Vargjet e Arben Dukës

anazapta

Po kthehem…

Shqiponjës i gdhendën,
Kafaz prej floriri,
Po asaj në mal,
I kish mbetur syri!

Po asaj në male,
Syri i ka mbetur,
Malli për folenë,
Shqipen e ka tretur!

Në kafaz të artë,
Shqiponja u tret,
Larg nga mal’i lartë,
Nga fole e vet!

Në kafaz të artë,
Aspak s’kapardisej,
Mendonte çdo çast,
Si të arratisej!

Sa gjeti momentin,
S’mendoi një grimë,
Fluturoi në qiell,
Si një vetëtimë!

Poshtë shpalosej toka,
Porsi një pasqyrë,
U bë shpend i bukur,
Një shqiponjë e lirë!

Një shqiponjë e lirë,
I thosh mali: “Eja!”
Ajo mbajti frymën,
Drejt e te foleja!

Drejt e te foleja,
Tek era e nënës,
Jehonte në male,
Simfoni e zemrës!

Dhe unë si shqiponja,
Rehat s’gjej gjëkundi,
Iki si veri,
Po kthehem si plumbi!

Po kthehem si plumbi,
Në fshat – në Odrie,
S’ngopem edhe s’ngopem,
Me erë Shqipërie!

Kudo ku kam shkuar,
Në siklet jam gjendur,
Se pas Shqipërisë,
Unë jam krejt i çmendur!

*SHBA, Janar

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *