Toka, shtëpia jonë e përbashkët…
Botën si në kor e shajmë,
ku fryn Juga dhe Veriu,
dhe harrojmë që këtë Botë,
e bën si të dojë Njeriu!
Hedhim mbi Botën e shkretë,
vetëtima dhe rrufe,
po të mirë-apo të keqe,
këtë Botë e bëjmë ne!
Shumica këtu e kanë,
një shtëpi ku fusin kokën,
po si shtëpi të përbashkët,
kemi Botën-kemi Tokën!
Kemi Tokën që e shajmë,
po përse e shajmë vallë,
se s’jemi ne që e mbajmë,
është Ajo që na mban gjallë!
Unë pres mrekullinë…
Në dhimbje pa fund,
kjo jetë më lodhi,
po unë-mrekullinë,
pres çdo ditë të ndodhi!
Pres që krejt papritur,
dhimbjet të më lënë,
të bëhem sërish,
lisi që kam qenë!
Kandilen e shpresës,
gjithnjë ndezur mbaj,
Krishtin dhe Marinë,
nga shpirti s’i ndaj!
Me dhimbje-pa dhimbje,
unë jam po njëlloj,
kur nuk i mund dot,
me to do jetoj!
Gjuha dhe traditat tapia që kemi!
Në një kohë të re,
tani po jetojmë,
po rrënjët e lashta,
kurrë s’i harrojmë!
Ne kurrën e kurrës,
s’i harrojmë rrënjët,
djepin e kulturës,
vallet edhe këngët!
Mbi shkëmbinj e gurë,
fluturon shqiponja,
s’i harrojmë kurrë,
ne traditat tona!
Zakonet e arta,
që na lanë të parët,
kështjella të larta,
për të gjithë shqiptarët!
Gjuhën tonë të shenjtë,
gjuhën e perëndive,
e kemi të shtrenjtë,
si dritën e syve!
Këtu ku u lindëm,
këtu ku u rritëm,
nga brezi në brez,
e çojmë traditën!
Në çdo skaj të Botës,
ne shqiptarë jemi,
gjuha dhe traditat,
tapia që kemi!
Bo-bo ç’më verbove!
Bo-bo ç’më verbove,
kur dole tek dera,
fustanin përpjetë,
se ç’ta hidhte era!
Ah-që s’kam dhe unë,
s’kam fatin e erës,
që të loz me ty,
te pragu i derës!
Veç aty do fryja,
jo në tjetër vend,
të loz sa të dua,
me fustanin tënd!
A.DUKA
