Vargjet e Arben Dukës!

anazapta

KUSH S’NJEH TË VËRTETËN

Kur përmbi atdhe,
Nxin një vello zie,
Na duhen kushtrime,
Jo këngë dashurie!

Me kohë ato këngë,
Unë i kam qëndisur,
Po sot në beteja,
Vargun e kam nisur!

Sot kur është Liria,
I vetmi refren,
Vargu aty duhet,
Vargu aty vlen!

Askush mos mendojë,
Se është krejt i lirë,
Sot kanë tjetër formë,
Pranga e zinxhirë!

Se shpeshherë liria,
Është një iluzion,
S’mund të jesh i lirë,
Kur si krimb jeton!

Unë jam jetë e mot,
Aty ku agon,
Krimbat s’i ngre dot,
Në revolucion!

Kjo fjalë është e dashur,
Në fjalorin tim,
Se revolucioni,
Bën gjithmonë ndryshim!

Zjarri dhe baroti,
S’janë deviza ime,
Se revolucioni,
Fillon në mendime!

Nuk lëviz nga vendi,
Kush s’njeh të vërtetën,
Dhe nuk mendon kurrë,
Si ta ndryshojë jetën!

Himni i lirisë,
Është misioni im,
Ndaj ju nxis përditë,
Për një rebelim!

Janë të pafundme,
Dritat e mendimit,
A s’është rebelim,
Vepra e Darvinit?

A s’janë rebelime,
Veprat e titanëve,
Dhe tani së fundi,
Votë e italianëve?!

Po shkruaj për Krishtin,
S’po shkruaj për Judën,
Po shkruaj për Brehtin,
Lorkën e Ne Rudën!

Po shkruaj për Bërnsin,
Ricon-Uitmanin,
Shkruaj për Pushkinin,
Majakovsk Viganin!

Për atë që shpirt,
I dhanë njerëzisë,
Ishin në çdo gërmë,
Nga anë e lirisë!

Po flas për Botevin,
Për Nazim Hikmetin,
Për ata që shok,
Patën vetëm detin!

Patën vetëm detin,
Dhe malin e lartë,
Ndaj popujt i derdhën,
Në buste të artë!

Share This Article
1 Comment
  • Ne ne bronx e ar
    kishim luftetaret
    Ndersa sot Arben
    Po ngreme tradhetaret

    Ata qe ja mbathen
    Ngarkuar me ar
    Iken si kusare
    Kthehen fitimtar

    Shqiperia ime
    po te ecen fati
    Ta bene historine
    Tamam lesh -arapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *