.
Në një dhomë-në errësirë,
nuk ra zjarr-s’plasi dyfek,
po për dreq aty u dogj,
një krevat dhe një dyshek…
Dymbëdhjetë gërsheta…
Se ç’t’i numërova,
dymbëdhjetë gërsheta,
lidh e zgjidh me radhë,
pastaj rashë e fjeta.
Lidh e zgjidh me radhë,
dot s’e zura ditën,
porsi gjarpërinj,
o-bo-bo ç’më mbytën!.
Pse më ushqen me peshk të kripur? (Sipas Musa Xhalilit)
Më the të dilja nga lëndina,
të prisja ndënë fletë,
kur synë e verdhë të çelte Hëna,
do vije dhe ti vetë.
Po Hëna doli-perëndoi,
më kot të prita ty,
pse më ushqen me peshk të kripur,
kur ujë s’më jep të pi?!..
Janar,1974
A.DUKA

Na duhet o Duke ca relaks vertet,
mes kesaj varferie te ketij pushtet,
edhe ti zor mos ta kesh marre vesh,
qe dhe negociatat na iken per lesh,
Te na rroje Rama – na shkruaj prap,
tregoje me vargje qe je krejt Trap.
Lirikat e Dukes
si duf djalerie,
porsi syt e vashes
djegur dashurie
si buzet e saja
si leng qereshie!
Fatmiri