Lamtumirë…
(Baladë dashurie)
S’kam dashur kurrë të të lëndoj,
se të kam dashur sa s’ka më,
po ti më ikën-më largohesh,
dhe unë po iki-po të lë.
S’besoj se do lëndohesh shumë,
ti ende s’di ç’është dashuria,
ndaj s’munde ta kuptoje dot,
prushin e ndjenjave të mia.
Veç bukurisë së pakursyer,
natyra gjë s’të ka dhuruar,
ishe një gonxhe që nuk çele,
u vyshke që pa lulëzuar!
Dhe pse e kam kaq të vështirë,
po të përzë nga zemra ime,
më mirë ndriço si yll i largët,
dhe më dil veç në ëndërrime.
Pas meje do të vijnë të tjerë,
dhe do të puthin puthjen time,
e ti ashtu si dhe me mua,
do shkrihesh nëpër përqafime.
E do t’u thuash-hipokrite,
o-sa të dua s’e them dot,
edhe njëlloj si dhe me mua,
fare më kot do derdhësh lot!
Në sa krevate do të shtrihesh,
dhe do të hiqesh virgjëreshë,
kur i mendoj këto të gjitha,
më vjen të qaj edhe të qesh.
Unë gjer tani isha i nxehur,
nuk e mohoj që prapë të dua,
sikur të puthesh me gjithë botën,
asnjeri s’di të puthë si mua.
Unë vetë jam i lënduar,
e ndofta të lëndova shumë,
kush vallë di të përkëdhelë,
ashtu si përkëdhelja unë!
Megjithatë po të uroj,
u bëfsh prapë yll e lëshofsh nure,
më pas besoj se dhe për mua,
do çelë me gaz një tjetër lule.
Mbi ndjenjën tonë ra dëborë,
gjithçka më tutje është e kot’,
pra lamtumirë-veç lamtumirë,
se mirupafshim s’të them dot!
Prill, 1987
Botuar në Dita, 17 Maj 2017

APOLOGJIA E PUTINIT
I dashur populli im rus,
dy fjalë zemre do ju them,
unë nuk jam një diktator,
por pushtet dua të kem.
Nuk e dua veç për vete,
por për ju dhe për Rusinë,
të ringremë Bashkimin Sovjetik,
të gjithë bashkë me partinë.
Duhet të themi të vërtetën,
jo gënjeshtra prej fejsbuku,
ne kemi tope prej çeliku,
s’kemi sjellje prej eunuku.
Mos cicëroni kot në twiter,
ato janë realitete virtuale,
diarre që s’vlejnë aspak,
llomotitje si në një hale.
Mos përhapni lajme të rreme,
për luftën tonë “paqësore”,
me tanqe, avionë e predha,
e me bomba bërthamore.
Ukrahina për ne është Rusi,
NATO s’mund t’na vijë te dera,
o do bëhet siç them unë,
ose gjithë botën e “merr era”!
Kur Amerika pushton Afganistanin,
e quajnë luftë për demokraci,
kur unë pushtoj Ukrahinën,
më etiketojnë si Hitleri i ri.
Nga Afganistani Amerika iku,
e frikësuar me bisht ndër shalë,
lanë atje korrupsion e pabarazi,
dhe bota s’i tha asnjë fjalë.
As amerikanët s’kërkuan llogari,
si taksat e tyre u shpërdoruan,
miliarda dollarë pajisje ushtarake,
talebanëve iu lanë e iu dhuruan.
Na vënë sanksione për varfërim,
ekonominë për t’na e shkatërruar,
por ju betohem se do marr hak,
aspak nuk kam për të harruar.
Mund të varfëroheni fatkeqësisht ,
nga sanksionet që na kanë vënë,
por bar nuk do hani ua premtoj,
në baltë asnjëherë s’ju kam lënë.
Shtrëngoni rripin dhe jetoni,
me demokracinë në Rusi,
unë i përjetshëm në pushtet,
poshtë Rendi Botëror i Ri!
Borgjezëve amerikanë e europianë,
hallin ua di mirë e pse luftojnë,
po shqiptarët që hiqen si perëndimorë,
çfarë dreqin po kërkojnë?!
Shqipëria është thjesht një xhungël,
ku urdhëron ambasada amerikane,
ku nuk ka punë por veç emigrim,
një vend i korruptuar, një mejhane!
Një vend ku shpresa ka vdekur,
e ku hiç asgjë nuk prodhojnë,
edhe grurin e importojnë nga ne,
tani me rezoluta më bilbilojnë.
Në kohën e bashkimit sovjetik,
busti i Stalinit ishte krenari,
ndërsa sot në ish-qytet Stalin,
baza e NATO-s gati aty rri.
Mos u trembni o populli im,
në grykë të pushkës ata na kanë,
por ne i kemi në grykë të topit,
shpërthejmë tërë botën anembanë.
Ndoshta mund të prekim fundin,
por do ringrihemi përsëri,
krenarë e më të fortë se kurrë,
bashkë me të madhen Serbi!
Ata po festojnë nëpër sheshe,
për luftën tonë në Ukrahinë,
ishalla s’futet Kosova në Nato,
ta bashkojmë bashkë me Serbinë.
E pra, s’jemi vetëm në këtë botë,
kemi miq në Europë e në Azi,
do pushtojmë dhe vende të tjera,
rroftë Bashkimi Sovjetik i Ri!
Nëse jeta juaj ka një vlerë,
por bota po ju sanksionon,
për çfarë na duhet neve bota,
që asnjë gjë ruse s’po pranon?