Gjakatarët
Më ka ngelur gozhdë në tru,
Një deklaratë që është dhënë:
“Dhe Gërdeci kësaj here,
Ka votuar për PD-në”
Nuk po u besoja veshëve,
Për atë që kishte ngjarë,
Dhe cinizëm më pervers,
S’kisha dëgjuar e parë!
Kjo është tragji-komedi,
I thashë vetes dhe njëherë,
Se këta votojnë PD-në,
Edhe kur i hedh në erë!
Si këta votojnë PD-në,
Kur të vret e kur të djeg?
U mundova që të gjeja,
Për logjikën ndonjë shteg!
Duke ditur mekanizmin,
Si bën PD-ja përherë,
Mendova se me patjetër,
Ca ka vjedhur-ca ka blerë!
Ca ka vjedhur-ca ka blerë,
Siç e ka zakon një bandë,
Po ç’i duhej ai fakt,
Për të bërë propagandë!
Për cinizmin kriminal,
Nuk ja vlen më shumë të flasim:
“Aq shumë na duan këtu,
Na votojnë dhe kur i vrasim!”
Sipas logjikës së kafshës,
Njerëzit këtu mezi presin,
Për pushtetin e PD-së,
Mezi presin që të vdesin!
Dhe PD-ja si PD-ja,
Që ne na pandeh idiotë,
Deklaron me zënë e djallit,
Dhe vdekjen e kthej në votë!
Logjika s’të hyn në punë,
Kur tjetri nuk ka logjikë,
Kur thotë për mua votojnë,
Edhe po t’i therr me thikë!
Këtu s’hyn në punë logjika,
Ndaj uroj që sa më parë,
Këta gjakatarë u shofshin ,
Rrënjë e degë dhe rrënjë e farë!