Variçet dhe venat merimangë, këshillat si duhen trajtuar

J L

Pranvera Kola

Variçet janë një ndër problematikat që hasen më shpesh, kryesisht tek moshat e rritura. Formimi i tyre mund të ndodhë si në sipërfaqe të lëkurës (venat merimangë), ashtu edhe në brendësi (venat varikoze). Mjekja Ilda Xhelili tregon si për “Dita” se të dyja këto nozologji janë kushte të zakonshme që prekin mbi 50 për qind të popullsisë së rritur. Venat merimangë (teleangioektasitë) janë grupe të enëve të vogla të gjakut që zhvillohen afër sipërfaqes së lëkurës. Ato shpesh janë të kuqe, blu ose në ngjyrë vjollcë dhe kanë pamjen e rrjetës së merimangës. Ato zakonisht janë prezente në fytyrë dhe në këmbë. Ndërsa venat varikoze (varicet) janë vena më të thella, më të mëdha, anomalisht të zgjeruara që shfaqen më shpesh në këmbë. Ato janë tipike blu, vjollcë dhe shfaqen gjarpëruese dhe të fryra duke u ngritur edhe mbi sipërfaqen e lëkurës. Në vijim të shkrimit mjekja tregon gjithçka rreth kujdesit që duhet të tregojmë ndaj parandalimit dhe trajtimit të variceve.

Pse formohen venat merimangë dhe venat varikoze?

Venat merimangë dhe venat varikoze shkaktohen nga anomalitë strukturore të enëve të gjakut dhe përkatësisht të venave. Venat bëjnë pjesë tek enët e gjakut të cilat e mbledhin gjakun nga i gjithë trupi për ta kthyer përsëri në zemër (në anën e djathtë të saj). Për të bërë të mundur rrugëtimin e gjakut në drejtim të zemrës, venat kanë një sërë valvulash që pengojnë kthimin mbrapsht të gjakut. Për një sërë arsyesh këto valvula mund të dobësohen, ose të dëmtohen duke lejuar lëvizjen e kundërt të gjakut dhe grumbullimin e tij në vena. Kjo bën që të rritet presioni brenda venave dhe të dobësohet muri i enëve të gjakut. Pikërisht nga bashkimi dhe zgjerimi i enëve të prekura të gjakut do të zhvillohen venat merimangë dhe venat varikoze.

Cilët janë faktorët e riskut  që rrisin shanset e zhvillimit të këtyre çrregullimeve venoze?

Të dyja format janë shumë të zakonshme tek të rriturit, megjithëse gratë kanë tendencë t’i zhvillojnë ato më shpesh sesa burrat. Ekzistojnë një larmi faktorësh që rrisin shanset e këtyre çrregullimeve, të cilat kryesisht përfshijnë moshën e avancuar, qëndrimet e gjata në këmbë ose ulur, mbipesha, shtatzanitë, terapitë hormonale zëvendësuese, pilulat e kontrollit të lindjeve, dëmtimet e venave, operacionet e venave, çrregullime të mpiksjes së gjakut, si edhe histori familjare me çrregullime të venave.

Cilat janë simptomat kryesore klinike?

Venat merimangë dhe venat varikoze, shpesh nuk shkaktojnë simptoma klinike përveç pamjes së tyre estetike të padëshirueshme. Sidoqoftë, individë të caktuar mund të paraqesin simptoma klinike problematike dhe kryesisht për venat varikoze në krahasim me venat merimangë. Simptomat mund të përfshijnë ënjtje, dridhje, dhimbje, djegie,kruajtje, rëndim, ndjesi shpimi si gjilpëra ose ngërçe të këmbëve. Këto simptoma shpesh përkeqësohen gjatë qëndrimeve të gjata në këmbë, ose ulur.

Çfarë ndërlikimesh shkaktojnë?

Megjithëse venat merimangë dhe venat varikoze rrallë shkaktojnë komplikacione serioze, tek disa individë mund të shkaktojnë ulceracione (plagë) të lëkurës. Këto plagë të hapura shfaqen zakonisht në pjesën e poshtme të këmbëve dhe mund të çojnë në infeksione të indeve të buta. Disa individë me vena varikoze mund të zhvillojnë gjithashtu mpiksje gjaku brenda venave, apo edhe gjakderdhje të lokalizuara.

Si duhen trajtuar këto raste?

Megjithëse shumica e këtyre rasteve me vena varikoze dhe vena merimangë nuk kërkojnë trajtim, ata individë që zhvillojnë komplikacione duhet të kërkojnë kujdes mjekësor dhe trajtim. Trajtimi i tyre në më të shumtën e rasteve kërkohet për arsye kozmetike. Ekzistojnë gjithashtu masa të ndryshme konservatore që mund të përdoren në kushtet e shtëpisë për të ndihmuar në zbutjen e shenjave klinike apo edhe në parandalimin e ndërlikimeve të mundshme.

