Vargje nga rinia e parë

redaktor

Lamtumirë…
(Baladë dashurie)

S’kam dashur kurrë të të lëndoj,
se të kam dashur sa s’ka më,
po ti më ikën-më largohesh,
dhe unë po iki-po të lë.

S’besoj se do lëndohesh shumë,
ti ende s’di ç’është dashuria,
ndaj s’munde ta kuptoje dot,
prushin e ndjenjave të mia.

Veç bukurisë së pakursyer,
natyra gjë s’të ka dhuruar,
ishe një gonxhe që nuk çele,
u vyshke që pa lulëzuar!

Dhe pse e kam kaq të vështirë,
po të përzë nga zemra ime,
më mirë ndriço si yll i largët,
dhe më dil veç në ëndërrime.

Pas meje do të vijnë të tjerë,
dhe do të puthin puthjen time,
e ti ashtu si dhe me mua,
do shkrihesh nëpër përqafime.

E do t’u thuash-hipokrite,
o-sa të dua s’e them dot,
edhe njëlloj si dhe me mua,
fare më kot do derdhësh lot!

Në sa krevate do të shtrihesh,
dhe do të hiqesh virgjëreshë,
kur i mendoj këto të gjitha,
më vjen të qaj edhe të qesh.

Unë gjer tani isha i nxehur,
nuk e mohoj që prapë të dua,
sikur të puthesh me gjithë botën,
asnjeri s’di të puthë si mua.

Unë vetë jam i lënduar,
e ndofta të lëndova shumë,
kush vallë di të përkëdhelë,
ashtu si përkëdhelja unë!

Megjithatë po të uroj,
u bëfsh prapë yll e lëshofsh nure,
më pas besoj se dhe për mua,
do çelë me gaz një tjetër lule.

Mbi ndjenjën tonë ra dëborë,
gjithçka më tutje është e kot’,
pra lamtumirë-veç lamtumirë,
se mirupafshim s’të them dot!

Prill, 1987

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

VARGJE NGA RINIA E PARË

redaktor

1. Dielli-natyra

Sa çeli synë,
syri i qeshi,
puthi natyrën,
natyra deshi.

E përqafoi,
me gishta rrezesh,
ajo dremit,
në krahë mëngjezesh.

Në gjoks të tij,
dashnorja heshti,
dashnori diell,
puthjen s’e rreshti.

Tiranë, 1973

 

2. Ëndërroj

Jashtë si me gjyma derdhet shiu,
gjuhë memece që s’di të pushojë,
unë që kam në gjoks një shpirt njeriu,
për një shpirt njeriu ëndërroj.

Burrel, 1977

 

3. Mbaj mend

Mbaj mend-dikur në portën time,
vije më hidhje ca gurishte,
pastaj më flisje si një zoçkë,
eja-të pres poshtë në shelgjishte.

Sa më ngacmove ti në portë,
e pak nga pak na doli frika,
e sikur s’desha-mezi thoshja,
po ç’bën kështu-moj Vasilika?!

Ti rishtas buzagas më thoshje,
eja të lozim nëpër shelgje,
se çelën lulet-hapën sythet,
edhe lëmyshku nëpër pellgje.

Tani më porta s’tringëllin,
sërish për ndjenjëzën që shkoi,
po prapë unë shkoj kur çelin lulet,
dhe gjethet e atij përroi.

Tiranë, 1976

 

4. Kënga e fundit

E fundit këngë është kjo,
i fundit drithërim,
magjia jote u venit,
u fik në shpirtin tim.

Krijova kot në trurin tim,
figurën më të ndritur,
po për çudi-si ëndërrim,
u zverdh-u zhduk papritur.

Dhe për të gjitha pa dyshim,
ti ishe shkaktare,
se fluturon e s’di ku shkon,
si tymi i cigares.

Ja pse-e dashur-sot u ngrit,
një mal i madh mes nesh,
unë po heq dorë-se s’mund të ec,
në tym e fjolla resh.

Tiranë, 1976

(Marrë nga libri: “Gjiri i virgjëreshës”)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *