Sipas Pushkinit!
Kujtoj at’ çast të paharruar,
Kur ti m’u shfaqe para sysh,
Gjer në detaj e pikturuar,
Si një dhuratë perëndish!
Mundim e lodhje seç mu tretën,
Më ikën krejt si me magji,
Të shtangur sytë tek ty më mbetën,
Se s’kishin parë një perëndi!
Këtë magji-këtë finesë,
Këtë shkëlqim që të merr sytë,
Njeriu shekuj mund të presë,
Dhe nuk e sheh për herë të dytë!
Tek një e vetme janë mbledhur,
Gjithë mrekullitë e rruzullimit,
Në çast kjo xhinde më ka hedhur,
Poshtë në greminë të frymëzimit!
Ti s’mund ta fshehësh bukurinë,
Dhe ndryshe krejt tek unë të vije,
Pa u gremisur në greminë,
S’mund t’i këndosh një perëndie!
Dhe kritizeri më i çmendur,
Tek ty nuk gjen dot një defekt,
Se ti e gjitha je e gdhendur,
Se ti e gjitha je perfekt!
Të adhuroj por nuk të dua,
Kjo do të ishte marrëzi,
Se mendja s’më ka ikur mua,
Të dashuroj një perëndi!
Kur para syve ti m’u shfaqe,
Krejt madhështore si kështjellë,
Në shpirtin tim nuk kish më paqe,
Dhe rashë në honin më të thellë!
Veç Zoti ty mund të afrohet,
Tani është vetëm pa Marinë,
Po dhe Ai mirë do mendohet,
Kur të ta shprehi dashurinë!
M’u shfaqe ti e s’jam i bindur,
Në ishte verë apo vjeshtë,
Po jam i bindur që s’ke lindur,
Për një njeri fare të thjeshtë!
Që nga ai çast i paharruar,
Kur ti m’u shfaqe si magji,
I kaloj ditët i hutuar,
E kaloj jetën në mërzi!
Se që kur gdhin e gjersa muzget,
E kaloj ditën katrahurë,
Përpara teje sot më duket,
Çdo grua një karikaturë!
Nuk është çudi të më shikoni,
Gjithnjë të vetëm si kukuth,
Mbas gjithë atij nur perfeksioni,
Një tjetër femër s’mund të puth!
Vetëm një çast e ti më çmende,
Kometë që shndrite krejt papritur,
Unë ëndërroj veç buzën tënde,
Ndaj do të vdes krejt i zhuritur!
E bukur por nga Pushkini.
Je i madh Arben Duka.
Rdhe u8ne ;Je i madh A.Duka