Eh, moj Jozefinë…
Kur ti rri e heshtur
Ngjan si Shën Maria
Po sa nis e flet
Më kap lemeria
Se shqipen e shkretë
E bën krejt fërtele
Siç thua dhe vetë
E bën fare zhele
Na thua me mburrje
“Unë flas gegërisht
Siç fliste Migjeni
dhe hazreti Fishtë”
Ti s’e ke lexuar
Millosh Gjergjin fare
Si shkruan kulluar
Veç shqipen letrare
Fishta i “Lahutës”
Që ti shembull more
Sjell me gegërishten
Një muzikë hyjnore
Ka dhe plot të tjerë
Që ty s’ti nxe koka
Mjeda i magjishëm
Dhe Filip Shiroka
Ti lexosh tërë jetën
S’të mërziten kurrë
Ti dhe gegërishten
e ke bërë çamurë
Ngado që ta zëmë
Je në kundravajtje
Jo vetëm në formë
Po dhe në përmbajtje
Ti mundohesh shumë
T’i ngjasosh Saliut
Si ai të flasësh
Gjuhën e ariut
Po edhe Saliu
(s’e kam me të futur)
Nga ty e flet shqipen
Njëqind herë më bukur
Si sot dhe më parë
Të kam thënë pa rreshtur
Që të dukesh zonjë
Më mirë rri e heshtur
Se kur rri e heshtur
Dukesh yll i bërë
Po sa nis e flet
I tromaks të tërë