Vargje për këngë

Ornela

Tek kërceja, tek këndoja

1.
Tek këndoja me tri çupa,
Nga dora seç më ra kupa,
U bë copë dhe thërrime,
Copë-cop’ si zemra ime.

Tek kërceja me tri plaka,
O-bo-bo, ç’m’u thye taka!
Ndaj, mos u çudit, o djalë,
Që heq vallen çalë-calë.

2.
Tek këndoja me tre djem,
U këput molla në pemë,
Njërit në dorë i ra,
Po ai mua ma dha.

Po ai mua ma dha
Dhe, duke kënduar, tha:
“Vashë, me belin e hollë,
Do të ha si kokërr mollë…”

3.
Tek kërceja me tre pleq,
Ah, ç’e zura këmbën keq,
Ndaj, mos u mërzit, o djalë,
Që heq vallen çalë-çalë.

Thotë djali: “Dreq, o dreq,
S’kërcen dot vajza me pleq,
S’kërcen dot me pleq të vjetër,
Se thyen dhe takën tjetër…”

4.
Tek kërceja me tri gra,
Floriri në dhe më ra.
“A s’ma jep floririn hua,
Vashëz-o, më tha një grua.”

Merre, mbaje me shëndet,
Flori e argjend jam vetë,
Flori e argjend nuk dua,
Se jam vajzë e nuk jam grua.

Vjen edhe më gjen

1.
Një sorkadh, në dritë të hënës,
Qan e qan me lot,
Se më do me zjarr të zemrës,
Po nuk më gjen dot.

O sorkadh dhe unë të dua,
Si të jem e dehur,
Shumë gjahtarë më ndjekin mua,
Ndaj dhe rri e fshehur.

Kur fryn erë e ka gjëmime,
Kur jehojnë pyjet,
Unë rri në shpellën time
Dhe puthem më yjet.

Hëna lart dhe në furtunë,
Për mua shkëlqen,
Ajo di ku fshihem unë,
Di se ku më gjen.

2.
Ditën s’dal, se pret pusia,
Rri për mua ngritur,
Natën kreh flokët e mia,
Në hënën e ndritur.

O sorkadh, të kam me jetë,
Ylli që shkëlqen,
Në më do me të vërtetë,
Vjen dhe më gjen.

Share This Article
1 Comment
  • POSHTË DIKTATORI, RROFTË DIKTATORI !

    Tek bënin fushatë zgjedhore tre parti,
    Ambasadorët thoshin mos e shit votën,
    Por votat ishin blerë pa u hedhur në kuti,
    Se shqiptarët dëgjojnë xhepin e jo botën!

    Menjëherë për fitoren Amerika uroi Ramën,
    Ende pa u çertifikuar rezultati përfundimtar,
    S’kishin ç’të thoshin për blerjen dhe dramën,
    Më mirë të bënin si qorra se rolin si gomar!

    Në fund të fundit ky është çmimi që paguajmë,
    Nga indiferenca jonë në zgjedhje në demokraci,
    Një popull që shet votën idiot mund ta quajmë,
    Dhe e ka hak të qeveriset me shkërdhatokraci!

    Në një vend ku poeti bën propagandën e pushtetit,
    Dhe di të bëjë vetëm opozitën e opozitës përherë,
    E sigurtë është që ky vend nuk është fare i lirë,
    Është një vend “diktatorial”, një mut vendi mender!

    Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute,
    Ble vota, media, e intelektualë kjo “bishë” e paparë,
    Amerika e di shumë mirë se si rrëzohen regjimet,
    Tërë këtë kosto s’ka pse vetë përsipër ta marrë.

    Prandaj në demokraci duhet opozita e vërtetë,
    Se ajo është shpresa dhe garancia për lirinë,
    Por kur për opozitarë kemi ca koqeprerë për ibret,
    Populli do thojë rroftë diktatori bashkë me partinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *