Vargjet e Arben Dukës

anazapta

Majtas, majtas, vetëm majtas

E dinë dhe gurët e rrugës
Se unë jam komplet i majtë
Po unë kurrë nuk mbeta udhës
Dhe prapë luftë do bëj me djajtë

Jo, se unë po nis raketa
Jo, se unë po bëj hatanë
Poetët, ç’është e vërteta
Në gjithë botën kështu janë

Nuk përdor plumbin e thikën
Por si shqipe rri në pritë
Me të keqen dhe të ligën
Duhet të luftojmë përditë

Ka thënë Majakovsk’ gjeniu
Kur bota qe ndarë me mur
Se dhe kënga, se dhe vargu
Janë bomba dhe flamur

Shumica këtu kanë heshtur
Heshtur janë më keq se varri
Asnjëherë nuk duhet rreshtur
T’i nxjerrsh bojën çdo kusari

Në shenjestër kë kam venë
asnjëherë nuk dola huq
Edhe kur kusarët qenë
Si të lyer me të kuq

Majtas, majtas, vetëm majtas
Në çdo varg e në çdo libër
Unë s’jam president Nishani
Që të “ruaj ekuilibër”

Majtas, majtas vetëm majtas
Aty ku gjëmon trumbeta
Me të majtën në pushtet
Ndryshe krejt do ishte jeta

Mund të thoni: “O poet,
Nuk na merr dot ti përdore”
Por e majta, miqtë e mi
Ka fytyrë më njerëzore

Sala flet, veten dëgjon
Krejt i dalë nga fush’e lojës
Por shqiptari po lufton
për kafshatëzën e gojës

Turp i madh me të vërtetë
Miq, besoni Arben Dukën
Në dymijë-e-dymbëdhjetë
Të mendosh vetëm për bukën

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *