VARGJE TË ZGJEDHURA NË VITE

redaktor

1. Noja keq na talli

Me Barkën Biblike,
Noja keq na talli,
se nga ajo Barkë,
shpëtoi edhe Djalli.

Që ditën që Noja,
Barkën plot e mbushi,
rrinë pranë e pranë,
baruti dhe prushi.

Botës së rilindur,
nuk ju gjet melhemi,
rrinë pranë e pranë,
mjalti edhe helmi.

1998

2. Dëshpërim

O jetë e trishtuar,
si muzikë funebër,
kudo që hedh sytë,
shoh njerëz të egër…

1998

3. Sa gjeneralë

Sa gjeneralë me fanfara nisen,
gjoksepërshkëndritur nga kordonet,
Zot-sa kemi parë se si gremisen,
yjefikur-thellë katakombesh.

1997

4. Vajzat dhe pemët

Kur zhvishen pemët,
ngjajnë të ngrira, të shkreta…
Kur zhvishen vajzat, ndrijnë,
vetëtijnë, si kometa…

1998

5. Misteret e natës blu

Ç’m’i zbulove-dashurore,
misteret e natës blu,
kupë e ndritur qiellore,
u përmbys në sytë e tu.

Natë e kaltër u bë rozë,
dridhet briri nëpër pyje,
sytë e vashës-misteriozë,
buzët m’i mbushën me yje.

E bekuar qofsh-moj natë,
yjet kurrë mos i largo,
ç’e vlen dita-kur djeg vapa,
kur jeton një natë si kjo…

1980

6. Amazona

Shoh një amazonë,
ëndrrave përnatë,
mos-Arben-më thonë,
mos-se bën mëkat!

Dy buzët e saja,
t’i puthja njëherë,
të shkoja pastaj,
drejt e në skëterrë.

Të digjesha valë,
kazanësh me squfur,
kujt i duhet vallë,
parajsa pa puthur?!

1998

7. Bukuroshja që s’ka mend

Për vashë lastaren,
s’më zë kurrë qederi,
që ka naze zane,
po nga mëndja trokë.
Unazë floriri,
në feçkën e derrit,
janë bukuroshet,
që s’kanë gjë në kokë…

1998

8. Gjëmon pylli

Gjëmon pylli anë e mbanë,
kur jep shpirtin elefanti,
po dhe miza-kur e shkelin,
ka dhimbjet e një gjiganti.

1998

9. Pikëllimi

Me fjalë e me sy,
mos e vrit të varfrin,
pikëllimi i tij,
helmon edhe gjarprin.

1997

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *