Pashë një ëndërr…
Nur’ i vdekjes të kish rënë,
në mes lulesh shtrirë,
ike ti dhe gjithë Bota,
u bë shkretëtirë!
Hidhërim i drithëruar,
oh-ç’m’i more mënd,
derdhej lot’ i syrit tim,
përmbi syrin tënd.
Po qerpik’ i syrit zi,
s’lëvizte një fije,
eh-se ç’kohë të vështira,
gjete që të flije!
Më le në botën e marrë,
vetëm-fillikat,
këtë lule të florinjtë,
mos ma merr-moj baltë!
Po papritur ja-u zgjova,
kisha parë ëndërr,
ti në gjirin tim të ngrohtë,
flije si një engjëll.
Zgjohu, jetën ta gëzojmë,
me mish e me zemër,
se një ditë-e vërtetë,
do të jetë kjo ëndërr!
Nuk do rrojmë njëmijë vjet,
o njerëz të gjorë,
jeta vjen e shkon papritur,
si një meteor!
Fundi i rrugës ku do vemi,
është i shkurtër shumë,
sa të rrojmë-sa të jemi,
të mos flemë gjumë!
Athinë, 1993
Duart e mia
Duart e mia-duart e mia,
o-ç’fat të keq që patën,
se ka ca kohë-në vend të lapsit,
përdorin veç lopatën!
Duart e mia-që nga llaçi,
u bëtë copa-copa,
oh-ç’thithi gjak nga trupi im,
sa mundi-Europa!
Duart e mia-duart e mia,
u bëtë për elegji,
se kini kohë që s’ngrini këngë,
po mure në Greqi!
Duart e mia-duart e mia,
më mirë më bëni gropën,
në djall të vejë demokracia,
së bashku me Europën!
Shkruar në Mistra-Sparta, 1993
Ju shpirtra demoni
Ma nxitë jetën-ju shpirtra demoni,
na hodhët vello turpi-si të huaj,
ndaj do jetoj dhe ju po të mos doni,
që të këndoj me gaz në vdekjen tuaj.
Sparta, 1993
Pse pi?!
Po pse pi-more Arben,
edhe prishesh në fytyrë?
Pi-që të më duket ndryshe,
Bota jonë-kaq e ndyrë!
Fier, 1992
Dallga e jetës
U sakatuam ditë e net me radhë,
edhe për të ardhmen s’gjetëm dot një shteg,
dhe dallgë e jetës, kob e zi gatuar,
na flaku pa mëshirë breg më breg.
Fati ynë, ç’qenka farmakosur,
lumturinë kurrë s’e kemi prekur,
nëpër brigje detesh të marrosur,
ecim-as të gjallë-as të vdekur!
Mistra-Sparta, 1992
