Vasil Bedinaj: Vlora është gati për një kryebashkiak të pavarur

redaktor

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Vasil Bedinaj, në këtë intervistë , prezanton platformën e tij për Bashkinë e qytetit bregdetar. Bedinaj thotë se Vlora është gati për një kandidat të pavarur, pasi qytetarët janë të ngopur me premtime e bëra nga njëra palë politike apo tjetra. “Jam një ish-emigrant që mora rrugët e mërgimit në rininë time. Jam një njeri që kam punuar gjithë jetën time për të arritur më të mirën e mundshme për familjen time. Jam një investitor i suksesshëm dhe Kryetar i Shoqatës së operatorëve turistikë të jugut. Përfaqësoj ata qytetarë që deri më sot kanë qenë të varur nga politika dhe që nuk kanë arritur të shikojnë të realizohet një e ardhme e sigurtë për ta dhe fëmijët e tyre dua të mendoj që përfaqësoj shumicën e vlonjatëve në pakënaqësinë tonë me politikën, por do e mendoj mbasi të jetë numëruar edhe vota e fundit”, shprehet Bedinaj.

 

Çfarë ju shtyu të kandidonit për postin e kryetarit të bashkisë?

Motivi im është shumë i thjeshtë. Si unë edhe qindra mijëra shqiptarë lanë vendin e tyre dhe ikëm rrugëve të botës për të kërkuar një të ardhme më të mirë, kur faktikisht e ardhmja jonë është këtu. Nuk kam gjetur vend më të bukur dhe më të dashur për mua sesa Vlora. Guri i rëndë në vend të vet thotë populli. Problemi qëndron që ne të gjithëve na është vënë një gur shumë i rëndë në kurriz dhe kjo është politika. Vlora ka përfunduar në gjendjen që është vetëm nga mungesa e vendimmarrjes, nga ndërhyrja e interesave të mëdha të atyre që nuk e kanë kulturën e punës, vizionin dhe nuk e kuptojnë që e vetmja rrugë përpara është interesi i gjithë qytetit para interesave të një grupi njerëzish. Kjo ndodh në të gjithë Shqipërinë. Kandidatët duhet t’i përkasin një force politike dhe vetëm ato kanë të drejtën që të qeverisin. Pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton absolutisht. Ne kemi arritur në atë pikë që edhe taksat i paguajmë me parti, që punësohemi me parti, shërbehemi me parti dhe pasurohemi me parti. Kjo nuk është e drejtë! Mungesa e pabarazisë në shërbime nga shteti sjell padrejtësi shoqërore që më pas sjell të gjitha problemet e tjera. Mbi të gjitha, ishin qytetarët vlonjatë, kolegët e biznesit, shoqëria civile që fatkeqësisht nuk e ka mundësinë financiare të kandidojë pa mbështetje partiake, njerëzit e thjeshtë që i takoja përditë dhe e dinin se çfarë kisha në mëndje dhe zemër që më shtynë të kandidoj. Unë kandidoj për Vlorën dhe Vlonjatët, të gjithë pa përjashtim, të majtë, të djathtë, të ardhur nga Korça, nga Librazhdi, Dibra apo Kukësi. Të gjithë vlonjatët.

Cila është platforma juaj?

Ne, dhe them Ne sepse jemi shumë, jemi 160 mijë banorë të Vlorës, duam gjërat më elementare, ato që i kemi vetë në dorë dhe nuk e kuptojmë përse deri më sot nuk na janë bërë. Infrastrukturë, Vlora përveç bulevardit që edhe ai këto ditë është shqyer në prag të sezonit turistik, nuk ka asnjë rrugë të shtruar edhe ato që janë të shtruara janë në gjendje shumë të keqe. Problemet nuk ka vlonjat apo fshatar i Vlorës që nuk i di, janë jetike dhe shumë të nevojshme. Ujë, rrugë, ndriçim, transport, bujqësi, biznes, punësim. Dhe ne këto kemi në platformën tonë. Nuk ju premtojmë asnjë gjë qytetarëve vlonjatë, përveç faktit që unë do punoj, do punojmë së bashku, duke dëgjuar njëri tjetrin, duke bërë ato që na duhen.

A mendoni që Vlora është gati të mbështesë një kandidat të pavarur?

Vasil Bedinaj 2Vlora ka një traditë shumë të bukur, që hesht dhe hesht dhe ta kthen përgjigjen kur nuk e pret. Unë jo vetëm që mendoj që Vlora është gati për një kandidat të pavarur. por edhe Shqipëria duhet të jetë gati për kandidatë të pavarur. Ne jemi shumë, që morëm këtë iniciativë që të përballeshim me monopolin e politikës që e ka katandisur Shqipërinë në këtë gjendje. Qytetarët janë të ngopur me premtime dhe nuk kanë parë asnjë nga premtimet si të njërës palë si të tjetrës që të realizohen. Po, mendoj që Vlora është gati, ka qenë gati gjithmonë, thjeshtë tani i erdhi momenti i duhur.

Ju vini nga fusha e biznesit, a mendoni që administrimi i bashkisë është njësoj si administrimi i biznesit?

Sigurisht, bashkia ka vuajtur për një administrator me aftësi manaxhuese. Kemi pasur kryebashkiakë nga të gjitha fushat dhe profesionet dhe shuma e punës së tyre është një Vlorë që gjysma është e palegalizuar, nuk figuron si taksapagues, me infrastrukturë të mangët, të papërfillur nga shteti dhe të trajtuar si të tillë nuk kanë përfituar gjë dhe kanë ngelur një aset që nuk është shfrytëzuar kurrë. Pra, duke folur si biznesmen, nuk e kemi komoditetin që të mos shfrytëzojmë të gjitha resurset në punë dhe të mos të mbledhim taksat. Pa njërës që punojnë dhe pa lekë për të investuar nuk bëhet asnjë gjë. Atë model kërkesë llogarie që kam për punën e biznesit tim do e sjell në bashki. Vlora ka nevojë për punë dhe disiplinë, manaxhim të ndershëm të tyre dhe eksperiencë në thithjen e investimeve të huaja dhe nxjerrjen e fitimeve. Bashkia është biznesi i qytetarit të parë të qytetit dhe unë mendoj që kam skuadrën, dëshirën dhe eksperiencën për ta kthyer Vlorën ne një qytet ku biznesi dhe qytetari janë 1, rrisim të ardhurat e qytetarit rrisim të ardhurat e bashkisë, dhe futemi në një zinxhir pozitiv në ndërtimin e një bashkie model për të gjithë vendin.

Çfarë do të bënit po të mos e fitonit postin e kryebashkiakut?

Unë nuk kandidoj që të fitoj një post. Unë jam njeri punëtor, që punon dhe kam një biznes shumë fitimprurës, nuk e mendoj humbjen sepse e kam ndjerë pozitivitetin e qytetarëve vlonjatë. Ne do ta vazhdojmë lëvizjen tonë qytetare dhe do luftojmë që të ndërgjegjësojmë qytetarët vlonjatë që të vazhdojmë të trysnojmë politikën që të punojë për qytetarët. Nuk kam dështuar në asnjë sipërmarrje dhe në këtë sipërmarrje nuk jam vetëm. Ne bashkë do bëjmë shumë gjëra dhe në qoftë se nuk ja arrijmë dot të gjithave, do e shtrojmë rrugën për ata që vijnë më pas, që të mos tremben nga politika, por të luftojnë për të drejtat e tyre qytetare. Mendoj që nuk do rresht kurrë së punuari për Vlorën dhe Vlonjatët./TO

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *