VARGJE TË ZGJEDHURA LIRIKE

redaktor

1. Të kam thënë…

Të kam thënë-moj flutur,
po ti nuk përgjigjesh:
“Mos ju afro flakës,
në s’do që të digjesh!”

Të kam thënë-moj flutur,
po ti më mërzitesh:
“Mos iu afro dallgës,
në s’do që të mbytesh!”

Të kam thënë sërish,
po ti s’dorëzohesh:
“Mos iu afro dritës,
në s’do të verbohesh!”

Të kam thënë-moj flutur,
po dhe ti më thua:
“Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua!”

Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua,
nuk e njohu frikën,
kush u dashurua!

Korrik, 2005

 

2. Pa titull

Kujtoj me mall një dashuri që pata,
e gdhendur në zjarr porsi shpata,
kujtoj me mall një zjarr-një dashuri,
në zjarr u gdhend dhe po aty u shkri!

Gusht, 2004

 

3. Pa titull

I këndove-Esenin-Shaganesë,
dhe s’doje veç saj një tjetër nuse,
ti më habit-i dashur-për besë,
unë do kisha vdekur për një ruse…

Stamboll, 25.01.2005

 

4. Si do të rrosh ti pa mua?!

Më fal njëqind vjet-i thashë Zotit,
përpara se të nis të madhin gjumë,
njëqind vjet-por jo për veten time,
t’i dhuroj tek njerëzit që dua më shumë.

Dhe Zoti-si Zot i vërtetë,
menjëherë njëqind vite m’i fali,
mua mëndja më shkoi menjëherë,
t’i falja te vajza-te djali.

Po dot nuk ua fala të gjithë,
edhe pse s’kisha pengesa,
ndaj pjesën tjetër që mbeti,
e ndava tek nipi dhe mbesa.

Kur të njëqind i dhurova,
më foli ajo që kam grua,
më tha me sy të përlotur:
“Ca vite dhe unë i dua!”

Eh-moj e dashur-i thashë,
të të fal me qindra unë dua,
po në një botë kaq të egër,
si do jetosh ti pa mua?!

Prill, 2016

 

5. Pa titull

Për syrin e verbuar je drita,
për veshin e shurdhër kambanë,
për helmin dhe dhimbjen je prita,
për gazin një det i paanë.

Për zemrën time je roje,
rri pret shigjetat me majë,
se vetëm për vete më doje,
ma ngule shigjetën pastaj!

Tiranë, 2005

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *