Noja keq na talli…
Me Barkën Biblike,
Noja keq na talli,
se nga ajo Barkë,
shpëtoi edhe Djalli.
Që ditën që Noja,
Barkën plot e mbushi,
rrinë pranë e pranë,
baruti dhe prushi.
Botës së paanë,
nuk ju gjet melhemi,
rrinë pranë e pranë,
mjalti edhe helmi.
Noja asnjë gjë,
s’lidhi me zinxhira,
ndaj shpëtoi e keqja,
njëlloj si e mira.
Që nga ajo kohë,
i njëjtë është halli,
se Noja-pa dashur,
me Barkën na talli!
Korrik 1998-Maj 2020
Dëshpërim…
O jetë e trishtuar,
si muzikë funebër,
ngado që hedh sytë,
shoh njerëz të egër…
1998
Ka pesë shekuj..
Ka pesë shekuj Shqipëria,
që lëngon në fund të gropës,
ne të gjithë e mbajmë veten,
më të mënçurit e botës.
Për gjithë brezat papushuar,
si për bijtë dhe për etërit,
çorba më e preferuar,
veç kokat e njeri-tjetrit.
1988
Gjarpëri…
Që prej mijëra vjetësh,
o njerëz të varfër,
te kolltuku i lartë,
frymë merr një gjarpër…
1998
Fluturimi…
Fluturon shqiponja,
gjer tek ylli i artë,
dhe e ngre folenë,
në majën e malit,
fluturon mushkonja,
në llum e në baltë,
dhe e ngrë folenë,
nën bishtin e kalit.
Po çudi e madhe,
në Shqipërinë time,
këto-që të dyja,
quhen fluturime.
1998
M’i ndiz ëndrrat…
Ma ndiz ëndrrën,
të shpresoj për jetën,
dhe pastaj nga ëndrra,
prapë zgjomë.
Miku im,
po më vrave shpresën,
më ke lënë kufomë.
1998
