Pëllumbeshë e vogël
Pëllumbeshë e vogël,
Që më le folenë,
Ike, po atje
Kujtimet të mbenë.
Ike edhe zure
Një folezë tjetër
E merak të mbeti
Foleza e vjetër.
Ike, u martove
Dhe ti, si të tjerat,
Ike, i harrove
Lodrat dhe pranverat.
I harrove lodrat,
Lodrat e rinisë,
Se në mes të hynë
Hallet e shtëpisë.
Haj, moj pëllumbeshë,
Ty të përgjërohem,
Së bashku me botën
Dhe unë rrotullohem
Dhe unë rrotullohem
E bëhem si ti,
Të të puth në ballë,
0 moj vajzëri.
Vajzëri, që ike
E më s’kthehesh prapa,
Do na ngrijë dimri,
Do na djegë vapa.
9 shkurt 2009
Po ti nuk e dije
Çdo hap që ti hidhje,
Rrija dhe përgjoja,
Po ti nuk e dije
Se unë të kërkoja.
Një zjarr e një flakë
Ma ndizje, ma fikje,
Unë të gjurmoja,
Po ti larg më ikje.
Nuk e di akoma
Përse m’u mbyll goja,
Ndaj ti nuk e dije
Se sa shumë të doja.
Yll, o yll i ndritur,
Që më le në hije,
Eh, ta kishe ditur,
Po ti nuk e dije.
Po ti nuk e dije,
Akoma s’e di,
Një e vetme mbete
Në dy sytë e mi.
Veç ty ëndërrova,
Zgjuar edhe fjetur,
Një e vetme mbete,
Fare e paprekur.
2 korrik 2008
