Vargje të zgjedhura

J L
  1. Vdes në puthjen tënde

 

Unë vdes në puthjen tënde,

po puthjes nuk i druhem,

se jam një flakëz hëne,

venitem-po nuk shuhem.

 

26.08.1999

 

  1. Çast…

 

O çast që më ke ikur,

o çast që prapë më vjen,

më lë qiri të fikur,

pastaj vullkan më gjen.

 

27.08.1999

 

  1. Gjëndet e vërteta

 

Këndova nga zëmra,

në një shkretëtirë,

dhe fjala dhe kënga,

m’u bënë xhevahirë.

 

Këndova gjith’ jeta,

këputa zinxhirë,

gjëndet e vërteta,

dhe në shkretëtirë!

 

3.11.1999

 

  1. Pas “LAMTUMIRES”

 

Dikur-kur shkrova: “Lamtumirë!”,

pyeta veten: “Pse u ngute?”,

se-përveç vdekjes-s’ka në botë,

asgjë më tjetër absolute.

 

Gjithmonë me vete kam menduar,

ajo që shkoi-iku-u prish,

po edhe çasti i kaluar,

plot me shkëlqim kthehet sërish.

 

Se jeta s’paska vetëm renga,

nuk është veç helm e pelin,

se vjen një ditë e shuhet brenga,

papritur syri merr shkëlqim.

 

Kaluan nuk e di sa vite,

dhe zjarri i parë m’u ndez sërish,

në qiellin tim ti m’u përndrite,

si një dhuratë perëndish.

 

Me dhimbje shtymë ditë-mote,

as unë-as ti nuk kishim vdekur,

në zëmrën time ndjenja jote,

ç’më kishte mbetur e paprekur.

 

Nga gjumi letargjik u zgjova,

sa kisha fjetur nuk e di,

të falem-Zot-që e takova,

sërish të parën dashuri!

 

23.03.1999

 

  1. Pa titull

 

Poet Magjistari,

s’ka pse ligështohet,

kur pëllet gomari,

bilbili s’dëgjohet!

 

27.10.1999

 

  1. Pa titull

 

Në një botë kaq të trazuar,

rrojta dhe s’e nxiva faqen,

o sa shumë paskam jetuar,

mes jush që urreni paqen!

 

27.10.1999

 

  1. Frymëzim biblik

 

Zoti im-e s’ka më tjetër,

më largo nga çdo gënjeshtër,

mos më bëj mbret me thesar,

as të varfër gjynahqar.

 

Më fal Ti-o Zot i ndritshëm,

veç ushqimin e përditshëm.

 

8.09.1999

 

Botuar në Dita, 1 tetor 2016

Share This Article
4 Comments
  • Ka ardhur koha qe tashme te botohen n disa vellime tematike “Vepra te Zgjedhura” te poetit te pavdekshem Arben Duka.

  • GËNJESHTRA DHE E VËRTETA

    Ta fala biri im,
    ushqimin e Perëndisë,
    por ti adhurove,
    diktatorin e partisë.

    Nga mëngjesi në darkë,
    shaje veç Salinë,
    dhe mburrje EDramën,
    punoje për partinë.

    Saliut mirë ja bëre,
    por nuk u ngope kurrë,
    e shave sa deshe,
    por kjo s’të bën burrë!

    Nuk kuptove dot,
    kush ishte e vërteta,
    veç me propagandë,
    të shkoi ty jeta.

    Diellin ngatërroje,
    të dukej si piktor,
    e adhurove me vargje,
    s’t’u lodh ajo dorë!

    Mburre Enverin,
    Krisht e Muhamed,
    s’njohe të vërtetën,
    ike e le këtë jetë.

    Lamtumirë o Dukë,
    o ëndërrimtar Himalaje,
    që me penën tënde,
    qeshje edhe qaje!

    Mos u mërzit fare,
    që ike nga kjo jetë,
    se poetë të zotë,
    ka dhe do të ketë.

  • Perzgjodha dy nga Poezite e te madhit Arben Duka :

    Pa titull

    Poet Magjistari,
    s’ka pse ligështohet,
    kur pëllet gomari,
    bilbili s’dëgjohet!

    27.10.1999

    Pa titull

    Në një botë kaq të trazuar,
    rrojta dhe s’e nxiva faqen,
    o sa shumë paskam jetuar,
    mes jush që urreni paqen!

    Arben Duka dhe I. Kadare jane te dy te lindur ne Gjirokaster, gjirokastrite, por ndryshojne shume nga refleksionet e tyre nepermjet poezive dhe shkrimeve qe kane krijuar ne vitet e pas 90-es. Arbeni rritet dhe maturohet, behet me i dashur per shumicen e lexuesve, ndersa Kadareja venitet dhe mpaket.
    Arbeni i sherbeu vegjelise dhe shtresave te varfra dhe te mesme, Kadareja i sherben oligarkeve dhe pushtetareve te pas 90-es, politikes se pas 90-es qe i formesoi .

  • PËR ÇFARË NA DUHET NJË BOTË PA RUSINË?

    Thonë se Rusisë,
    nuk i duhet bota,
    më mirë diktatura,
    demokracitë janë të kota!

    Në këtë botë ka vend,
    për njerëz të lirë,
    një botë pa diktatorë,
    do ishte botë më e mirë.

    Bota ka vend për Rusinë,
    jo për armë bërthamore,
    jo për Putin gjakatarin,
    që dynjanë e sheh therrtore!

    Nëse rus Putin mavrisë,
    s’i duhet bota mbarë,
    lamturmirë o psikopat,
    ndjesë paç o i vrarë!

    Provoje shtype butonin,
    e bombës bërthamore,
    të shohësh botën tjetër,
    para se të bësh therrtore!

    Alfa dhe Omega,
    o Putin nuk je ti,
    për fatet e botës,
    vendos tjetër njeri.

    Mos luaj me zjarrin,
    se keq të përvëlon,
    mos luaj me botën,
    se ti i pari shkon!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *