Vargjet e Arben Dukës

anazapta

MBI GJITHË TË GJALLËT !..

Tani vij rrallë tek varri yt,
gjë tjetër s’më ka mbetur,
s’më thua dot: “Mos u mërzit!”,
se edhe ti je tretur!

T’i dije ti dhimbjet e mia,
do vije ulërimën,
kur prisja dritë nga perëndia,
më hodhi vetëtimën!

Fëmijtë nga vatra më janë shkulur,
tani vërtitem kot,
një thikë në zemër më është ngulur,
dhe nuk e shkul më dot!

Veç shkruaj vargje si i marrë,
fletore mbush me dhjetra,
ka frikë vdekja të më marrë,
me thonj dhe me kthetra!

Të paktën ti të ishe gjallë,
t’i ndanim dhimbjet tok,
po ti më ike-Yll i rrallë,
më ike si një zok!…

Po ti më ike si një zok,
në tjera hapësira,
ah veç një ditë të ishim tok,
pa pranga dhe zinxhira!

Se unë zinxhira kam vërtetë,
në këmbë dhe duar,
ndaj vij kaq rrallë se kam siklet,
tek ti moj e bekuar!

Me netë të tëra jam përpjekur,
si peshku përmbi zall,
të kam unë ty dhe pse e vdekur,
mbi çdo njeri të gjallë!

Se nga të gjallët pashë çdo ditë,
veç halle dhe siklete,
ilaç i vetëm edhe dritë,
veç ti Mama më mbete!

Po ka ca kohë që ndjej gëzime,
sikur m’u tret mërzia,
se ti moj bukuroshja ime,
rilinde tek Sofia!

Para Sofisë është baltë koti,
i gjithë margaritari,
do vijë tek si ëngjëll zoti,
dhe do të ngrejë nga varri!

2006 – 2013
Shënim – Sofie Helena Duka është
vajza e djalit tim, Denisit.

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *