Heshtja s’është gjithmonë flori
“Ul kokën e shtrëngo rripin”,
Nuk është zgjidhje o njeri,
Kur të shkelin e të shtypin,
Heshtja s’mund të jetë flori!
Në zenith ngrihen çmimet,
Ti shikon e heshtur rri,
Nuk flet kur ndodhin dhe krimet,
As kjo heshtje s’është flori!
Kur merr plagë Drejtësia,
Ti prapë si memeci rri,
Kaq gjë e kupton dhe dhia,
As kjo heshtje s’është flori!
Kur sheh si të vidhet vota,
U hedh syve një dorë hi,
Kaq gjë e di dhe më rrota,
Dhe kjo heshtje s’është flori!
Shteti vret njerëz në rrugë,
Ti prapë nuk flet o njeri,
Trazon përsheshin me lugë,
As kjo heshtje s’është flori!
Hesht kur vijnë male me plehra,
Veç pisllëk e pocaqi,
As kjo heshtje si të tjera,
Domosdo që s’është flori!
Shikon si bën qeveria,
Kasaphanë mbi histori,
Ti hesht si gjithnjë ke heshtur,
As kjo heshtje s’është flori!
Hesht kur bustet e heronjve,
Dhunohen në Shqipëri,
Ha me dhëmbë majat e thonjve,
As kjo heshtje s’është flori!
Hesht kur sheh se në çdo zyrë,
Bëhen veç padrejtësi,
Hesht i skuqur në fytyrë,
Po kjo heshtje s’është flori!
E me kohë një fenomen,
Mund të marrë kuptim të ri,
Ndaj dhe unë sot po ju them:
“Heshtja s’është gjithmonë flori…”