Konkretisht, çfarë rekomandohet në kushtet e shtëpisë, si masë parandaluese për shfaqjen e këtyre çrregullime venoze?

Janë një sërë masash që mund të merren në kushtet e shtëpisë, ose gjatë përditshmërisë me qëllim parandalimin e tyre, apo edhe lehtësimin e simptomave që shkaktojnë. Ndër to do të përmendim përdorimin e çorapeve të kompresionit, ndjekjen e një programi të rregullt ushtrimesh, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, shmangien e qëndrimeve ulur, apo në këmbë për një kohë të gjatë, përdorimin e veshjeve të duhura. E në rast kur këto masa nuk japin efektet e duhura duhet të vijohet me procedurat e caktuara mjekësore.

Çorapet e kompresionit

Çorapet e kompresionit janë një ndërhyrje e thjeshtë për t’u përdorur në shtëpi për të ndihmuar në zbutjen e simptomave në këmbë. Ato përmirësojnë qarkullimin e gjakut duke rritur presionin në këmbë. Këto çorape vijnë në larmi stilesh dhe pikash të forta kompresioni. Personeli i shërbimit shëndetësor duhet të rekomandojë palën e duhur në varësi të masës individuale. Këto lloj çorapesh mund të blihen në farmaci, ose në dyqane që ofrojnë pajisje mjekësore.

Ndikimi i ushtrimeve fizike dhe peshës

Një program i rregullt i ushtrimeve fizike dhe humbja e peshës mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave klinike të këtyre çrregullimeve venoze. Sikundër e theksuam edhe më lart mbipesha mund të rëndojë simptomat e venave varikoze.

Kujdesi gjatë ditës

Personat e prekur duhet të shmangin qëndrimin në këmbë, ose ulur për periudha të gjata kohore. Është mirë që këmbët të ngrihen mbi një karrige ose të vendosin një jastëk poshtë këmbëve kur janë shtrirë për të ndihmuar kthimin e gjakut në drejtim të zemrës, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të ulur ënjtjen e këmbëve. Shmangni mbajtjen e këmbës mbi këmbë ndërsa qëndroni ulur. Shmangni veshjet e ngushta në zonën përreth belit, ijeve dhe këmbëve.

Procedurat mjekësore

Ndonjëherë, trajtimi konservativ mund të mos japë rezultatet e dëshiruara. Prandaj në këto raste janë të disponueshme procedura mjekësore të specializuara në varësi të vendndodhjes dhe madhësisë së venave të dëmtuara. Këto procedura mjekësore shpesh ndërmerren për arsye kozmetike.

Skleroterapia

Kjo është një procedurë e zakonshme mjaft efektive në eliminimin e shumicës së venave merimangë dhe të disa venave varikoze. Kjo procedurë nuk kërkon anestezi dhe realizohet përmes një injeksioni direkt në venën e prekur. Ky trajtim mund të kërkojë seanca të shumta trajtimi dhe koha e shërimit mund të ndryshojë nga një individ në tjetrin. Në përgjithësi venat merimangë do të fillojnë të zbehen brenda 3 deri në 6 javë pas trajtimit, ndërsa venat varikoze mund të kërkojnë disa muaj për t’u përgjigjur. Efektet anësore të mundshme përfshijnë enjtjen, gjakderdhjen, infeksionin dhe zbardhjen e lëkurës.

Terapia me rreze lazër

Një trajtim i zhvilluar kohët e fundit është terapia me rreze lazer. Ashtu si edhe gjatë skleroterapisë, edhe në këtë rast janë të nevojshme disa seanca për të marrë rezultate optimale. Efektet mund t’i marrim nga disa javë deri në disa muaj pas trajtimit. Efektet anësore të mundshme përfshijnë skuqje të vogla ose ënjtje rreth zonës së trajtuar, vezikula (fshikëza të lëkurës) dhe rrallë dhëmbëzime.

Rastet kur duhet ndërhyrja me kirurgji

Në rastin e rasteve të rënda të venave varikoze, kirurgjia është një mundësi e mirë. Padyshim që mjeku do të bëjë vlerësimin e situatës individuale shëndetësore për të përcaktuar edhe trajtimin përkatës. Si efekte anësore të mundshme të kirurgjisë do të përmendja infeksionin, dëmtimin e nervit, mpiksje të gjakut të venave të thella ose një reagim alergjik ndaj anestezisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *